30 ditë paraburgim për ish-ushtarin e UÇK-së që u arrestua në Maqedoninë e Veriut: A ka rrezik të ekstradohet në Serbi?
Gjykata e Maqedonisë së Veriut ia ka caktuar 30 ditë paraburgim ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadanit. Kjo si pasojë e një urdhri nga Serbia, e cila e ka futur në kërkesat e INTERPOL-it pjesëtarin e UÇK-së.
Lajmi për caktimin e paraburgimit u konfirmua nga media të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.
Siç shkruan AlsataM, Ramadani do të dërgohet në burgun hetues të Shutkës.
Me t’iu caktuar paraburgimi, ka reaguar Ministria e Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë. Këta të fundit kanë bërë të ditur se kanë angazhuar ekspertë që Ramadani të lirohet sa më shpejt.
“Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës. Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup eshte angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të z. Ramadani dhe kthimin e tij në familje. MPJD dhe institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tone”, thuhet në komunikatë.
Fletarresti ndërkombëtar i lëshuar nga ana e Serbisë në Interpol, është pranuar nga Gjykata Penale e Maqedonisë së Veriut.
Kërkesa e Beogradit zyrtar është që Ramadani të ekstradohet në Serbi. Këtë kërkesë e përsëriti edhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Megjithatë, nga partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut, po shpresojnë se një gjë e tillë nuk do të ndodh.
Kështu ka deklaruar zv/kryeministri Izet Mexhiti.
“Ka pasur edhe në të kaluarën raste të ngjashme. Po punojmë për ta evituar si problem”, theksoi Mexhiti për AP, derisa tregoi edhe për veprimet që janë duke i bërë për rastin në fjalë dhe jo vetëm.
“Jemi duke punuar edhe për këtë rast, por edhe për rastet tjera”, potencoi zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e RMV-së. Kjo ka ndodhur, siç tregoi Mexhiti, pasi që Serbia, ish-ushtarët e UÇK-së, i paraqet në INTERPOL.
“Pastaj paraqiten në sistem”, pohoi ai, duke shtuar se “duhet që ta gjemë zgjidhjen që të eliminohet si fenomen, jo vetëm për këtë rast”.
Ndërkaq në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është në komunikim me autoritet në RMV për lirimin e Ramadanit.
“Jemi në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe me sektorët përkatës atje në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që mos të ketë nënshtrim ndaj agresivitetin të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletarrestime të tilla për qytetarët tanë”, potencoi Kurti.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se me arrestimet e shpeshta Serbia po e shantazhon Kosovën.
“Me urdhërarrest të Serbisë, autoritetet maqedonase e arrestuan B. Ramadanin, ish – ushtar i UÇK-së dhe sigurisht se do të kërkojnë ekstradimin e tij. Kohëve të fundit Serbia ka arrestuar shqiptarë duke i akuzuar se janë ish – ushtarë të UÇK, i mbanë për një kohë në paraburgim kurse disa prej tyre edhe janë dënuar. Shpeshtimi i rasteve të arrestimit po bëhet si hakmarrje për arrestimin e serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë. Arrestimi i djeshëm i B. Ramadanit në Maqedoni të Veriut nuk ishte rasti i parë dhe, deri më tani asnjë shqiptar i arrestuar nuk është ekstraduar në Serbi sikur që as z. Ramadani nuk do te ekstradohet. Më herët kishin qarkulluar në opinion disa lista me ish – ushtarë të UÇK -së por se tani thuaja askush që ka qenë në luftë apo që e ka përkrahur luftën nuk ka siguri nëse udhëton nëpër Serbi prandaj KMDLNj-ë publikisht ka kërkuar t’i shmangin ato rrugë. Tash po del se ato lista janë përcjellur në Interpol andaj edhe po arrestohen siç ishte rasti i B. Ramadanit. Më parë në bazë të fletëarresteve nga Serbia ishin ndaluar – arrestuar kryeministrat Haradinaj dhe Çeku, deputetë të Kuvendit të Kosovës, aktivistë sindikalë, politikë etj. KMDLNj shpreson se z. Ramadani do të lirohet shpejtë por se kjo nuk është zgjidhje deri sa janë ato lista që kërcënojnë çdo ish – ushtar të UÇK – së apo person që Serbia kërkon arrestimin e tij. Kosova, në pamundësi të jetë pjesë e Interpolit, e ka të vështirë që të sigurojë informata prandaj, në vend të veprimeve parandaluese, kryesisht po merret me pasoja. Këto janë vendime arbitrare, me prapavijë dhe qëllime politike me sunim që të bëhet trysni te pala kosovare për lirimin e serbëve të arrestuar!”
KMDLNj ka shtuar se “shteti i Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve”.
Gazetari i Nacionales, Mirlind Behluli, ka qëndruar në Nerodime të Ferizajt, ku familja Ramadani jeton. Ndonëse familja nuk pranoi të fliste para kamerës, ata treguar se Ramadani po udhëtonte bashkë me bashkëshorten në Maqedoni të Veriut, pasi bashkëshortja e tij studion në shtetin maqedon.
Nga dega në Ferizaj e OVL-së së UÇK-së janë shprehur të shqetësuar me këtë rast, ndërsa presin që Ramadani të lirohet dhe të mosekstradohet në Serbi.