A e nisi punën tamam James Rubini, dhe si e goditi “nervin e keq” të Vuçiqit? - NACIONALE

A e nisi punën tamam James Rubini, dhe si e goditi “nervin e keq” të Vuçiqit?

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Erdhi fillimisht në Podgoricë i ngarkuar me një detyrë të re.

James Rubin, bashkëpunëtor i ngushtë ish-Sekretares së ndjerë amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, zbarkoi në rajon për t’i ndërruar disa hesape – dhe atë...njëherë e mirë.

Misioni i tij? Çjerrja e çdo ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor.

Prej informatave, mediave, platformave e rrjeteve ruse që gjejnë terren të lirë kryesisht në Serbi.

E kanë helmuar këtë pjesë të kontinentit, rusët, tha ai.

“Pas bisedimeve që zhvillova me zyrtarë malazias dhe liderë të partive politike, tashmë jam i bindur se Mali i Zi nuk do të kthehet sërish ka Beogradi dhe Moska”, tha Emisari Special i Departamentit amerikan të Shtetit dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, pasi shpaloi detyrën e re me të cilën Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, e ka angazhuar: luftimi i ndikimit malinj dhe dezinformativ rus.

Pesha e tërheqjes ruse? s’do shumë mend... Beogradi.

Rikthimi në skenë i Rubinit goditi në nerv të keq, presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Saktësisht këtu nisi interesantja.

Ka kohë që shteti serb s’kapet më me amerikanët e as amerikanët me ta.

Zhvendosja nga prehri rus i Serbisë, në planin gjeostrategjik, për amerikanët ishte imperativ. Andaj Vuçiq kursehej.

Por, jo më. Vuçiq shpërtheu ndaj Rubinit menjëherë nesërmen.

Ky ka mbetur në të 90’at, tha Vuçiqi.

“Por, kam një kundër-pyetje. James Rubin tha se shpreson që Podgorica të mos varet nga Beogradi dhe Moska. Përveç faktit se këto gjëra as që i vinë afër të vërtetës, ata flasin edhe për faktin se disa njerëz në administratën amerikane janë njerëz të varur nga politika e viteve të nëntëdhjeta, ku ka animozitet të madh kundrejt serbëve. As që më shkon ndërmend të futem në luftëra ku humbasim, por përndjekjen e njerëzve tanë nuk e lejojmë”, tha thënë Aleksandar Vuçiq.

Pak ditë pas këtyre fërkimeve, prestigjiozja amerikane The New York times do të botonte një shkrim ku Vuçiq do të nxjerrej zhveshur për atë që është: një autokrat e sundimtar krimi në një shtet-rrjet bandash prej A’së e dej në Zh.

Sa ka korrelacion e kauzalitet këtu me rikthimin në skenë të Rubinit? Dikush mund të thotë Zero e dikush mund të thotë E TËRA.

Jehoi fuqishëm anekënd globit. Ky, ishte Vuçiq. Presidenti i një shteti të thurrur mbi premisa të krimit.

Përveç kësaj, Serbia, shtet kandidat për anëtarësim në BE, që ia përcakton detyrimisht bashkërendimin me politikat e jashtme dhe të sigurisë me atë të unionit, që 1 vit e gjysmë qëndron neutrale...neutrale në anën e Rusisë.

Kështu duke u barazuar me Bjellorusinë e Lukashenkos. Jo sanksione ndaj Rusisë vëllazërore dhe terren i lirë i shmangies së sanksioneve perëndimore.

James Rubin, shpërndan shkrimin e New York Times në profilin e tij. “Lexim brutal”, mbishkruan në të.

Me Maqedoninë e Veriut nënshkroi memorandum bashkëpunimi për luftimin e dezinfortmatave...ruse, pas Malit të Zi.

Po me Serbinë si të vetmin vend në kontinentin evropian që transmeton lirshëm Russia Today e platforma të gjithëfarshme të Sputnik-ut, me një shpellë spiunazhi e të luftës hibride në Nish? Me një rrjet tabloidesh rrufe të propagandës ruse, që shesin mbi 50 mijë kopje fizike në javë?

Këto do të jenë detyrat e Rubinit...

Lajme të ngjashme