Lista Serbe: 9 vjet prej që Vuçiqi vodhi lirinë politike të 50 mijë kosovarëve
Sot bëhen nëntë vjet prej që u nënshkrua në Bruksel një marrëveshje e rëndësishme që i hapte rrugë – përveç Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – edhe krijimit të Listës Serbe në Kosovë.
Kjo parti politike mësynte të bënte bashkë serbët e Kosovës për t’i dhënë një përfaqësim më uniform dhe të pandikuar në Kuvendin e Kosovës dhe përgjithësisht jetën politike të vendit.
Zgjedhjet e para në të cilat mori pjesë kjo parti politike ishin ato të qershorit 2014. Kryetari i parë i kësaj partie ishte Aleksandër Jabllanoviq, një politikan asokohe vetëm 34 vjeçar. Në zgjedhjet e atij viti, Lista Serbe do të merrte 5.20 për qind të votave ose 38 mijë e 199 vota.
Kjo e bëri menjëhershëm Listën Serbe partinë dominante në Kosovë megjithëse – për shkak të ligjeve të Kosovës – nuk fituan të gjitha 10 ulëset e rezerveruara në Kuvend.
Homogjenizimi i plotë i serbëve të Kosovës do të ishte një përpjekje e vazhdueshme e kësaj partie politike, që mbështetej haptas edhe nga qeveria Aleksandër Vuçiq në Beograd.
Por, kryetarit të kësaj partie, Aleksandër Jabllanoviqit, do t’i ndodhnin dy shkarkime gati të përnjëhershme për shkak të një fjale të papranueshme drejtuar ndaj nënave gjakovare që nuk kishin lejuar një vizitë të pelegrinëve serbë në Gjakovë më 7 janar 2015.
.jpg)
Më 3 shkurt, ai do të shkarkohej si ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Isa Mustafës e më pas do të jepte dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të Listës Serbe.
Sidoqoftë, një gjë e tillë vetëm sa kishte forcuar pozicionin e LS-së te serbët e Kosovës. Kryetari i ri i kësaj partie të dirigjuar nga Beogradi ishte edhe më i ri, bëhej fjalë për Slavko Simiqin që në atë kohë, më 2015, ishte vetëm 31 vjeçar.
Në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, ato të vitit 2017, Lista Serbe do të rriste si përqindjet po ashtu edhe numrin e votave të tyre. Mbi 6 mijë votues më shumë shprehën besimin e tyre për LS-në, me numrin e votave që kishte shkuar në 44 miijë e 578 sosh. E megjithatë, përsëri nuk kishin arritur që t’i fitonin të gjitha dhjetë ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Slavko Simiq kishte qenë mandat-shkurtër si kryetar pasi në vitin 2017 një tjetër politikan serb i Kosovës do të merrte besimin e Vuçiqit për të drejtuar këtë parti politike: Goran Rakiq.
Dhe në këtë pikë, gjërat për Kosovën u përkeqësuan në përmasa alarmante.
Në zgjedhjet e vitit 2019, nën udhëheqjen e Goran Rakiq, Lista Serbe do të fitonte për herë të parë të gjitha dhjetë ulëset në Kuvendin e Kosovës me një numër prej 52 mijë e 620 votash ose 14 mijë e 421 më shumë se në zgjedhjet e para në të cilat morën pjesë (2014).
Kjo periudhë e errët e homogjenizimit/shtypjes së vullnetit politik të serbëve të Kosovës u shoqërua me intimidime të politikanëve tjerë serbë opozitarë, marrjen e tyre në pyetje nëpër stacionet policore në Serbi, bashkëpunimit me grupet e kontrabandës dhe madje edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit më 16 janar 2018.

Suksesin zgjedhor të vitit 2019, Lista Serbe do ta arrinte edhe në vitin 2021 kur përsëri i mori të gjitha dhjetë ulëset e rezervuara. Kjo nënkuptonte se kishin marrë rreth 95 për qind të votave të komunitetit serb. Por, një tjetër dredhi do të dilte në sipërfaqe: LS-ja e Goran Rakiqit kishte udhëzuar një pjesë të qytetarëve serbë që të votonin kandidatë tjerë të pakicave etnike në mënyrë që të rrisnin edhe më shumë numrin e përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës.
Ata kanë një grup parlamentar me 11 deptutetë në Kuvendin e Kosovës, ose një më shumë se që u jepte Pakoja e Ahtisaarit përmes mandateve të rezervuara. Por, nëse nuk do të ndërhynte Gjykata Supreme për të shfuqizuar votat e serbëve për kandidatët romë e ashkali, numri do të mund të ishte edhe më i madh.
Përveç përfaqësimit në nivel qendror, kjo parti politike ka arritur të shtrihet në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë duke dalë si partia që udhëheq në më së shumti komuna në nivel republike, madje më shumë edhe se Vetëvendosja e AAK së bashku.
Kjo parti politike ka qenë pjesë e çdo qeverie të Kosovës prej vitit 2014 e këndej.