Vota e mërgatës: Fuqi demokratike apo përgjegjësi e paqartë?
Tashmë edhe zyrtarisht ka filluar votimi me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Ndërsa ata që kanë aplikuar për të votuar nëpër ambasada apo konsullata kanë të drejtë ta bëjnë këtë më 8 shkurt, pasi zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt.
Shkruan: Kosovar Doqi
Debati në shoqërinë kosovare mbi të drejtën e votës për mërgatën bëhet më aktiv dhe më i rëndësishëm gjatë periudhës para zgjedhjeve, veçanërisht që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesëmarrja e tyre ishte masive. Mendimet rreth kësaj çështjeje janë të ndryshme.
Njëra palë argumenton se një person që nuk jeton dhe nuk përballet me problemet e përditshme të shtetit dhe shoqërisë kosovare nuk duhet të votojë, pasi ai ose ajo mund të imponojë vullnetin e tij/saj dhe të ndikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në një vend ku vie vetëm për pushime. Një kritikë tjetër është se shumë nga votuesit jashtë vendit nuk e njohin realitetin e vërtetë në Kosovë, nuk janë në dijeni të problemeve bazike me të cilat përballen qytetarët vendas dhe nuk kuptojnë kërkesat për ndryshim të tyre. Këta votues shpeshherë votojnë pa një analizë të detajuar, duke u ndikuar nga faktorë të tjerë si populizmi ose presioni i grupeve të ndryshme që veprojnë nën ndikimin e partive politike kosovare. Këto grupe shpesh i drejtojnë votat e mërgatës drejt një partie të caktuar, pavarësisht se faktet dhe argumentet e tyre nuk përputhen me realitetin në terren.
Nga ana tjetër, ekziston poashtu mendimi se vota e mërgimtarëve kosovarë është e mirëpritur, sepse ata, duke jetuar në vende me demokraci dhe kulturë të zhvilluar, janë të informuar për rëndësinë e votës demokratike si mjet për të sjellë ndryshim në vendin e tyre të origjinës. Kjo kategori mendon se vota e tyre nuk është e rastësishme, por e drejtuar nga dëshira për të ndikuar pozitivisht në proceset politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës. Në këtë mënyrë, mërgata shprehet si pjesë aktive e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe shtetërore, kurse votimi në mënyrë racionale bën që ajo të konsiderohet si faktor pozitiv në ndryshimet politike dhe ekonomike në vend. Megjithatë, pa u ndalur shumë te debatet pro ose kundër të drejtës së mërgatës për të votuar në zgjedhjet në Kosovë, më të rëndësishëm janë faktorët mbi të cilët duhet të bazohet dhe të arsyetohet vota e mërgatës kosovare. Disa nga faktorët që ndikojnë ose duhet të ndikojnë në mënyrën e votimit te diasporës kosovare janë zhvillimi ekonomik dhe social i vendit, përfaqësimi më i madh demokratik i të gjitha grupeve shoqërore, ndëshkimi i aferave korruptive, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe integrimi i diasporës në proceset politike dhe sociale të vendit. Ky integrim nënkupton që diaspora nuk duhet të shihet thjeshtë si një burim ekonomik (përmes remitancave), por edhe si një aktor i rëndësishëm në politikëbërjen e Kosovës. Në këtë formë, angazhimi ekonomik dhe politik i diasporës kthehet në një kontribut konkret për zhvillimin e vendit.
Kështu, vota e diasporës mund të përforcojë fuqinë demokratike të shtetit dhe të shmangë "përgjegjësinë e paqartë" që shpesh i atribuohet mërgatës.
Një shembull i freskët që ilustron këtë është rasti i zgjedhjeve presidenciale në Moldavi, ku vota e diasporës luajti një rol tejet të rëndësishëm për perspektivën e integrimit euro-atlantik të vendit. Në zgjedhjet presidenciale të Moldavisë, presidentja properëndimore e Moldavisë, Maia Sandu, arriti të fitojë ose të rrisë diferencën e votave me kundërkandidatin e saj në balotazhin e zhvilluar më 3 nëntor të vitit 2024, falë votave të mërgatës moldave. Nga ana tjetër, kundërkandidati i saj, Alexandr Stoianoglo, njihet si përkrahës i Rusisë, dhe kjo ishte një ndër arsyet pse mërgata moldave nuk e mbështeti atë, duke u rreshtuar masivisht pro kandidates properëndimore, pro-demokracisë dhe pro-integrimeve. Po ashtu, ka edhe vende të tjera ku roli i mërgatës ka qenë dhe vazhdon të jetë krucial në fuqizimin e demokracisë, stabilitetin ekonomik dhe progresin social, si Italia, India, Turqia, Izraeli e të tjera.
Përmbledhtazi, mund të themi se mërgata, përmes votës së saj, mund të luajë dhe të ketë një rol të rëndësishëm në demokratizimin e vendit, zhvillimin dhe reformimin e shtetit në shumë sfera publike dhe politike. Prandaj, e drejta e votës dhe votimi i saj, qoftë përmes postës, qendrave diplomatike të votimit apo votimit direkt në Kosovë, është një „detyrë“ e secilit që ka të drejtë vote ta shfrytëzojë dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në avancimin e Republikës së Kosovës. Është një përgjegjësi shumë e qartë dhe, si e tillë, duhet shfrytëzuar, pasi në këtë formë krijojmë më shumë fuqi demokratike.
* Autori është politolog dhe ka mbaruar studimet në nivelin Master në Universitetin e Vjenës