Abdixhiku: Në vjeshtë do ta prezantojmë programin e “Rrugës së Re”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se në vjeshtën e këtij viti do të prezantohet në detaje platforma e LDK-së, e cila njihet me emrin “Rruga e Re”.
Ai ka deklaruar se ky program i LDK-së është rruga e vetme që Kosova duhet ndjekur.
Në emisionin “Çeli sytë” në Klan Kosova FM, Abdixhiku ka treguar se ky program përbëhet prej 27 shtyllave.
“Unë besoj që Rruga e Re duhet të nis sa më parë. Sa më shumë që vazhdojmë me këtë Qeveri, me këtë polarizim, do të humbim shumë. Rruga e Re do t’i ketë 27 shtylla. Në vjeshtë do ta prezantojmë programin e Rrugës së Re”, ka thënë Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka folur edhe për reformimin e partisë.
Ai ka deklaruar se ka bërë përpjekje të reformimit të partisë dhe hapjes së LDK-së ndaj njerëzve të rinj profesionistë.
“Në gusht 2021 e kemi humbur frikën për zgjedhje, sepse kemi parë fuqinë politikë të LDK-së. Ne jemi të interesuar të shfaqim partinë si alternativa e vetme në vend. Jemi më të fuqishëm sepse jemi më të organizuar dhe jemi më të fuqishëm sepse kemi ide më të qarta për të ardhmen. Jemi partia e vetme që nuk po polarizojmë dhe jemi partia e vetme që flasim për të ardhmen”, është shprehur Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka folur edhe për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe punët që po i bën ai në kryeqytete.
“Kur e kam sjell Përparimin në Prishtinë, kam qenë i vetëm. Njerëzit nuk e kanë njohur, por unë e kam njohur Prishtinën dhe e kam ditur se çka i duhet Prishtinës. Një arkitekt urbanist dhe një njeri punëtor, dhe po dëshmohet çdo ditë me punën e tij”, ka thënë Abdixhiku.