A po kushtëzohet Kosova me Manastirin e Deçanit për anëtarësim në Këshillin e Evropës?
Nisma Evropiane për Stabilitet, në një raport të publikuar së fundmi lidhur me implementimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, vë në pah se kjo është çështje që lidhet ekskluzivisht me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Javën e kaluar, një ekip i ESI ka vizituar Kosovën për ‘të ekzaminuar’ se si një prej demokracive evropiane që ende nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, mund t’i bashkohet këtij institucioni këtë vit. Dhe se si mund të trajtohet një çështje urgjente, e pazgjidhur qe një kohë shumë të gjatë dhe që është bërë qendër për këtë synim (anëtarësimin në Këshillin e Evropës)”, thuhet në këtë raport.
Kjo Nismë, thotë se implementimi i vendimit të Gjykatës për tokën e Manastirit të Deçanit, do të trasonte rrugën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që edhe ashtu – është institucioni evropian me rëndësinë më të madhe për të drejtat e njeriut.
“Prona në komunën e Deçanit, përfshin një prej kishave më të famshme Ortodokse Serbe në Ballkan. Pyetja më e madhe sot është: si funksionn rendi dhe ligji në implementimin e verdiktit në Kosovë sot? Pika kryesore është se duke zgjidhur këtë çështje, Kosovës i hapen dyert për në Këshillin e Evropës, institucionin kryesor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thotë raporti, shkruan Nacionale dhe tutje përmbledh përfitimet në pikat si më poshtë:
Duke u marrë me këtë çështje – derisa koha po shkon – mund të duket kështu:
-një fitore për rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët e Kosovës, që po ashtu do të mund të përfitonin nga sistemi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut që buron nga Këshilli i Evropës.
-një fitore për Manastirin e Deçanit dhe komunitetin serb në Kosovë
-një fitore për Këshillin e Evropës dhe pjesërisht për Asamblenë Parlamentare, raportuesit e së cilës, këtë çështje e kanë në fokus.
“Në kuptim që të kërkohet se çka kontestohet dhe çka është e mundur të bëhet është se duhet të shikojmë se pse një tokë prej 24 hektarësh ka rëndësi kaq të madhe, duhet shikuar historia dhe politika: pse po ndodhë që kjo çështje të jetë kaq problematike për t’u zgjidhur. Dhe në fund mësimi që marrim nga kjo çështje: si e tregon kjo çështje rëndësinë e të qenurit të Kosovës anëtare e Këshillit të Evropës”, thotë tutje raporti.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria e Kosovës pret që vetëqeverisja lokale në Deçan, ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Megjithatë, komuna nuk ka ndryshuar qëndrim.
Sipsa REL, Qeveria është duke zhvilluar bisedime me vetëqeverisjen lokale dhe aktorët përkatës, me qëllim zbatimin e tij, përpara sesionit të Asamblesë Parmanetare të Këshillit të Evropës. Kjo justifikohet edhe me “respektimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës”.
Në një pjesë me titull: “Këshilli i Evropës dhe toka e Deçanit”, raporti thotë se kjo është edhe arsyeja që të gjithë raportuesit e Parlamentit Evropian, kur janë pyetur vitin e kaluar lidhue me progresin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, janë pyetur fillimisht se ku ka mbetur çështja e implementimit të vendimit për Manastirin e Deçanit.
“Nuk është befasuese se të gjithë raportuesit në vitin 2023 dhe të gjithë ekspertët ligjorë që janë pyetur nga Këshilli i Evropës lidhur me përgatitjet e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës, janë fokusar në këtë çështje. Dhe të gjithë kanë të njëjtën pyetje: kur do të implementohet verdikti (vendimi i Gjykatës)”, thotë tutje raporti.
Veton Surroi, publicist dhe këshilltari i jashtëm i kryeministrit Albin Kurti, në një opinion të publikuar sot në Koha, në krye të tij, e vendosë këtë pikë: që avancimi i Kosovës për në Këshillin e Evropës, të jetë i lidhur me zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit.
“Regjistrimi i tokës që i përket Manastirit të Deçanit - vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në një formë nga vetë zyra kadastrale e Deçanit - mund të shënojë një avancim shumë të madh të percepsionit e të pozitës së Kosovës si shtet evropian, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshill të Evropës. Pa këtë akt, Kosova do të vazhdojë të trajtohet në zonën e hamendjes”, shkruan Surroi.
Kryeministri Albin Kurti, në disa prej deklarimeve të tij për këtë çështje, thotë se ‘kjo çështje duhet të zgjidhet me dialog’.
“Unë mendoj se për Manastirin e Deçanit kemi nevojë për dialog në mënyrë që ta trajtojmë këtë breng të tyre, nuk duam t’i dominojmë, nuk dëshirojmë t’i cënojmë, por në të njëjtën kohë besoj që duhet të hasim më në fund në mirëkuptimin e tyre që vendimet e Millosheviçit nuk mund të jetojnë në këtë shekullin tonë”, pati deklaruar Kurti për RTK-në.
Çështja e kthimit të pronave të Manastirit të Deçanit, është një prej çështjeve më të diskutueshme ndër vite, duke pasur parasysh se autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht thirrjeve të shumë diplomatëve amerikanë dhe evropianë se vendimi, që është sjellë në favor të manastirit, duhet respektuar.
Në një intervistë dhënë së fundmi për Nacionalen, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i pyetur për qëndrimin e Gjermanisë për çështjen e Manastirit të Deçanit si një nga kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës, deklaroi se "çështja e pronave të Deçanit do të jetë një çështje me peshë të lartë që do të duhet të zgjidhet para anëtarësimit".
"Jam goxha i sigurt se çështja e pronave të Deçanit do të jetë një çështje me peshë të lartë që do të duhet të zgjidhet para anëtarësimit. Sepse, deri më tash, kemi parë gjashtë qeveri që nuk e kanë zbatuar. Kam parë gjashtë qeveri që nuk e kanë zbatuar Asociacionin. Që edhe është një obligim i vjetër i Kosovës që nga 2015. Mendoj se ka kohë të ecet para." - tha Rohde.
Kontesti
Autoritetet në Deçan refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit. Pikërisht mbi këto pretendime shpesh thirren edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Për ta, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90.
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të njohura si vendet e Quint-it, tash e disa vite shprehin shqetësimin se nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit dhe rregullisht u bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i lejojnë manastirit ta regjistrojë tokën në kadastër.
Në vitin 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.