“17 minuta” qysh e ndryshoi RTK-ja autorsinë e lajmit skandaloz, sipas raportit të Komisionit
Në raportin e Komisionit të RTK-së, konfirmohet se lajmi i parë i publikuar në portalin e RTK-së është ndryshuar. Pra, artikulli në fillim kishte emrat e Nacionales dhe Periskopit, e më pas emrat janë larguar.
"Versioni i artikullit i datës 22.07.2024, ora 15:00, përmban artikullin në fjalë të papublikuar (unpublished), i cili përmban tekstin në fjalë ku përmenden dy portale. Mirëpo, data dhe ora e publikimit të artikullit është 22.07.2024 - ora 14:43, që në gjykimin tonë, duke u bazuar në këto të dhëna i bie që artikulli është bërë unpublish ndërmjet orës 14:43 15:00." (Nga raporti i TI-së, datë 29.07.2024)”, thuhet në raport.
Madje, fillimisht artikulli ishte publikuar, kishte qëndruar publik për 17 minuta, dhe më pas ishte larguar. Artikulli fillestar pra, akuzonte Nacionalen e Periskopin se financohen nga Serbia, duke cituar një lajm nga një portal fantom boshnjak.
“Bazuar në këtë raport të dërguar nga TI-ja, si dhe në bisedën që anëtarët e komisionit kanë pasur me udhëheqësin e TI-së në RTK, më 31.07.2024, në orën 11:00, është konstatuar se artikulli ka qenë publik nga një periudhë kohore prej 17 minutash (14:43 - 15:00), por nuk është arritur të konfirmohet saktësisht se gjatë kësaj periudhe prej 17 minutash, për sa kohë ka qenë i publikuar artikulli me emrat e portaleve, (20 sekonda, një minutë, apo 17 minuta)? Po ashtu, nuk është arritur që të konstatohet se nga kush është publikuar artikulli, meqë në sistem për publikim në ueb, sipas TI-së dhe redaktorëve të uebit, kanë qasje mbi 15 veta”, thuhet në raportin e Komisionit në përbërje nga: Mendu Hysa, Gjylie Rexha dhe Pajazit Krasniqi.
Komisioni gjithashtu ka konstatuar se “Screenshots” të nxjerra nga Salih Zyba në rrjete sociale, ku dëshmohet se janë përmendur emrat, kanë qenë faktike.
“Një hulumtim i detajuar i TI-së është bërë edhe për vërtetësinë autentike të "Screenshots" të cilat janë shpërndarë në rrjetin social "Facebook". Raporti i TI-së konstaton se përmes veglave softuerike- forenzike të imazheve, është vërtetuar se screenshot-ët e publikuar në rrjetet sociale, janë autentike të faqes ëëë.rtklive.com dhe janë bërë në pajisje mobile (smartphone). Për këtë qëllim ekipi i TI-së ka përdorur vegla softuerike që analizojnë imazhet deri në nivel të pixel-eve për saktësi të ngjyrave dhe pozicioneve të logove dhe grafikave të ëëë.rtklive.com”, thuhet në raportin e siguruar nga Nacionale.
Ndryshimi konfirmohet edhe me emrin e autorit. Fillimisht, raporti ka konstatuar se lajmi ishte publikuar me emër të RTKLive, e më pas me inicialet e një gazetari.