55 euro, koeficienti 150 euro: Cilat janë propozimet e partive politike për rritjen e pagave?
Partia në pushtet dhe dy parti opozitare kanë prezantuar planet e tyre për rritjen e pagave për sektorin publik. Sot, pritet që edhe Partia Demokratike e Kosovës ta zbardhë propozimin e saj për këtë çështje.
Deri me tani, VV-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë treguar vizionin e tyre për rritjen e pagave. Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri publik paralajmërimin e tij për rritjen e pagave, LDK-ja dhe AAK-ja janë aktivizuar për të treguar qëndrimet e tyre.
Në fillim të javës, kryeministri Kurti ka bërë me dije se me Projektligjin për Buxhetin do rrisë pagat e sektorit publik nga muaji janari.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se në muajin janar do të ndodhë rritja e parë prej 55 euro, kurse rritja e dytë për të njëjtën vlerë do të ndodhë në muajin korrik.
“Rritjen ekonomike dhe të hyrave në buxhetin e shtetit, po i kthejmë në rritje të pagave, pensioneve, shtesave dhe mirëqenies së qytetarëve. Jemi shumë të lumtur që muajve të fundit kemi pasur mundësinë që të ndajmë lajme të mira e të njëpasnjëshme për bashkëqytetarët tanë. Pagat për sektorin publik për mbi 83 mijë zyrtarë publik po i rrisim duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Nga janari gjithashtu fillon ekzekutimi i pensioneve me rritje të kategorive të dala nga lufta, ndërkohë që pensionistët e moshës, përfituesit e skemave pensionale invalidore dhe të aftësive të kufizuara këtë muaj kanë marrë pensione me rritje prej 20%”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka bërë me dije se qysh në javën e parë të qeverisjes se tij koeficienti do të bëhet 150 euro.
“Po e përsëris, që në javën e parë të qeverisjes sime, koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro! Ndryshimi po vjen!”, ka shkruar Abdixhiku.
Më pas, ai ka prezantuar edhe tabelën, e cila tregon se si do të duken pagat në sektorit publik me qeverisjen e tij.
“Me krizën e madhe të inflacionit, me rritjen e paprecedentë të çmimeve, të gjithë shërbyesit publik meritojnë paga të dinjitetshme nga shteti për të cilin punojnë. Këto paga nuk i kanë sot! Këto paga do t’i kenë që nga java e parë e Qeverisë sonë! Ky është dallimi! Ky është ndryshimi!”, ka shkruar Abdixhiku.
Pas LDK-së, ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se koeficienti prej 150 euro do të jetë minimumi.
“Minimumi është 150, por nuk guxojmë me u ndal aty. Ai duhet më qenë veprim fillestar por duhet me shku gradual.”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për RTV Dukagjini.
Kurse, sot Partia Demokratike e Kosovës të mbajë Konventën për Bedri Hamzën Kryeministër. Në këtë konventë, e cila do të fillojë nga ora 17:00, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hama, do ta shpalosë programin e tij për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Gazeta Nacionale nga burimet brenda partisë më të madhe opozitare ka mësuar se në këtë konventë Hamza do të prezantojë propozimin e tij për rritje të pagave për zyrtarët publikë.
Ende nuk dihet se sa do të jetë përqindja e rritjes se pagave që do të propozojë Hamza.
Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka bërë me dije se propozimi i kandidati të PDK-së për kryeministër për rritje të pagave do të jetë shumë më serioz se ai i kryeministrit Albin Kurti.
Në “Emisionin Special” të Klan Kosova, ai ka thënë se propozimi i kryeministrit Albin Kurti është qesharak.
“Për besë propozimet e pagave të zotit Kurti do të duken qesharake, atij ka me i ardhë marre, ndoshta nis dhe t’i ndërroj ato vendime, sepse tonat do të jenë shumë më serioze, punëtorët në Kosovë meritojnë më shumë”, ka thënë Gjoshi.
Propozimi i Hamzës po pritet me interesim nga opinioni për faktin se në kohën kur ai drejtonte dikasterin e financave, në Qeverinë Thaçi, kishte ndodhur ngritja më e madhe e pagave në sektorin publik.