Abdixhiku nuk jep dorëheqje të parevokueshme – ‘ia lë në duar’ Kuvendit
“Ofrim të dorëheqjes [...] dhe më pas të vendosë Kuvendi”...
Pas pesë orësh diskutimesh në mbledhje mes figurave kryesore të partisë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, komunikoi vendimin që, sipas tij, fatin e vazhdimësisë së udhëheqjes së tij ta vërë në duart e Kuvendit të partisë. Ai e cilësoi këtë si një "obligim moral" përballë rezultatit zgjedhor, të krahasueshëm vetëm me më të dobëtin në historinë e partisë.
“Siç ju kam njoftuar më 28 dhjetor 2025, edhe sonte ju njoftoj se, në konsultim me bashkëpunëtorët e LDK-së, me nënkryetarët e partisë dhe sekretarët, kemi vendosur të thërrasim fillimisht Kryesinë dhe më pas edhe Kuvendin e LDK-së. E kam obligim moral, e kam obligim të sjelljes sime të marr jo vetëm përgjegjësinë, por të marr dhe të shtroj tutje edhe organizimin politik të LDK-së dhe, nëpërmjet ofrimit të dorëheqjes te Kuvendi i LDK-së, më pas të vendosë Kuvendi, nëpërmjet votës, se a e pranon apo nuk e pranon këtë dorëheqje.” – u shpreh Abdixhiku.
Abdixhiku shtoi se, deri në mbajtjen e Kuvendit, çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të garojë për kreun e partisë. Sipas tij, procesi do të formalizohet në organet partiake dhe do të zhvillohet në kuadër të strukturave të LDK-së.
“Po ashtu, secili njeri brenda LDK-së e ka të drejtën e garantuar që, deri atëherë, të shtrojë edhe kandidaturën individuale për kreun e LDK-së. LDK-ja është unike, është e bashkuar; i shtron çështjet në konsultime të tilla – do t’i formalizoj më tutje në organet partiake. Ky ishte takim joformal i kryetarit të LDK-së me bashkëpunëtorët e vet. Takimi i vetëm formal i LDK-së është ai i Kryesisë, i cili pritet të ndodhë javën e ardhshme. Pas takimit të Kryesisë ndodh Kuvendi. Janë çështje të LDK-së dhe do të trajtohen brenda LDK-së dhe organeve partiake.” – tha ai.
I pyetur se si do të veprojë në rast se Kuvendi nuk ia pranon dorëheqjen, Abdixhiku tha se një vendim i tillë e “obligon” të vazhdojë detyrën.
“Në qoftë se Kuvendi nuk e pranon dorëheqjen, atëherë të detyron të qëndrosh në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është papërgjegjësi, besoj, edhe e kohës, edhe e anëtarësisë, edhe e besimit, që t’i shmangesh besimit të anëtarësisë, por kjo është çështje e Kuvendit të LDK-së, jo çështje e imja. Unë, si kryetar i LDK-së, kam obligim që të shtroj para anëtarësisë së LDK-së, para Kuvendit, këtë dorëheqje, që të hap rrugë edhe për të tjerët që dëshirojnë të shtrojnë një platformë tjetër.” – shtoi ai.