46 bllokada: S’kryen punë as paralajmërimi i Bankës Botërore për “efekte negative në investime”
Në prill të këtij viti, Banka Botërore paralajmëroi për pasoja në nvestime dhe në implementimin e agjendës për reformat strukturore, në rast vonesash në krijimin e legjislaturës së re. Që nga ky sinjal alarmi, dëgjuam për dy muaj radhazi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti teksa shprehej me bindje se "i ka numrat për qeverinë" – një deklaratë që ia ngarkoi edhe më tepër Vetëvendosjes përgjegjësinë institucionale për 46 dështime konsekutive në konstituimin e Kuvendit.
Tendencat e para të një strategjie të orkestruar për të penguar formimin e legjislaturës së re u vunë re që në momentin kur u publikuan rezultatet preliminare të zgjedhjeve, ku koalicioni Vetëvendosje-Guxo-Alternativa nisi të kontestojë praktikisht secilën gjë që lidhej me zgjedhjet, duke nisur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri te Gjykata Supreme.
Veprimet kalkuluese dhe manovrat politike të Lëvizjes Vetëvendosje në atë periudhë na dhanë një projeksion kristal të qartë: vendi mund të mbetej për një kohë të pacaktuar në një ngërç institucional – që buronte nga mllefi i mosmarrjes së rezultatit të dëshiruar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Vetëvendosjen s’e bindi as paralajmërimi i Bankës Botërore se vonesat në formimin e qeverisë së re mund të kenë pasoja për investimet dhe zbatimin e reformave strukturore. Që nga ky raport – i publikuar rreth dy muaj më parë – Kosova gjendet ekzaktësisht në situatën e njëjtë.

Muajve të fundit Kosova vazhdimisht është shoqëruar me lajme negative në treguesit ekonomikë. Në një raport të muajit të kaluar, Banka Botërore uli projeksionet për rritjen ekonomike të Kosovës për vitet 2025 dhe 2026.
Rritja për vitin 2024 parashikohet të jetë 4.4%, ndërsa për vitet 2025, 2026 dhe 2027, pritet të arrijë 3.8% për çdo vit. Krahasuar me parashikimet e bëra në muajin janar, rritja për vitin 2025 ka pësuar një ulje prej 0.1 pikë përqindje, ndërsa për vitin 2026, ajo ka pësuar një ulje prej 0.2 pikë përqindje.
Kosova po përballet edhe me sfidën e rikthimit të inflacionit. Duke hyrë në gjysmën e dytë të vitit 2025, vendi po i rikthehet trajektore eksponenciale që e përjetoi vitet e kaluara, e cila, sipas njohësve të ekonomisë, është e shtyrë jo vetëm nga presionet inflacioniste globale, por edhe nga zhvillimet e brendshme, siç është rritja e tarifave të energjisë elektrike.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Indeksi Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin qershor ka shënuar një rritje prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahasuar me muajin maj 2025, Indeksi ishte më i lartë për 0.7% në mesatare.