AAK: Drejtësia të vendos për largimin e kushtit diskriminues ndaj pensionistëve kontributdhënës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Shemsedin Dreshaj ka mbajtur konferencë për medie lidhur me siç ka thënë ai, padrejtësinë që po u bëhet pensionistëve kontribut dhënës në Kosovë.
Dreshaj ka kërkuar që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se Qeveria duhet që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim.
“Kemi ftuar këtë konferencë për të adresuar një çështje që si AAK ka kohë që e kemi ngritur dhe e kemi trajtuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Bëhet fjalë për një padrejtësi që iu është bërë pensionistëve kontributdhënës tash e sa vite, me kriterin diskriminues i cili parasheh që pensionistët t’i kenë 15 vjet përvojë pune para luftës në Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Edhe pse kemi bërë përpjekje për vite me radhë që ta largojmë këtë padrejtësi ndaj pensionistëve, kjo nismë fatkeqësisht nuk është përkrahur nga kjo Qeveri”, tha Dreshaj.
Ai tha se kërkesa e Aleancës është që të largohet ky kushtëzim, për të cilin tha se është i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta.
“Sot, gjendemi në një situate më të favorshme, pasi për këtë çështje tanimë kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese të cilin e përshëndesim. Kërkesën KO 190/19, të parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve”.