Abdixhiku: Më nuk po flasim për Asociacion por Autonomi me potencial të rrezikshëm për 10 vitet e ardhshme
Në një intervistë për "Debat Plus" të RTV Dukagjinit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK refuzoi ta shohë draftin e propozuar rreth statutit të Asociacionit mbi pretendimet se nuk u është lejuar ta kenë dokumentin për një analizë më të thelluar. Ai e karakterizoi këtë kufizim si një "fyerje të rëndë". Sipas kreut të LDK-së, debati për Asociacionin tashmë ka përfunduar dhe diskutimi është për një “autonomi me potencial të rrezikshëm për 10 vitet e ardhshme”.
Abdixhiku ka thënë se partia që ai drejton e ka refuzuar ofertën për ta parë draft-statutin pasi nuk u është lejuar ta kenë. Kreu i LDK-së e quajti “të pazakontë” që shteti serb e ka draftin e propozuar, por jo partitë politike në Kosovë.
“Bëhen 1 muaj prej që është pranuar ky draft statut, bëhet 1 muaj e dy javë prej që Kosova e ka në dispozicion, e 1 muaj që Vuçiq e ka në dispozicion. Pra ta ketë Serbia e mos ta kenë partitë politike është e pazakontë. Kemi pasur një ofertë nga ndërmjetësuesit që ja ku e keni draftin mund ta shihni, por s’mund ta keni, e të cilin e kam refuzuar. E konsideroj ofendim të rëndë, që një dokument 20 e disa faqe t’i lihet forcave politike sa për shikim e jo analizë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka kritikuar qasjen e qeverisë Kurti në kontekst të zhvillimeve të fundit në raport me Serbinë. Sipas kreut të LDK-së, qeveria nuk ka arritur të përfitojë nga një moment historik për Kosovën pas ngjarjeve të 24 shtatorit.
“Patëm fatkeqësi sepse na u vra një hero por patëm një moment historik, një gabim i jashtëzakonshëm në ballafaqimin diplomatik të Serbisë por arritëm të mos e shfrytëzojmë fare, përkundrazi ta pranojmë më të parën një autonomi të zgjeruar pa i marrë parasysh fare as komentet më të vogla të spektrit aktiv në këtë shoqëri. Pra të mbyllësh një proces pas një pozicioni të favorshëm në Banjskë është befasi e madhe.” – tha ai.
Kreu i LDK-së ka thënë se tani me ndërkombëtarët nuk po flitet për dialog normal, por dialog për të parandaluar luftën. “Tash më nuk flasim për normalizim të relacioneve, pro hajde te ndalim luftën. Nga ky pozicion, Kosova s’mund të nxjerrë asgjë mirë. Për mua është e habitshme se si ti ke 6 pika si start, dhe në fund se ke asnjërën në marrëveshje”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, debati në Kosovë do të duhej të zhvillohej rreth asaj se "çfarë asociacioni po ofrojmë në si Kosovë".
Ai ka thënë se tani diskutimi bëhet rreth një "autonomie me potencial të rrezikshëm për 10 vitet e ardhshme që të na shndërrohet si ai draft statuti i ekipit menaxhues”.