A do ta lidh VV-ja edhe Kurtin me Serbinë (si opozitën) shkaku i gatishmërisë për zgjedhje të reja në veri? - NACIONALE

A do ta lidh VV-ja edhe Kurtin me Serbinë (si opozitën) shkaku i gatishmërisë për zgjedhje të reja në veri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti brenda 24 orëve ka demantuar videon e Lëvizjes Vetëvendosje, ku akuzohej rëndë opozita. Në videon e djeshme, partia në pushtet akuzonte partitë opozitare, duke thënë se sikurse Serbia po kërkojnë zgjedhje të reja për 4 komunat në veri, raporton Nacionale. Por, edhe kryeministri Albin Kurti sot ka shprehur gatishmërinë e tij se në atë pjesë të vendit duhet të mbahen zgjedhjet të reja.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se zgjedhje e reja për katër komunat veriore duhet të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës.

Sipas tij, fillimisht, me anë të peticionit duhet të kërkohet largimi i kryetareve aktuale.

Gjithashtu sipas kërkesës së tyre kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri, sepse këto zgjedhje janë e vetmja mënyrë si të bëhet ndërrimi i pushtetit. Ndërrimi i pushtetit nuk bëhet me dhunë. Nuk bëhet duke plagosur policët e ushtarët. Por vetëm me zgjedhje të parakohshme. Ligji e tregon se si mund të bëhet me mbledhjen e nënshkrimeve të një peticioni që e nisin procesin për ato zgjedhje. Natyrisht që institucionet e Kosovës do t’i respektojnë të gjitha procedurat ligjore”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti edhe më herët është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje në videon e saj nuk e kishte marrë parasysh këtë fakt.

Në videon që zgjat më pak se dy minuar, partia në pushet akuzon rënë opozitën, duke e ndërlidhur me Serbinë.

Opozita flet për izolimin e vendit, por nuk i del zëri për zgjedhje të reja. Dy drejtuesit e ri të partive të vjetra kopjojnë njeri-tjetrin me demek takime të rëndësishme, por asgjë më shumë. Si përherë presin dhe godasin pas shpine, por këtë radhë prapë shtetin, Republikën, qytetarin e Kosovës. Kërkojnë që në pjesën veriore kryetarët legjitim t`i lirojnë objektet dhe të mbahen zgjedhje të reja, porsi Serbia. Mirë që janë në opozitë, se po të ishin në qeveri do ta dorëzonin e gjunjëzonin sërish shtetin”, thuhet në videon e VV-së.

Opozita reagon ashpër ndaj videos

Video e VV-së ka nxitur reagime të ashpra të partive opozitare. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë vlerësuar se kjo është një propagandë e ulet e pushtetit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo tregon për panikun e pushtetit.

Pushteti i sanksionuar i Albinit tashmë ka hyrë në një fazë të re paniku. Sot e paska publiku një video duke e sulmuar opozitën, që dëshmon më së miri se kanë edhe frikë pikërisht nga kjo opozitë. Shumë shpejtë do t'ju përcjellim; disa në shtëpia e disa në burgje”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, e ka vlerësuar si të pritshme këtë video.

Më pyeti dikush dje: “A thu çka ka me qenë reagimi i pushtetit për iniciativën e LDK-së?” I thash: Sondazhe fake Video propaganduese Panikë - Më paska ikë mungesa e shijes/kreativitetit në video”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Si propaganduese këtë video e ka parë edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se video është e turpshme.

Kosova nën sanksionet më të ashpra nga BE-ja, me një gjendje të sigurisë të brishtë me një ekonomi të rrënuar, me një ikje masive të rinisë, me një dëshpërim të skajshëm të punëtorëve në administratë të shtetit, me policë të cilët sot janë më të angazhuarit në mbrojtje, e më pak të privilegjuarit. E, LVV-ja merret me filma, e me video, duke u munduar të mbulojë dështimin e vet. Veç vazhdoni kështu se me video e mbroni sovranitetin”, ka shkruar Tahiri.

Kjo nuk është hera e parë që VV-ja publikon video, në të cilat akuzohet opozita.

Lajme të ngjashme