7 Shtatori i Kaçanikut: Dritë në kohë të errëta për Kosovën - NACIONALE

7 Shtatori i Kaçanikut: Dritë në kohë të errëta për Kosovën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Më 7 shtator 1990, në një kohë të mbushur me tension dhe represion të rëndë politik, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës ndërmorën një hap historik për të ardhmen e vendit. Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë më 2 korrik të po atij viti, ata e kurorëzuan këtë akt me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

Ky dokument historik, i njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, është cilësuar nga protagonistët e kohës si gurthemel i identitetit modern të shtetit të Kosovës. Zgjedhja e qytetit të Kaçanikut nuk ishte rastësore: për shkak të afërsisë me kufirin me Maqedoninë e Veriut, ai ofronte mundësi më të favorshme për ta mbajtur mbledhjen në rrethana tejet të rrezikshme.

Kushtetuta e miratuar përbëhej nga pjesa hyrëse dhe 9 kapituj me gjithsej 140 nene, ku Republika e Kosovës përkufizohej si “shtet demokratik i popullit shqiptar dhe i pakicave kombëtare” që jetojnë në Kosovë.

Që nga leximi i Deklaratës së Pavarësisë më 2 korrik, regjimi i Sllobodan Millosheviqit kishte instaluar një sistem aparteidi dhe shtypjeje ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke shënuar fillimin e një prej kapitujve më të errët të historisë së re.

7 Shtatori mbetet sot një nga datat më të rëndësishme të kujtesës kombëtare.

Lajme të ngjashme