A po i shtron Kurti darkë opozitës për t’i ikur përgjegjësisë rreth KiE-së?
Nën arsyetimin për ta diskutuar agjendën legjislative, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ftoi tri partitë opozitare për një darkë pune. Deri më tani, PDK-ja i ka thënë “PO”, LDK-ja “JO”, derisa AAK-ja refuzuar takimin për këtë çështje nën argumentin se tema e përcaktuar për mbledhjen mes partisë në pushtet dhe opozitës “bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare”. Megjithatë, sipas analistëve, prapa kësaj fshihet diçka tjetër. A po e bën Kurti këtë lëvizje për t’i ikur përgjegjësisë?
Sipas politologut, Avdi Smajljaj, po. Kryeministri Kurti mund të jetë duke bërë një lëvizje për ta ndarë përgjegjësinë, në rast të pasojave nga refuzimi i kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.
“…Nëse kryeministri synon të arrijë një koncensus, atëherë për një gjë të tillë, do të duhej punuar më herë, gjë që nuk ka ndodhur marrë për bazë qasjen e pushtetit ndaj opozitës. Mund të jetë edhe lëvizje e ekzekutivit për të ndarë përgjegjësinë e pasojave që mund të jetë nga refuzimi i kërkesave ndërkombëtare dhe humbje e rastit për anëtarësimin në KiE. Nëse nuk diskutohet draft statute në këtë takim, atëherë kjo është një injorim shtesë që kryeministri ua bën kërkesave të komunitetit ndërkombëtarë, duke i futur në agjendë çështje që zakonisht nuk janë diskutuar me opozitën.” – tha Smajljaj për Nacionalen.
Ndërkohë, ish-deputeti i VV-së e filozofi, Afrim Kasolli, na tha se temë diskutimi në darkë do të jetë edhe “(mos)anëtarësmi i Kosovës në KiE”.
“Nuk përjashtohet mundësia që këto tema të jenë subjekt i takimit. Mirëpo, jam i bindur se si temë tjetër për diskutim më përfaqësuesit e opozitës do të jetë edhe (mos)anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës. Tashmë është e qartë se ky proces është i kushtëzuar me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese. Ndonëse anëtarësimi i Kosovës nuk është në rënd dite në Këshillin Ministror për takimin e ardhshëm, megjithatë kjo nuk do të thotë se çdo gjë ka marrë fund.” – tha ai për Nacionalen.
Edhe ai, u shpreh se këtë ftesë, e sheh më shumë si përpjekje të Kurtit për ta zhveshur vetën nga përgjegjësia personale.
“Vetë, Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se agjenda e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti, sipas të gjitha gjasave do të kërkojë mirëkuptimin, apo konsensusin e liderëve të opozitës, Memli Karasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK, për ta shmangur disfatën përfundimtare politike dhe diplomatike. Dhe në këtë mënyrë të arsyetohet para opinionit se ishte edhe qëndrim i opozitës dërgimi i draft-statutit në Gjykatë Kushtuese, me qëllim që të mos rrezikohet ky proces. Pra ftesën për një takim të tillë e shoh më shumë si përpjekje të Kurtit për ta zhveshur vetën nga përgjegjësia personale, për atë kauzë që ai më së shumti e ka krijuar si gogol politik.” – tha Kasolli.
Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi për Nacionalen tha se opozita duhet të shkojë në takim vetëm për të diskutuar datën e zgjedhjeve, gjë që PDK-ja e përdori si arsyetim kur konfirmoi se do të jetë pjesëmarrëse në darkën e ftuar nga Kurtit.
“Kinse për agjendën legjislative, po më duket joserioze. Mendoj që opozita nuk do të uhej të shkonte për këtë pikë, deri tash asnjëherë në pushtet, VV i ka fy, nënçmu, intimidu në çdo variant të mundshëm të botëkuptimit njerëzor, pra njëfar mënyre vet e ka mbyt bashkëpunimin kolegial pozitë opozitë. Nëse shkohet, duhet të shkohet vetëm për datën e zgjedhjeve. Kjo do të duhej ndoshta të ishte njëfarë mënyrë, takimi për ta dërguar vendin në zgjedhje si të dojnë, sepse vendi ppo rrshet në shumë drejtime në kontekste negative dhe nuk ka mbetur për Qeverinë që të krenohet për diçka. Jam i bindur që shumica e takimit do të konsumohet vetëm për datën e zgjedhjeve, nëse arrihet të bëhet ndonjë takim.” – i tha Arifi Nacionales.