Hallakama e Musliut për femicidin: A vritet gratë në Kosovë veç pse janë gra?
Në seancën e djeshme parlamentare, u zhvillua një debat mjaft i fortë. Kjo ndodhi kur deputetja e VV-së, Arjeta Fejza u shpreh se në Kosovë ka femicid, e që më pas, ajo u mbështet edhe nga ministrja Albulena Haxhiu. Por, këto qëndrime i kundështoi deputetja e PDK-së Ganimete Musliu.
“Tendenca për ta shpallur shoqërinë kosovare “femicide” është e rrezikshme.” - tha Musliu mes tjerash.
“Po, në Kosovë ka femicid. Mendësia jote shpërfaq mendësinë e qeverisjes së PDK-së. Asnjë veprim s’e keni ndërmarrë për dhunën ndaj grave,” tha dje ministrja Haxhiu.
Deklaratën e deputetes së PDK-së, e dënoi edhe organizata QIKA. "Në Kosovë nuk ka femicid" e cilësojnë të pasaktë dhe që dërgon mesazh të gabuar te gratë e vajzat.
“Deklarata e deputetes Ganimete Musliu se “në Kosovë nuk ka femicid”, përveç se e pasaktë, dërgon edhe mesazh të gabuar tek të gjitha gratë e vajzat. Mohimi i femicidit dhe dhunës me bazë gjinore, përkrahë kulturën e mosndëshkimit, arsyeton vrasjen e grave dhe përjetëson ciklin e dhunës. Deklarata të tilla janë të papranueshme veçanërisht kur ato vijnë nga persona publik që bartin përgjegjësinë e adresimit të çështjeve të tilla, kaq jetike për qytetarët e Kosovës”.
A vriten gratë në Kosovë veç pse janë gra? - Dëgjone podcastin e radhës me gazetaret Leonora Kolukaj dhe Anita Nikaj:
Deputetja Musliu për bindjen e saj se në vendin tonë nuk ka femicid, shkroi edhe në facebook. Me ç'rast, shumica e komentuesëve e mbështetën deklaratën e saj.