Abbott për situatën në veri: Policia e Kosovës e KFOR-i të lejohen ta kryejnë punën e tyre
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar edhe njëherë pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Ai përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar si situatë të vështirë atë në veri, ka thënë se kërkon durim.
Ai tutje ka thënë se për të gjetur zgjidhje afatgjatë për të mirën e qytetarëve kërkohet kohë.
“Zgjidhja e situatës së vështirë dhe të rrezikshme në veri kërkon durim dhe mendim të qetë. Është e rëndësishme që t'i jepet kohë dhe hapësirë për të gjetur zgjidhje afatgjata për të mirën e të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe pa u shqetësuar për prioritetet politike”, ka shkruar Abbott në Facebook.
Ndryshe, Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar. Sot bëhen dhjetë ditë që nga vendosja e barrikadave në disa rrugë kryesore në tri komuna veriore të Kosovës, në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Deri më tani barrikadat po qëndrojnë pavarësisht kërkesave për largim të menjëhershëm të tyre.
Veriu i Kosovës ka hyrë në ditën e 11 që nga vendosja e barrikadave. Bllokimi i rrugëve dhe vendosja e barrikadave erdhi pas arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.