400 kilogramë kokainë në Lipjan: E kujt ishte droga? Flet edhe Klodiana Lala
Gazetar: Oqean Dërmaku
Republika e Kosovës, sikurse ajo e Shqipërisë, zakonisht janë përdorur si vende tranziti për dërgesat e mëdha të lëndëve narkotike.
Por, një sasi prej 400 kilogramëve të lëndës narkotike të llojit kokainë, kishte arritur në Kosovë më 15 maj të vitit 2021 dhe gjendej në kontejnerin e mbushur me produkte të mishit që erdhi tek kompania e njohur e mishit në Lipjan, “MC FOOD”.
Ngarkesa ishte nisur nga kompania “Seara” në Brazil, kishte shkuar në Spanjë, Itali, Shqipëri dhe kishte arritur në Kosovë.
Kur kishte arritur në Itali, autoritetet italiane përmes skenerëve kishin vërenjtur diçka të dyshimtë brenda kontejnerit e që dyshohej se ishte kokainë. Italia kishte njoftuar organet e sigurisë së Shqipërisë dhe Kosovës për këtë ngarkesë dhe e njëjta ishte përcjellur deri në destinacionin final.
Më 15 maj të vitit 2021, kjo ngarkesë arriti tek kompania “MC Food” dhe qëndroi në parkingun e kësaj depoje deri më datë 17 maj, kur punonjësit e kompanisë pas vikendit kishin dalë në punë për të shkarkuar ngarkesën, për ta regjistruar atë dhe për ta dërguar në depo.
Por, në momentin që punonjësit ishin afruar tek ngarkesa, aty kishin ndërhyrë Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe shqiptare.
Që nga viti 2021, mbrojtja e të shtatë të akuzuarve në këtë rast, përfshirë edhe pronarin e kompanisë “MC Food”, Izet Sheqiri, po pretendon në gjykatë se nuk janë të përfshirë në transportin ndërkombëtar të kokainës dhe se asnjëherë nuk kanë qenë të përfshirë në raste të tilla kriminale.
Në gjykatë, mbrojtja ka deklaruar disa herë se punonjësit e “MC Food”, janë viktimë e metodës “rip-off” ose që njihet ndryshe si kontaminimi i kontejnerëve.
Por çfarë është kontaminimi i kontejnerëve?
Bëhet fjalë për raste mjaft në njohura ndërkombtarisht, ku grupet e mirë strukturuara kriminale fusin lëndët narkotike në kontejnerët e kompanive që bartin mallra legal dhe i tërheqin ato në pika të caktuara.
Për këtë çështje, për Gazetën Nacionale ka folur edhe gazetarja hulumtuese Klodiana Lala, e cila nuk ka mohuar mundësinë që edhe sasia e madhe e kokainës që u kap në Kosovë, të ishte pronësi e dikujt tjetër.
“E kemi rastin e Arbër Çekajt, i cili u dënua për trafikim të lëndëve të kokainës përmes produkteve të bananes, ndërsa babai i tij ishte krejt e kundërta. Ai ishte liruar nga të gjitha akuzat sepse nuk kishte lidhje me grupet kriminale…”, thotë ndër të tjerash Lala.
Babai i Arbër Çekajt, Selim Çekaj, kishte hapur një kompani bananesh pas arrestimit të birit të tij. Pas një kohe, të njëjtit iu kishin kapur 49 kg kokainë në një ngarkesë bananesh, por i njëjti ishte liruar nga akuzat sepse ishte provuar që nuk kishte asnjë lidhje me grupet kriminale prej ku vinte droga.
Prokuroria në rastin e “MC Food” në Kosovë, ende nuk ka gjetur ndonjë lidhje mes kompanisë kosovare dhe furnizuesve me drogë. Pra, realisht prokuroria ka aktualisht si pika të forta të aktakuzës, kokainën e kapur dhe një dëshmitar bashkëpunues me emrin Kadri Sheqiri. Edhe ky i fundit, së fundmi ka kërkuar nga Gjykata heqjen e statusit të dëshmitarit bashkëpunues dhe tashmë ka statusin e të pandehurit.
Kujtojmë se ky rast ka zgjatur mbi katër vite në Kosovë, teksa dy nga shtatë të akuzuarit po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Për mbrojtjen, mbajtja në paraburgim për një periudhë kaq të gjatë pa vendim përfundimtar të Gjykatës është e pazakontë në Republikën e Kosovës.
Se si do të përfundojë ky rast, a do të arrijë prokuroria të bëjë lidhjet e duhura dhe të dëshmojë lidhjen e kompanisë kosovare me ngarkesën e kokainës, apo ky do të jetë një ndër rastet e tjera ndërkombëtare të kontaminimit të kontejnerëve, kjo mbetet të shihet gjatë seancave gjyqësore në vijim.
Ndiqeni storien e plotë rreth dosjes së 400 kilogramëve të kokainës në Kosovë: