"Dy Kosova"; Konjufca "sheh një problem" me vërejtjen e ShBA-së 'për instrumentalizim të Policisë nga Qeveria'
"Nga reagimet e faktorit ndërkombëtar kështu po i bie"...
Përmes një analogjie që në terma praktik do të rezultonte vite dritë larg gravitetit të situatës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, parashikoi një skenar se si do të reagonte komuniteti ndërkombëtar mes mbikëqyrjes së rendit dhe ligjit në Prishtinë dhe në veri të Kosovës nga Policia e Kosovës. Përfundimi i Konjfucës? Qortimet e ndërkombëtarëve – në këndvështrimin e tij – përkthehen në atë që ai e quan "dy Kosova", “dy territore në Kosovë”; në sytë e aleatëve të Kosovës.
Kështu e ka lexuar kryeparlamentari vërejtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për “instrumentalizimin e Policisë së Kosovës nga Qeveria”.
“...instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të "vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar", u theksua ndër të tjera në reagimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
I pyetur në emisionin “DPT TE FIDANI” se si do t’i komentonte këto deklarata, kreu i Kuvendit mohoi kategorikisht një gjë të tillë duhet theksuar se Policia e Kosovës nuk i cak qytetarët e thjesht serb në veri por “shkelësit e ligjit”.
“Në asnjë moment nuk mendoj që çfarëdo ndërhyrje e Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të Kosovës është instrumentalizim i policisë për me dëmtu dikë në baza etnike. Mua më është dukur kështu. A e ka pasur cak ndonjëherë Policia e Kosovës, me ndonjë veprim te saj në atë pjesë të territorit, ndonjë civil, qytetar të thjesht serb, i cili nuk ka ra ndesh me ligjin. Në momentin kur do të vepronte Policia e Kosovës ashtu, atëherë veprimet i ka pasur për shkak të përkatësisë etnike të atij personi, jo për shkak që ka ra ndesh."
"Mirëpo, nëse një person çohet dhe me një institucion i cili është pronë publike e shtetit të Kosovës, shkon dhe e vendosë pllakën “Republika e Serbisë”, pretendon që aty është Republika e Serbisë, duke e bërë këtë midis Kosovës, zotëri, ajo është në kundërshtim me ligjin. Ai mund të jetë serb, mund të jetë çfarëdo tjetër me etni, mirëpo nuk i qaset policia atij pse është serb, por sepse e ka vendosur pllakën ‘Republika e Serbisë’.” tha ai.
Përmes një krahasimi se ndërhyrjet e Policisë së Kosovës ndaj dikujt që bën veprime në kundërshtim me ligjin në Prishtinë nuk do të quheshin “veprime të njëanshme” nga bashkësia ndërkombëtare, Konjufca përfundoi argumentin se reagimet e aleatëve nënkuptojnë standard të dyfishtë.
Kjo sipas tij përkthehet në atë se – bazuar në reagimet e tyre – “Kosova ndahet në dy territore.”
“Nëse e çon ti atje policinë dhe vepron në atë mënyrë, a di të ma shpjegoj dikush përse është e njëanshme. Po e zëmë dikush në Prishtinë e vendosë në një institucion publik “Republika e Serbisë” dhe Policia e Kosovës reagon, a thotë bashkësia ndërkombëtare “Veprim i njëanshëm”? Nëse nuk thotë unë e kam një problem; Kosova po u ndajka në dy territore. Në territorin ku Qeveria e përdorë Policinë për sundim të ligjit, ashtu siç duhet, dhe është ky territori tjetër kur për sundim të ligjit, nuk mund ta përdorë policinë por duhet të na pyesin neve. A po i bie kjo që janë dy territore në Kosovë? Nga reagimet e faktorit ndërkombëtar kështu po i bie, si me qenë dy Kosova. Qasja e Qeverisë është që me bindë bashkësinë ndërkombëtare që nuk janë dy Kosova. Një Kosovë është.” – tha Konjufca.