34 vjet LDK: Lidershipi krenohet me të bëmat e partisë, kërkohet fitorja e dekadës së katërt
Lidhja Demokratike e Kosovës është partia më e vjetër në politikën kosovare, kjo parti sot feston 34 vjetorin e saj të themelimit. Në këtë ditë, kanë reaguar shumë personalitet të ndryshme.
Njëri ndër ta edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi, i cili ishte pjesëmarrës në themelimin e LDK-së.
Krasniqi, që ishte emër kryesor në formimin e LDK-së,përmes disa rreshtave ka treguar për këtë ditë, madje ai ka folur edhe për mënyrën si ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte pranuar të ishte kryetar i LDK-së.
“Ai më 23 dhjetor 1989, pesë minuta para se të hapej Kuvendi themelues, nën presionin e të gjithëve që ishim në sallë, kund pesëmbëdhjetë veta, pranoi të ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Propozimin për kandidaturën e tij, për sekretarin dhe kryesinë, ma ngarkuan që t’i bëja unë, në emër të një komisioni kandidues.” – ka shkruar Krasniqi.
“Kështu atë ditë dhjetori 1989, në një kuvend themelues tërësisht të improvizuar, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, në një sallë ku të mirrej fryma, Ibrahim Rugova hyri në dyert e mëdha të politikës, duke u bërë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me çka do të ndryshonte dinamika dhe filozofia politike e këtij vendi. Por, do të ndryshonte, madje shumë, edhe Rugova vetë.” – ka shkruar ai ndër të tjera.
Në 34-vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar edhe ish-kryeministri apo ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa.
Sipas Mustafës, sot Kosova shënon përvjetorin e demokracisë. Në shkrimin e tij, Mustafa ka përmendur Ibrahim Rugovën, ish-kryetar i LDK-së, dhe UÇK-në.
“Urimet partiake u takojnë themeluesëve, si dhe të gjithë veprimtarëve dhe qytetarëve që i besuan LDK-së. Por janë edhe për të gjithë ata që e gëzojnë sot Demokracinë, Lirinë dhe Pavarësinë, të ideuara me programin politik të LDK-së e të fituara së bashku me UÇK-në dhe aleancën perëndimore.” – shkroi ai.
Edhe kryetari i tanishëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi që partia e tij sot ka mbushur 34 vjet që nga themelimi.
Abdixhiku ka thënë se lindja e LDK-së, ishte lindje e aspiratave të artikuluara politike të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi, për demokraci, sipas tij ishte lindje e përpjekjes sonë kolektive për jetë të lirë, të dinjitetshme, të pavarur, në shtetin e Republikës së Kosovës.
Ai tutje ka ftuar secilin anëtar të LDK-së, secilin të djathtë, patritot e rugovist, të angazhohet në rrugëtimin tonë të ri historik.
“Sot, në këtë 34 vjetor, uroj dhe ftoj secilin anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, secilin të djathtë, patritot e rugovist, të angazhohet në rrugëtimin tonë të ri historik; fitoren e madhe të dekadës së katërt, që përmbushë ëndrrën tonë politike të ditëve të para: Kosova një shtet i lirë, i pavarur e sovran, i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – ka shkruar Abdixhiku.