9 ditë për Presidentin: Kurti dhe Abdixhiku dalin nga takimi me optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje
Në prag të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, krerët e Lëvizjës Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës, Albin Kurti dhe Lumir Abixhiku thanë se patën takim “përmbajtësor” për të kapërcyer nyjën e Presidencës. Për Abdixhikun, biseda me Kurtin ishte “e mbarë dhe e mirë”, ndërsa kreu i VV-së foli për nevojën e gjetjes së një emri “të përveçëm që garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve.”
“U dakorduam që dy rrugë janë përpara: ose konsensusi politik, ose një marrëveshje politike mes dy partive politike për çështjen e Presidentit”, tha kreu i LDK, duke shtuar se LDK-ja sheh hapësirë për marrëveshje.
Ai foli për dy rrugë përpara: “Janë më pak se 10 ditë, përkatësisht 9 ditë deri te zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës. Dakordimi i përgjithshëm është se janë dy rrugë përpara: e para, ose duhet konsensus politik dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto 9 ditët e ardhshme, ose duhet një marrëveshje klasike politike, pra marrëveshje klasike politike mes partive për çështjen e Presidentit dhe në të dyja rastet duhet së paku 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha kreu i LDK-së.
Sipas tij, në këtë fazë nuk po negociohen ende emra, por parime dhe arkitektura politike e zgjidhjes.
“Nuk përmendëm emrat, folëm për parime, folëm për shtyllat potenciale të zgjidhjes së çështjes jetike të zgjedhjes së Presidentit dhe shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Kurti e vendosi çështjen e Presidencës në një kornizë më të gjerë politike, duke deklaruar se, sipas tij, asnjë nga tri partitë kryesore – Vetëvendosje Lëvizja Vetëvendosje, PDK dhe LDK – nuk po shtyn përpara një kandidat partiak me “librezë partie”.
“Në njërën anë, ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit me ndonjë emër të përveçëm që kemi thënë se do të jetë kandidati ynë. Pra, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka një anëtar me librezë partie, që synon të bëhet President. Por njësoj vlen për dy partitë e tjera të mëdha e tradicionale, PDK-në dhe LDK-në, që u konfirmua edhe nga takimi i mbrëmshëm që kisha me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën edhe sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun”, tha ai.
Sipas tij, vendi qëndron mes dy alternativave: ose të gjendet një emër i vetëm i pranueshëm nga një shumicë cilësore deputetësh, ose të formalizohet një marrëveshje politike mes partive për rrugën institucionale përpara.
“Andaj, në vijim, ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë duke përzgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti më së largu më 4 mars, ose është tjetra, që subjektet politike merren vesh me njëra tjetrën për rrugën përpara”, shtoi Kurti.