10 herë kur Kurti 'rrahu gjoks' me raportin e Reporterëve pa Kufij
Gjetjet e raportit të fundit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit sa i përket lirisë së mediave kanë alarmuar opinionin publik. Derisa Qeveria në largim, e drejtuar nga Albin Kurti po e kritikon të njëjtin, ky i fundit, gjatë mandatit të fundit thuajse në secilën paraqitje “rrihte gjoks” duke u lavdëruar me të dhënat e atëhershme.
Deri para ditës së sotme, kryeministri në largim e ka përmendur të paktën 10 herë renditjen në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.
Më poshtë, Nacionale iu sjellë një përmbledhje të deklaratave të Kurtit mbi këtë çështje.
1.Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje
Në një mbledhje në majin e vitit 2022 të Këshillit të Përgjithshëm të partisë që ai e drejton, Kurti deklaronte mes tjerash:
“Sa i përket korrupsionit kemi lëvizur 17 vende më lart për të mirë sipas Transparency International, dhe po ashtu 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas reporterëve pa kufij”.
Kurti ishte lavdëruar me këtë raport edhe në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Ne u përmirësuam me 22 vende në vetëm dy vjet në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij”.
3. Për dy vjet e gjysmë qeverisje
Dy vjet e gjysmë qeverisje, Kurti i kishte shënuar po ashtu duke e përmendur edhe këtë raport. Madje, ia kishte rregulluar edhe një fotografi.
“Për 22 vende më lart jemi renditur në Indeksin e Lirisë së Medieve, sipas Reporterëve pa Kufij” – shkruante ai.
Kreut të VV-së i ishte kujtuar renditja në Reporterët pa Kufij edhe kur lavdërohej për heqjen e vizave.
“Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas World Justice Project; përmirësimi për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International; përmirësimi për 17 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave…” – thoshte ai.
Me renditjen në Indeksin e Lirisë së Mediave, Kurti lavdërohej kur tregonte se çka ka bërë për tri vite në pushtet.
“Jemi ngritur për 21 vende më lartë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe për 22 vende në Indeksin e Lirisë së Medieve të Reporterëve pa Kufij”.
6. Kur iu adresua komunitetit serb
Edhe pas tensioneve të mëdha në veri të vendit, e vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, Kurti fliste për këtë raport.
7. Sërish në një mbledhje të VV-së
“Në Kosovë ka liri të mediave. Në fakt, siç e theksova më parë në tri vite qeverisje jemi ngritur për 22 vende tek reporterët pa kufij, kurse tek Pulsi Publik i UNDP besimi që mediat gëzojnë lirinë e shprehjes është rritur në 61,8% në nëntor të vitit 2023 nga 46,7% sa ishte në nëntorin e vitit 2019, pra një rritje prej 15,1% përgjatë katër viteve të fundit, ku më shumë se tri janë të qeverisjes sonë”
8. Edhe në një tjetër mbledhje të VV-së
“Progresi ynë në fushën e drejtësisë është konfirmuar edhe nga vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë. Gjatë mandatit tonë, jemi përmirësuar për 20 vende në Indeksin e Luftimit të Korrupsionit të Transparency International dhe 22 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave të Reporters Without Borders”.
9. Gjatë fjalimit në kongresin e Internacionales Socialiste
Deri në Spanjë, ishte dëgjuar për renditjen e Kosovës në këtë raport gjatë vitit 2022. Për këtë, ishte kujdesur kryeministri Albin Kurti.
“Ne e përmirësuam renditjen tonë me 17 vende, si në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (nga Reporters Without Borders) ashtu edhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International”.
10. Në një intervistë për France24
Siç mund të ndiqni në videon më poshtë, me këtë renditje, Kurti krenohej edhe në një intervistë të tij të dhënë për France 24.