Gërvalla nga Strasburgu shfaqet e bindur: Kosova do të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

E përditësuar - 12:10

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, sot në Strasburg të Francës.

Gërvalla njoftoi se nga sot fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës nga ana e Këshillit, derisa tha se është optimiste që Kosova do të jetë anëtare e kësaj organizate të të drejtave të njeriut.

Fjalimi i Gërvallës:

Sapo dolëm nga takimi me zv/sekretarin e Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill, sot fillon proceudra e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian në rajon, dhe më optimist në rajon. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Dhe kjo proecurë do të përfundojë me anëtarësim në KE dhe me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje në instanca evropiane

Zyrtare: Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, edhe zyrtarisht e ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lajmin e ka bërë të ditur në Twitter, shefi i kabinetit të Gërvallës, Sharr Jakupi.

“Mund të konfirmoj: Kosova ka aplikuar për t"u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka shkruar Jakupi.

Kosova nis procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Republika e Kosovës ka bërë hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë.

Vendimi i miratuar obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë, Kosova ka gjasa reale të anëtarësohet.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë, që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. “Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Për këtë proces sot ka folur edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, duke thënë se për këtë anëtarësim është bërë një punë e madhe nga të gjitha institucionet.
“Kemi edhe një delegacion që është atje, i cili është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit, i cili merr pjesë vazhdimisht në asamblenë e KE-së. Është bërë punë e madhe që së paku një vit, por puna ka qenë edhe e mëhershme. Edhe vetë kur kam qenë në opozitë kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në EVROPË. Kemi punuar të gjithë së bashku, pavarësisht partive politike. Ky është sukses i Kosovës jo i ndonjë partie në mënyrë të veçantë”, ka deklaruar Konjufa, pasi ka bërë homazhe pranë varrit të heroit Agron Rrahmani.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës ndaj Ukrainës.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Lituania e përkrah anëtarësimin e Kosovës në KE

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Lituania e përkrah anëtarësimin e Kosovës në KE.

Në një konferencë për media, ajo ka falënderuar presidentin e këtij shteti për mbështetjen. “Mendoj se ju pajtoheni se këto vlera janë të kërcënuara nga Rusia jo vetëm në Ukrainë por edhe më gjerë. Udhëkryqi ku gjendemi do ta definojë Evropën për vitet e ardhshme. Zotëri President, sot gjatë takimit kemi diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe NATO-s e BE-së dhe ju falënderoj për përkrahjen që na keni dhënë, si dhe për shtetndërtimin e Kosovës, ne jemi falënderues”, ka thënë Osmani.

Serbia e shqetësuar

Fillimin e procedurave për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës e ka pritur me shqetësim Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se me këtë veprim Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.

“Është e qartë se disa njerëz po punojnë për ta destabilizuar të gjithë rajonin dhe Serbinë”, ka deklaruar presidenti serb para darkës joformale të organizuar nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën.

Këshilli i Evropës, i cili është themeluar në vitit 1949, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Lajme të ngjashme