A po pajtohet ngadalë Serbia me planin franko-gjerman? Bërnabiq flet për modelin e dy Gjermanive - NACIONALE

A po pajtohet ngadalë Serbia me planin franko-gjerman? Bërnabiq flet për modelin e dy Gjermanive

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq, ka folur sot gjerësisht në lidhje me zhvillimet politike që kanë të bëjnë me Kosovën. Çka saktësisht tha ajo?

Nënsekretari amerikan Derek Chollet do të vizitojë sot Kosovën e nesër Serbinë, në njërën prej vizitave më të rëndësishme nga një zyrtar i administratës Biden prej muajit prill të vitit të kaluar.

Duke e komentuar këtë vizitë, znj. Bërnabiq ishte ‘precize’ mbi atë që priste.

“Nuk kam pritshmëri, as të mira e as të këqija. E vetmja gjë që është e rëndësishme është premtimi i ShBA-ve për të filluar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe zbatimi i Marrëveshjeve të Brukselit,” – u shpreh Bërnabiq për TV Pink.

Po ashtu, kryeministrja serbe ishte denoncuese e rolit të Gjermanisë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë duke e akuzuar për standarde të dyfishta.

“Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme tha që zgjidhja e dy Gjermanive nuk ishte opsion për Qipron, por e vetmja zgjidhje ishte përmes OKB-së dhe pajtueshmërisë me rezolutat relevante ndërkombëtare. Kësisoji, zgjidhja e dy shteteve nuk bën për Qipron, por kur ata flasin për Serbinë është ndoshta i vetmi opsion... Por, ky është realiteti dhe ne duhet të punojmë brenda këtyre kornizave, për ta ruajtur Serbinë dhe presidenti Vuçiq po punon për këtë çështje,” – tha ajo.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte shprehur sërish se Serbia e kishte refuzuar planin franko-gjerman, i cili është interpretuar se jep pikërisht modelin e dy Gjermanive si zgjidhje për telashet mes dy shteteve. Nuk dihet nëse kjo deklaratë e Bërnabiq është më afruese me këtë plan.

Bërnabiq shpjegoi se është e nevojshme të punohej për forcimin e mëtejmë ekonomik të Serbisë në paralele me mbrojtjen e interesave kombëtare në sferën politike.

Ajo po sahtu u shpreh edhe në lidhje me Interpollin ku deklaroi se kishte marrë informacione që Kosova nuk do të ishte në agjendë gjatë mandatit të Ahmed Nasser Al Raissit.

Kryeministrja serbe deklaroi që Serbia po bënte çdo përpjekje që Kosova të mos anëtarësohej në organizata ndërkombëtare, por që dy më kryesoret ishin Interpoli dhe Unesco.

Pikërisht dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol në vitin 2018 kishte çuar drejt tarifës doganore të njohur si taksa 100%.

Lajme të ngjashme