25 vite Doganë: Kurti thotë se dogana ka shënuar rekord, e përmend edhe aksionin e Thaçit për pikat në Jarinje dhe Bërnjak
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur krenar me punën Doganës së Kosovës.
Në 25 vjetorin e themelimit të këtij institucioni, Kurti ka thënë se Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë të këtij viti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se kjo i bije 113 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin paraprak.
“Në muajin gusht, Dogana e Kosovës mbushë plot 25 vite që nga themelimi. Institucion ky që ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një nga komponentët e zhvillimit të vendit, mbrojtës i sigurisë së tij e katalizator i krijimit e forcimit tonë si shtet. Gushti i këtij viti përveç që shënon një periudhë 25 vjeçare të pazëvendësueshme për realitetin që gëzojmë sot, vë në pah një rekord historik të kësaj agjencie. Për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë, apo 113 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin paraprak. E kjo është bërë e mundur falë luftës ndaj korrupsionit, thjeshtëzimit të procedurave doganore, e angazhimit të palodhur të punonjësve të kësaj Agjencie, gjithmonë në bashkëpunim me akterët e shtetit, e me partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti.
Me tej, ai ka përmendur edhe aksionin e korrikut të vitit 2011 për vendosjen e doganës në Jarinje dhe Bërnaja, aksion ky që ishte urdhëruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.
“Sot, sado që kjo arritje historike tingëllon e këndshme e na bën krenarë të gjithëve, rruga që na ka sjellë tek këto rekorde nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sfida. Dogana e Kosovës u themelua në vitin 1999. Afër nëntë vjet më vonë, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bërnjak, në veri të Republikës së Kosovës, u dogjën e shkatërruan nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia. Rimarrja e kontrollit të këtyre pikave dhe vendosja e ligjit në veri të Kosovës kanë qenë pikë kthese kritike. E për këtë, është e drejtë dhe e nevojshme që ta nderojmë e përkujtojmë heroin tonë kombëtar, Enver Zymerin, i cili ra dëshmor gjatë aksionit policor në veri më 26 korrik të vitit 2011. Situata sot në veri është ndryshe nga ajo e një dekade para. Në sajë të përpjekjeve të përbashkëta, veriu i Kosovës tashmë është shembull i mirë i operacioneve dhe përpjekjeve për luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, ku nga viti 2021 janë ndërmarrë rreth 163 operacione me këtë qëllim”, ka shkruar Kurti.