Liberalizimi i vizave afër, a do të derdhet përsëri shampanjë në Qeveri? - NACIONALE

Liberalizimi i vizave afër, a do të derdhet përsëri shampanjë në Qeveri?

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Pufffffff”, është tingëllima e tapës së shishes së shampanjës që u dëgjua vite më parë në Ministrinë e Integrimit Evropian, që atëbotë udhëhiqej nga Bekim Çollaku. Saktësisht 6 vite kanë kaluar që atëherë, e vizat ende s’janë liberalizuar. Por, sot Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka çuar shpresat e kosovarëve… në qiellin e shtatë.

Pak më e përmbajtur është parë Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Megjithatë secilën herë kur flitet për liberalizimin e vizave, në mbamendjen e kosovarëve kjo temë asocohet me gëzimet e papërmbajtshme të ish-ministrit Çollaku me kabinet e tij.

Urime e përgëzime, krahas ‘lagies’ së gotave nga shampanja, është fotografia që secili qytetar e ka në kujtesën e tij.

Por, duket se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë kohës së qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.

Derdhja e serishme

Pas një deklarate të Lajçakut, natyrshëm janë rritur aptetitet e kosovarëve që presin që më shumë se një dekadë liberalizimin e vizave.

E për rrjedhojë, duket se koha për t’u derdhur përsëri një shampanjë e re, nga pushtetarët e ri.

Lajçak sot deklaroi se liberalizimi është afër, ndonëse hezitoi të jap një datë të saktë.

Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, ka thënë Lajçak.

E në rast se ndodh liberalizimi i viziave, janë disa kandidatë që mund të derdhin shampanjën.

Natyrisht, kryekandidati është Albin Kurti, timonieri i madh i Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, duket pak e besueshme që Kurti të jetë personi që hap tapën e shishës së shampanjës.

Ngase i pari i qeverisë rrallë shihet në publik duke pirë alkool, një gjë e llogaritur mirë nga Kurti, që tenton të mirëmbajë votuesit e tij religjioz, një bazen i madh elektoral.

Dyshi i Qeverisë, profesori i AUK-ut, Besnik Bislimi, në analizën e Nacionales, është personi në pozitën më të mirë si ‘hapës’ i tapës. Dora e tij mund të jetë zëvendësimi i dorës së Çollakut.

Por, aty diku për nga gjasat, është edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndonëse nuk është favorite në krahasim me Bislimin.

Natyrisht, një zgjidhje e ndërmjetme mund të arrihet, që të mos hidhërohet Gërvalla nga ‘fitorja’ e Bislimit.

Dy shisha të shampanjës mund të derdhen. Tek e fundit, një herë në jetë liberalizohen vizat.

Presidentja Osmani e përmbajtur

Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

Ndonëse jashtë vendit, presidentja Vjosa Osmani është deklaruar për temën që rikthehet vazhdimisht në diskutim.

Në një intervistë për Dukagjinin, shefja e shtetit nga Ohëri i Maqedonisë së Veriut, është parë e rezervuar, duke thënë se çështja e liberalizimit të vizave është në duart e vendeve individuale të BE-së.

Madje, si rrallëherë, presidentja u ka dhënë kredi edhe qeverive të kaluara, të cilat i kritikonte ashpër, duke thënë se të gjitha kriteret e liberalizimit janë plotësuar vite më parë.

Është shumë vështirë, përderisa kjo çështje është tërësisht në vullnetin individual të shteteve anëtarë veç e veç, që përgjigjen përfundimtare për këtë ta jep Kosova. Sepse ka shumë aspekte që merren parasysh në marrjen e një vendimi të tillë, sa i përket liberalizimit. Por, asnjëra në fakt nuk kanë të bëjnë me kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova, sepse ato janë plotësuar shumë vite më parë, e janë rikonfirmuar që një kohë të gjatë”, tha Osmani për Dukagjinin.

Lajme të ngjashme