Çmimet tavan ‘Nobel’ i Muratit: Pushteti çahet për çmimin e bukës se është 'faji i opozitës' - NACIONALE

Çmimet tavan ‘Nobel’ i Muratit: Pushteti çahet për çmimin e bukës se është 'faji i opozitës'

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Po të zgjidhej inflacioni me çmimet tavan, moti nuk do të ekzistonte problem në ekonomi.”

Kështu iu përgjigj anëtari i Lidhjes Demokratike, Berat Rukiqi, ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili po vazhdon ta vuajë parandalimin e një ligji nga opozita, që rezultoi në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë, pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Murati pretendoi dje nëpërmjet një postimi në Facebook se arsyeja pse qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shumë për bukën është mungesa e çmimit tavan.

“Çmimi i grurit e vajit ushqimor, në bursa ndërkombëtare ka rënë aty ku ishte para pandemisë. E njëjta situatë është edhe me çmimet që shohim të deklaruara në Doganë. Mirëpo qytetarët vazhdojnë të paguajnë bukën më shtrenjtë, sepse opozita e bllokoi Ligjin për Çmime Tavan në Gjykatë Kushtetuese.” – tha ai.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e përkujtoi me vuajtje dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht shpalljes së tij antikushtetues.

“2 vjet prej kur Ligji për Çmimet Tavan u dërgua në Gjykatën Kushtetuese. Sikur të mos dërgohej ky ligj nga opozita e bllokohej nga Gjykatata Kushtetuese, sot qyetarët do të paguanin shumë më lirë për produket esenciale.” – thuhet ndër të tjera në postimin e LVV-së në Facebook.

Opozita e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se një ligj i tillë bie ndesh me ekonominë e tregut të lirë dhe mund të dëmtojë bizneset.

Ekonomisti i LDK-së, Berat Rukiqi, tha për Nacionalen se zbatimi i ligjit tavan të çmimeve do të ishte fatal për mikrondërmarrjet e vogla familjare. Madje, sipas tij, kjo mund të shkaktojë edhe mbylljen e shumë prej tyre.

Njohësi i ekonomisë argumentoi më tej se detyrë e Qeverisë mbetet ndikimi në fuqinë blerëse të qytetarëve përmes një sërë politikash si ulja e taksave apo lehtësimi i qasjes në shëndetësi dhe edukim.

“Detyrë e Qeverisë është të ndikojë në fuqinë blerëse të qytetarëve: 1. Më pak taksa; 2. Më shumë investime në ekonomi; 3. Paga më të larta; 4. Lehtësim të qasjes në shëndetësi, edukimin parashkollor dhe edukimin në përgjithësi.” – tha Rukiqi.

Ai akuzoi qeverinë aktuale se ka dështuar në katër pikat e mësipërme.

“1. Investimet në ekonomi: në nivelin më të ulët historik; 2. Nuk është ulur TVSh-ja për produktet bazike; 3. Nuk është lehtësuar barra e prindërve, sidomos me mungesë investimi në çerdhe; 4. Nuk janë rritur paga” – shtoi Rukiqi.

Në fund, Rukiqi shtoi me ironi se, me këmbënguljen për zbatimin e këtij ligji, ministri Murati “ndoshta synon të fitojë çmimin Nobel për Ekonomi.”

Lajme të ngjashme