Zgjedhja e Presidentit dhe Interpretimi i Gabuar i Gjykatës Kushtetuese - NACIONALE

Zgjedhja e Presidentit dhe Interpretimi i Gabuar i Gjykatës Kushtetuese

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Robert Muharremi

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës mund të çojë prapë në bllokadë politike edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, nëse nuk arrihet marrëveshje mes partive politike dhe të sigurohet prania e 80 deputetëve në Kuvend. Kuvendi do të duhet të shpërbëhet nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës. Dhe pastaj prapë zgjedhje. Kjo nuk ka nevojë të ndodhë, sepse ngërrçi rreth zgjedhjes së Presidentit është pasojë e një interpretimi të gabuar të Gjykatës Kushtetuese dhe mund të korrigjohet.

Origjina e problemit është interpretimi të cilin Gjykata Kushtetuese e ka dhënë me rastin e kundërshtimit të zgjedhjës së Behxhet Pacollit si President i Kosovës. Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës me datë 22.02.2011, nuk morën pjesë partite opozitare (LDK, AAK dhe Vetëvendosja). Si pasojë, të pranishëm ishin vetëm 67 deputetë. Në raundin e tretë, Pacolli mori 62 vota dhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, konkludoi se Behgjet Pacolli u zgjodh President i Kosovës.

Në aktgjykimin e saj të datës 30.03.2011 (KO29/11), Gjykata Kushtetuese erdhi në përfundim që

“lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjën e Presidentit të Republikës së Kosovës, neni 86.4 i Kushtetutës siguron se Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë, minus ata deputetë të ciIët kanë marre leje nga Kryetari i Kuvendit, dhe kandidati i cili merr 80 ose më shumë vota nga votat e të gjithë deputetëve (në raundin e parë dhe të dytë) do të zgjidhet. Vetem nëse nuk arrihen dy të tretat e shumicës, mbahet raundi i tretë”.

Gjykata Kushtetuese konkludoi, që pasi në sallë ishin vetëm 67 deputetë, u cenua neni 86 i Kushtetutës, dhe shpalli kundërkushtetues vendimin për zgjedhjen e Bexhet Pacollit si President i Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e vazhdoi këtë interpretim në vitin 2016 kur u kontestua zgjedhja e Hashim Thaçit për President të Kosovës (Aktvendimi KO47/16 i datës 04.04.2016). Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ishte më e elaboruar në interpretimin e saj. Ajo e dha interpretimin vijues, i cili ishte vazhdimësi e interpretimit në rastin e Behxhet Pacollit:

“Gjykata thekson që për të qenë e vlefshme procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, ne raundin e parë dhe të dytë të votimit, te paktën 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishem dhe të votojnë, ndërsa në raundin e tretë, të paktën shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë

Në mënyrë që raundi i parë i votimit të jetë i vlefshëm, të paktën 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishem dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i parë do të jetë i pavlefshëm. Rrjedhimisht, nuk mund të mbahet raundi i dytë. Në mënyrë që raundi i dytë i votimit të jetë i vlefshëm, numri i njëjtë, pra të pakten 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i dytë i votimit do të jetë i pavlefshëm. Vetëm atëherë kur raundi i parë dhe raundi i dytë i votimit janë të vlefshëm, mbahet raundi i tretë. Për të qenë i vlefshem, raundi i tretë kërkon të paktën praninë dhe votimin e shumicës të të gjithë deputetëve të Kuvendit.”

Gjykata Kushtetuese e ka gabuar interpretimin e Kushtetutës sepse e ngatërron numrin e deputetëve që kërkohet për kuorum me numrin e deputetëve që kërkohet për të marrë një vendim. Këto janë dy koncepte juridike plotësisht të ndryshme dhe dallimi mes tyre është elementar. Kuvendi duhet të ketë një numër të caktuar të deputetëve të pranishëm në sallë që të mund të merr vendime. Kjo quhet kuorum. Kur Kuvendi ka kuorum, atëherë ai mund të merr vendime të plotfuqishme. Kushtetuta e Kosovës përcakton në nenin 69.3 që Kuvendi ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve të Kuvendit, dmth. 61 deputetë. Me fjalë të tjera, kur në sallë janë 61 deputetë, Kuvendi mund të merr vendime të plotfuqishme. Kushtetuta nuk ka asnjë nen ku e ndryshon këtë kuorum apo kërkon kuorum më të madh.

Diçka krejt tjetër është pyetja se sa vota nevojiten për një vendim të caktuar. Aty Kushtetuta ka rregulla të ndryshme. Diku kërkon shumicën e të gjithë deputetëve (61 vota), diku shumicën e deputetëve të pranishem, diku shumicën prej dy të 2/3 të gjithë deputetëve (80 vota). Por kjo nuk ka të bëjë asgjë me kuorumin. Nëse Kuvendi ka kuorum, votimi është i plotfuqishëm. A arrihet shumica e nevojshme për këtë vendim përcaktohet nga rregulli që specifikon se cila shumicë nevojitet.

Neni 86.4 i Kushtetutës përcakton që zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Ky rregull nuk ka të bëjë me kuorum, por me shumicën që kërkohet që një kandidat të zgjedhet President. Nëse në sallë janë 61 deputetë, atëherë sipas nenit 69.3 të Kushtetutës Kuvenda ka kuorum dhe mund të merr vendime të plotfuqishme dhe votimi është i vlefshëm. Nëse kandidati nuk arrin t’i marrë 81 vota sepse nuk ka aq deputetë në sallë, atëherë thjesht nuk e ka marrë numrin e nevojshëm të votave, por votimi është i vlefshëm.

Neni 86.5 i Kushtetutës pastaj përcakton që nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej 2/3 në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës. Edhe ky nen nuk ka të bëjë asgjë me kuorim por me shumicën që kërkohet të t’u votuar. Kuorumi prapë nuk ndryshon, mbetet 61 deputetë; por ndryshon shumica e nevojshme që një kandidat të zgjedhet President prej 80 vota në raundin e dytë në 61 vota në raundin e tretë. Pra, secili raund ku janë të pranishëm 61 deputetë është i vlefshëm, sepse Kuvendi ka kuorum, ndërsa ndryshon vetëm shumica që kërkohet që kandidati të votohet.

Gabimi i Gjykatës Kushtetuese shihet shumë qartë në vendimin e saj të vitit 2016. Gjykata Kushtetuese shkruan që

“kuorumi i referohet numrit minimal të deputetëve që duhet të jenë të pranishëm për marrjen e një vendimi në mënyrë të vlefshme. Neni 69, paragrafi 3, i Kushtetutes parashikon qe Kuvendi i Kosoves ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma (1/2) e të gjithë deputetëve të Kuvendit.”

Deri këtu Gjykata Kushtetuese është e saktë, por tani vjen gabimi logjik:

“Kjo dispozitë vlen përveç nëse Kushtetuta në menyre specifike kërkon një shumicë me të madhe për marrjen e një vendimi. Aty ku Kushtetuta në mënyrë specifike përcakton që nevojitet një numër më i madh i deputetëve për marrjen e një vendimi, atëherë shumica e kërkuar e përcakton kuorumin e nevojshem.”

Shumica për marrjen e një vendimi nuk e përcakton kuorumin e nevojshëm; këtu Gjykata Kushtetuese gabon.

Në rastin e Bexhet Pacollit në vitin 2011, dy gjykatësit ndërkombëtare të Gjykatës Kushtetuese, Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues, e kundërshtuan interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Ata shprehimisht theksuan se kuorumi dallon nga votimi dhe theksuan se kuorumi i nevojshëm është 61 deputetë për cilindo vendim, përfshirë zgjedhjen e Presidentit. Ata potencuan absurditetin e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese duke vënë në pah që me këtë interpretim një pakicë e deputetëve mund të bllokojë Kuvendin thjesht duke mos qenë prezent në sallë dhe kështu të pengojnë realizimin e vullnetit demokratik të shumicës në Kuvend. Dhe saktë kjo po ndodhj vitë më vonë me pasoja të rënda politike për Kosovën dhe stabilitetin e saj politik.

Gjykata Kushtetuese mund të korrigjojë gabimin e saj duke e interpretuar Kushtetutën konform tekstit të saj dhe duke e bërë dallimin e duhur mes kuorumit dhe votimit, ashtu siç është e shkruar në Kushtetutë. Nuk ka asgjë të keqe që të korrigjohet një interpretim i gabuar. Dekada me radhë Gjykata Supreme e ShBA e interpretoi Kushtetutën e ShBA sipas vendimit në Plessy v. Ferguson (1896) se lejohet trajtmi “separate but equal” mes racave. Në vitin 1954 në Brown v. Board of Education e njëjta Gjykatë, pas asnjë ndryshim të tesktit të Kushtetutës, e ndryshoi interpretimin e saj duke e shpallur kunderkushtetuese doktrinen “separate but equal”. Gjykata Kushtetuese mund të bëjë të njëjtën gjë dhe kështu të kontribuojë që interpretimi i saj i gabuar të mos e mbajë Kosovën peng.

Lajme të ngjashme