13 ditë afat për presidentin: Kurti nxiton të 'blindojë' institucionet - NACIONALE

13 ditë afat për presidentin: Kurti nxiton të 'blindojë' institucionet

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Me afatin për zgjedhjen e presidentit të ri që po i afrohet fundit, kryeministri Albin Kurti po vepron me ngutje jo të zakonshme. Nxitimi nuk duket të jetë i orientuar kah ndërtimi i një konsensusi politik me opozitën për t'i dhënë zgjidhje emrit në krye të këtij institucioni, por në forcimin e kontrollit mbi institucionet më me peshë të shtetit. Fokusi më i fundit ishte ai në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, me riemërimin e Petrit Ajetit edhe për një mandat pesëvjeçar në krye të kësaj agjencie.

Riemërimi i Ajetit vjen megjithatë në një kohë kur, gjatë udhëheqjes së tij, AKI u tërhoq në rastin e skandalit të lajmit të rremë ndaj Nacionales dhe Periskopit, me institucionin e inteligjencës që u përmend si burim ose si instrument verifikimi në një operacion të tillë propagandistik, nga Rilind Gërvalla. Për kreun e PSD-së, Dardan Molliqaj, Ajeti gjatë pesë viteve të kaluara i ka shërbyer Kurtit për pushtetin personal, jo shtetit të Kosovës - duke përmendur rastet e lajmeve të fabrikuara dhe një sërë skandalesh tjera.

“Kryeministri, nga objekti i qeverisë, erdhi te objekti i Presidencës. E takoi Albulena Haxhiun si ushtruese të detyrës dhe bashkë firmosën mandatin pesëvjeçar të udhëheqësit të Shërbimit Informativ të Kosovës. Ky udhëheqës, i cili ka qenë edhe pesë vitet e kaluara, i cili i ka shërbyer kryeministrit Kurti për pushtetin e jo për shtetin e Kosovës – siç e dini, rastet e fake neës-ave për sulm të kryeministrit në Maqedoni, për media të cilat paguhen nga Serbia në rastin e RTK-së, që e nxori lajmin e vërtetuar fake neës dhe të ngjashme të tjera”, tha ai.

Vazhdimin e mandatit të Ajetit edhe për pesë vjet të tjera, politologu Agon Maliqi e sheh si pjesë të një plani shumë më të gjerë e më të kalkuluar.

Sipas tij, "Kurti i ka prioritetet shumë të qarta.”

"I gjithë muaji të cilin e ka në dispozicion për t'u zgjedhur presidenti, duke e pasur edhe U.D. president nga VV, po kalohet duke e pasur si prioritet sigurimin e kontrollit mbi institucionet e pavarura që janë kyçe për demokracinë.” – shtoi ai.

Maliqi kujtoi emrat e institucionet që po kalojnë nëpër procese të përzgjedhjes së drejtuesve pikërisht në këtë periudhë: Gjykata Kushtetuese, Bordi i RTK-së, Komisioni i Pavarur i Mediave, AKI-ja. Sipas tij, nuk është rastësi që një shumicë parlamentare "e karakterizuar nga dembelia për punë serioze" papritmas ka gjetur energjinë për të vepru me shpejtësi pikërisht në emërimet që garantojnë kontroll institucional.

"Për shkak se shumica e tashme parlamentare dhe qeverisja me president U.D. ia jep këtë mundësi, Kurti qartazi nuk ka pasur interesim për konsensus me opozitën për presidentin," shkroi Maliqi.

Arsyeja, sipas tij, është e thjeshtë: me këto institucione nën kontroll, edhe zgjedhja e presidentit edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare bëhen "më pak problematike" për pushtetin aktual.

“Me këto institucione së shpejti nën kontroll, edhe Presidenti, edhe zgjedhjet e reja bëhen më pak problematike. E din baba çka po lypë "populli" e po ua jep. Skenar i parë dhe përjetuar në të gjithë Ballkanin dhe që përfundon dikur me fatin e Orbanit.”

Lajme të ngjashme