A po ndryshon Serbia: Paditet amabsadori rus, Vuçiqi thotë se s’ka folur moti me Putinin
Një video e një lajmi rus, ku pretendohet se shfaq “vullnetarë” serbë duke u trajnuar për të luftuar bashkë me ushtrinë ruse në Ukrainë, ka nxitur zemërim në Serbi, duke e shpërfaqur marrëdhënien komplekse të këtij shteti me Moskën.
Grupi rus i mercenarëve, “Wagner”, ka bërë video në gjuhën serbe për ta inkurajuar rekrutimin për luftë. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, reagoi me zemërim në televizionin publik.
“Pse ju, nga “Wagner”-i, thirrni këdo nga Serbia, kur e dini se është kundër rregullave tona”- tha ai.
Kritikët shpesh e akuzojnë Serbinë se i jep përparësi marrëdhënies së vjetër me Rusinë para ambicies për t’i anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ajo që ka dalë në pah ditëve të fundit në Beograd, tregon se tabloja nuk është aq bardhezi.
Duke dhënë shenjë për marrëdhënie jo fort të mira me Moskën, presidenti serb tha se jo vetëm që Serbia është “neutrale” sa i përket luftës në Ukrainë, por se ai nuk ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, “për shumë muaj”.
Serbët e kanë të ndaluar me ligj që të marrin pjesë në konflikte jashtë vendit, raporton televizioni BBC.
Numri i rekrutëve serbë të përfshirë në këtë fushatë nuk duket se është domethënës. Disa kanë luftuar bashkë me forcat ruse në Ukrainë më 2014, por jo me ndonjë përkrahje zyrtare.
Në të vërtetë, gjykatat serbe kanë dënuar më shumë se 20 persona për pjesëmarrje në “luftime në fushëbeteja të huaja”.
Të enjten, një avokat dhe grupet kundër luftës paraqitën padi kundër ambasadorit rus si dhe ndaj agjencisë shtetërore për siguri dhe informacion (BIA) me pretendimin se kanë rekrutuar serbë për grupin “Wagner”.
Në Beograd, ku muralet provokuese janë shumë të zakonshme, emblema e kokës së vdekjes e grupit “Wagner” u shfaq në një mur në qendrën e qytetit javën e kaluar. Ajo ishte nënshkruar nga Patrullat e Popullit, organizatë e së djathtës ekstreme që më parë ka organizuar tubime pro-ruse.
Asnjëra nga partitë kryesore as nuk ka dhënë shenja për ta përkrahur pushtimin rus të Ukrainës. Në të vërtetë, Serbia vazhdimisht ka votuar në favor të rezolutave në Kombet e Bashkuara që e dënojnë agresionin rus.
Presidenti Vuçiq këtë javë e bëri shumë të qartë pozicionin e Beogradit: “Për ne, Krimea është Ukrainë, Donbasi është Ukrainë dhe kështu do të mbetet.”
Megjithatë, ky qëndrim nuk ka qenë i mjaftueshëm për t’i lënë përshtypje Parlamentit Evropian, sepse Serbia vazhdimisht ka refuzuar që t’i vendosë sanksione Rusisë.
Për herë të dytë, deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një rezolutë me të cilën bëhet thirrje për pezullimin e negociatave për anëtarësim derisa Serbia të pajtohet për t’i vënë sanksione Rusisë.
Për aq gjatë sa Bashkimi Evropian ka shfaqur pak entuziazëm për zgjerimin e bllokut e për përfshirjen e shteteve të Bashkimit Perëndimor, për Serbinë kishte kuptim që të mbante lidhje miqësore me Moskën.
Kjo i sillte ndër mend Brukselit se Beogradi ka mundësi të tjera. Furnizimi me gaz të lirë, pronësia shumicë e kompanisë serbe të naftës, NIS, në duart e kompanisë ruse, “Gazprom”, dhe refuzimi i Rusisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës ishin arsye praktike për të mbajtur marrëdhënie të mira.
Megjithatë, fillimi i pushtimit të Ukrainës i ka ndryshuar perceptimet. Beogradi nuk ishte i ngazëllyer, kur Putini iu referua shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës si justifikim për njohjen e pavarësisë së zonave të pushtuara në lindje të Ukrainës.
Ndërkohë Brukseli me vonesë kuptoi se rezerva ndaj Ballkanit Perëndimor po i linte hapësirë Moskës që të ndërhynte. Bisedimet për pranim për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut u zhbllokuan shpejt dhe Bosnja e mori statusin e vendit kandidat.
Pra, nëse presidenti serb ka qenë duke e pritur momentin që të mbështetet në mënyrë vendimtare në Perëndimin, ky moment mund të ketë arritur.
Ai ka paralajmëruar bisedime “shumë të vështira” me të dërguarit e posaçëm të BE-së dhe ShBA-së dhe thotë se do t’u drejtohet serbëve në fundjavë për t’u treguar se “çfarë kërkohet dhe çfarë pritet nga Serbia në lidhje me Kosovën dhe me sanksionet kundër Rusisë”.
Vuçiqi ka bërë deklarata të ngjashme edhe më parë, por pa u zotuar për ndonjë ndryshim të rëndësishëm të politikave. Megjithatë, ai këtë javë përsëriti edhe një herë se trajektorja e Serbisë është drejt Perëndimit.
“E di se BE-ja është rruga jonë. Nuk ka rrugë të tjera”- tha ai për “Bloomberg”-un.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli


