"24 shtatori rriti tensionet", komandanti i KFOR-it flet për paralajmërimet e inteligjencës amerikane për "përplasje të reja ndëretnike" - NACIONALE

"24 shtatori rriti tensionet", komandanti i KFOR-it flet për paralajmërimet e inteligjencës amerikane për "përplasje të reja ndëretnike"

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, në një intervistë për Zërin e Amerikës, e ka vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë si të qetë, por ende të brishtë. Ndër të tjera, Ulutas vuri në dukje fokusin e NATO-s për të rishikuar praninë e tyre në Kosovë, duke theksuar nevojën për ndryshime sipas nevojës dhe situatës aktuale të sigurisë. Sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe atë të 29 majit mbi trupat e KFOR-it, Ulutas i cilësoi si "të paprovokuara dhe të papranueshme".

Në lidhje me mundësinë e përshkallëzimt të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbise, komandanti i KFOR-it, duke iu referuar deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, tha se “qëndrueshmëria në rajon varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Ulutas tha se KFOR do të vazhdojë përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin duke përshtatur praninë sipas nevojës.

"Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t'i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit - EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt", tha komandanti Ulutas.

Komandanti Ulutas e karakterizoi sulmin e 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmin e 24 shtatorit në veri si akte të papranueshme të paprovokuar, duke bërë thirrje që autorët të mbahen përgjegjës.

"Para së gjithash, sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës kundër Policisë së Kosovës ishin të paprovokuara dhe të papranueshme. Autorët e një dhune të tillë duhet të mbahen përgjegjës. Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Të gjitha këto qëndrime u shprehën shumë qartë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë udhëtimit të tij në rajon nëntorin e kaluar", tha ai.

I pyetur rreth paralajmërimeve të ineligjencës amerikane për përshkallzim të tensioneve ndëretnike në Ballaknin Perëndimor, Ulutas theksoi se pikërpisht për shkak të fragjilitetin të situatës, misioni paqërujatës ka shtuar aktivitetet, veçanërisht në veri të Kosovës.

"Pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës, tensionet janë shtuar në rajon dhe për pasojë NATO-ja ka vendosur forca rezervë me kapacitete shtesë. Tani jemi duke zhvilluar më shumë aktivitete, veçanërisht në veri të Kosovës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme", tha ai.

Lajme të ngjashme