Vlerësim i Qeverisjes Kurti-Osmani 2021-2024
Shkruan: Avdullah Hoti
1. Dialogu
Kur z. Kurti e nisi mandatin, dialogu me Serbinë ishte duke u zhvilluar për njohje reciproke. Me të marrë detyrën, ai braktisi këtë kornizë të dialogut dhe adoptoi një qasje që minoi të gjitha arritjet e mëparshme. Këtë qasje të Kurtit e konfirmuan para disa jave edhe ndërmjetësit e dialogut. Ky veprim i shkoi përshtati Serbisë. Mbetet enigmë motivacioni i Kurtit për këtë veprim, i cili qartësisht është në dëm të Kosovës.
Si rezultat, dialogu për njohje degradoi dhe u përmbyll me marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit, si marrëveshje e ndërmjetme, e cila ndonëse përmban disa elemente pozitive, në thelb e kurthon Kosovën në integrimet euro-atlantike. Rikujtojmë se sa i përket dialogut, Kurti dhe Osmani kanë hyrë në kontratë me qytetarët e Kosovës më 14 shkurt 2021 me këto kushte: (1) asociacioni ka vdekur; (2) nuk ka dialog pa kërkim falje; (3) nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve; (4) rishikim i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme; (5) dialog vetëm për njohje reciproke; dhe (6) të njëjtat të drejta për shqiptarët në Luginë të Preshevës sikurse për serbët në Kosovë.
Asnjëra nga këto nuk është përmbushur me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit. Kurti tallej në Parlament me udhëheqësit e mëparshëm të dialogut, se presidenti serb po i kërkonte ata. Por faktet tregojnë ndryshe. Është e qartë se ai vetë dhe qeveria e tij janë partneri ideal i Serbisë. Ai ia mundësoi Serbisë të shmangë dialogun për njohje dhe të fitojë mbështetje ndërkombëtare për krijimin e një asociacioni jashtë marrëveshjes së parimeve të vitit 2015. Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive në dialog, si zbatimi i disa marrëveshjeve të arritura nga qeveritë e mëparshme dhe lufta kundër krimit në veri, mungesa e kapitalizimit politik për shkak të mos koordinimit me aleatët e ka penguar avancimin e dialogut drejt marrëveshjes për njohje reciproke. Mos koordinimi me aleatët solli sanksione për Kosovën për më shumë se një vit.
Vendimi i fundit i BE-së për liberalizim të vizave për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë që mbajnë pasaporta të lëshuara ilegalisht nga Serbia është goditja më e rëndë për sovranitetin e vendit. Ky vendim tregon qartë se veprimet e Kurtit dhe Osmanit e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kanë penguar përparimin drejt integrimit euro-atlantik.
2. Menaxhimi i buxhetit të shtetit
Rreth 12 miliardë euro ka pasur kjo qeveri në dispozicion deri më tani (2021-2024), por rezultatet janë të padukshme. Për krahasim, me gjysmën e kësaj shume, qeveritë e kaluara kanë ndërtuar autostradat, rrugët, shkollat dhe objektet publike që i ka trashëguar kjo qeveri. Në katër vite mandat, asnjëra nga këto pasuri publike nuk është shtuar.
Gjatë këtij mandati është abuzuar me avance dhe me tenderë njëburimor ku janë shpenzuar qindra miliona për energjinë në veri dhe për ndërmarrjet publike. Pagat e rreth 85 mijë të punësuarve në shtet kanë pësuar rënie enorme për shkak të inflacionit. Struktura e buxhetit u përkeqësua pasi subvencionet arritën 40% të buxhetit. Rreth 520 mil euro ishte “gjakderdhja financiare” për ndërmarrjet publike. Librat në vitin e fundit shkollor kushtuan shumë më shtrenjtë. Gjysmën e subvencioneve në bujqësi i përbiu inflacioni i çmimeve të plehrave dhe farërave. Investimet e nivelit qendror ranë në 11% të buxhetit.
Miliona euro të buxhetit për investime u zhvlerësuan nga inflacioni pasi buxheti për shumë projekte shkonte në suficit vit pas viti. Dallimi midis investimeve të planifikuara dhe atyre të realizuara në këto tri vite është rreth 1 miliard euro. Një abuzim i madh ka ndodhur tek investimet kapitale gjatë viteve 2021-2023, ku u paguan 165 milionë euro për avance dhe 65 milionë euro për vendime të gjykatave. Tek mallrat dhe shërbimet, 21 milionë euro u shpenzuar për rezerva shtetërore, por nuk e dimë a kanë ardhur mallrat. Janë shpenzuar 31 milionë euro ‘avanc për siguri’ nga buxheti i mallrave, por nuk e dimë se për çfarë janë paguar dhe a janë pranuar mallrat. Janë shpenzuar 34 milionë euro për qira për ndërtesa, edhe pse është premtuar se institucionet publike do të largohen nga objektet private. Janë shpenzuar 3 milionë euro për dreka zyrtare vetëm në 2023.
Janë paguar 22 milionë euro për vendime të gjykatave, që është dy herë më shumë se në vitin 2018. Borxhet e qytetarëve dhe bizneseve ndaj shtetit kanë arritur në 669 mil euro, që është gati 200 milionë euro më shumë se në qeverinë paraprake. Borxhet potenciale të shtetit ndaj qytetarëve dhe bizneseve janë trefishuar krahasuar me qeveritë paraprake, duke arritur në 331 milionë euro. Edhe pse, sipas Qeverisë, ndërmarrjet publike po punojnë me fitime, në vitet 2022 dhe 2023 asnjë ndërmarrje nuk ka paguar dividentë për shtetin.
3. Zhvillimi ekonomik
Mund të mashtrohet audienca e painformuar në forume e konferenca të jashtme e vendore, por zhvillim ekonomik substancial në Kosovë nuk ka. Norma e rritjes ekonomike është nën mesataren e qeverive të kaluara. Ka rritje të punësimit me programe qeveritare, sikurse “super-puna”, por nuk ka rritje të punësimit produktiv në sektorin privat.
Kjo vërtetohet nga struktura e punësimit, e cila ka mbetur e pandryshuar. Të dhënat e Trustit Pensional dhe Administratës Tatimore tregojnë se rritja vjetore e punësimit në këto tri vite e ndjek trendin dhjetëvjeçar. Edhe nëse lihen anash statistikat, është e pamundur të dëshmohet ku janë të punësuarit shtesë, apo përse nuk është ulur numri i familjeve në asistencë sociale për shkak të rritjes së punësimit. E vërteta është se papunësia është ulur, pasi mijëra qytetarë kanë emigruar.
Ambienti për biznes është rënduar nga ndërhyrjet arbitrare e kapriçioze të autoriteteve ndaj bizneseve, siç e dëshmoi së fundmi raporti për klimën e investimeve në Kosovë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kujtoni rastin e kompanisë në Suharekë. Ligj për investime të qëndrueshme e ka anuluar ligjin për investime të huaja dhe ligjin për zona ekonomike, duke e rritur diskrecionit e shtetit në ekonomi.
Normat e interesit janë rritur dhe sistemi financiar nuk ka pasur ndonjë zhvillim të ndjeshëm në këto tri vite. U vërtetuar se Banka Zhvillimore dhe Fondi Sovran ishin mashtrime elektorale. Privatizimi nga AKPja vazhdoi me ritmin e njëjtë. Roli i investimeve publike në ekonomi ishte i papërfillshëm. Një pjesë e investimeve publike u bënë me kontrata njëburimore, që i kushtuan shtetit më shtrenjtë dhe krijuan konkurrencë të pabarabartë në treg mes kompanive. Mungesa e zhvillimit vërtetohet me rritjen enorme të importit, i cili ka arritur mbi 5 miliardë euro.
4. Arsimi
Reformat e premtuara për mësimi gjithë-ditor kanë mbetur vetëm në letër. Asnjë vit shkollor gjatë kësaj qeverie nuk ka filluar me rregull. Cilësia e teksteve shkollore nuk është përmirësuar. Rangimi i Kosovës në testet PISA ka rënë. Librat shkollorë për nxënës po i kushtojnë buxhetit të shtetit shumë më të shtrenjtë. Skemat për mbështetje të mësimdhënësve për banim të përballueshëm janë harruar. Dialogu me sindikatat është ndërprerë, duke krijuar tensione dhe pasiguri në sektorin e arsimit.
Buxheti për arsim nuk është rritur, duke reflektuar kështu një mungesë serioze investimi në të ardhmen e fëmijëve tanë. Janë rritur ndërhyrjet politike nëpër universitete publike duke zgjedhur borde e rektorë në kundërshtim me ligjin. Këto ndërhyrje kanë cenuar pavarësinë akademike dhe kanë krijuar një mjedis armiqësor për zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës. Kuvendi i ka miratuar para dy vite statutet e universiteteve publike në gjashtë qendrat e Kosovës, por ato universitete ende mbahen brenda Ministrisë së Arsimit sa i përket menaxhimit buxhetor. Së fundmi, Kuvendi e miratoi statutin e UP-së, por ai u dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare. Strategjia për shkencë sillet në Kuvend pa asnjë debat substancial duke treguar mungesën e plotë të vizionit të qartë dhe të qëndrueshëm në këtë drejtim.
5. Shëndetësia
Sistemi Informativ Shëndetësor, element kyç për digjitalizimin dhe modernizimin e shëndetësisë, nuk u funksionalizua në këto katër vite. Sigurimet shëndetësore u harruan. Furnizimi me barna është përkeqësuar. Barnat e listës elementare po i blejmë shumë më shtrenjtë. Buxheti për shëndetësi nuk është rritur. Ne shpenzojmë rreth 260 dollarë për kokë banori në shëndetësi, krahasuar me 4,000 dollarë në vendet e OECD. Ne shpenzojmë rreth 3% të produktit të brendshëm në shëndetësi, krahasuar me rreth 6% sa shpenzon BE-ja. Emigrimi i stafit mjekësor është i paprecedentë.
Mbi 850 mjekë kanë emigruar në këto tri vite. Mesatarisht, çdo vit, më shumë mjekë emigrojnë se që diplomohen, që nënkupton se numri i përgjithshëm i mjekëve është në rënie. Ligji i pagave nuk e ka ndaluar aspak migrimin. Përkundrazi, ai ka ndikuar në largimin e mjekëve nga spitalet publike drejt sektorit privat ose jashtë vendit. Investimet kapitale në shëndetësi kanë qenë minimale. Për një kohë të konsiderueshme, disa klinika në QKUK janë detyruar të kryejnë operacionet e tyre në salla të improvizuara ose të klinikave të tjera. Kjo gjendje ka ndikuar në cilësinë e kujdesit shëndetësor që marrin qytetarët, duke rritur pakënaqësinë ndaj sistemit shëndetësor.
6. Reformat në drejtësi
Reformat në drejtësi kanë dështuar. Shumë ligje janë rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese pasi kanë qenë të motivuara mbrapshtë. Sikur Ministrja e Drejtësisë të punonte në ndërtimin e konsensusit me opozitën aq sa punon për poshtërimin e opozitës, jam i sigurt se reformat do të kishin marrë mbështetjen e plotë të opozitës. Sikur të merreshin parasysh sugjerimet e Komisionit të Venecias, sot këto reforma do të na ndihmonin në integrimet evropiane.
Eksperimentet e Kurtit dhe Osmanit për të marrë nën kontroll sistemin prokurorial janë ndaluar, së paku deri më tani. Ka dy vite që sistemi prokurorial funksionon pa Kryeprokuror të zgjedhur, pasi tre krerët e shtetit nuk e duan kandidatin e propozuar nga Këshilli Prokurorial. Menaxhimi i sistemit korrektues ka degraduar sipas raporteve të institucioneve relevante ndërkombëtare.
Për më tepër, ka ndërhyrje shqetësuese në drejtësi. Nëse reformat në drejtësi do të ishin kryer me transparencë dhe në bashkëpunim me të gjitha palët e interesit, Kosova do të kishte bërë përparime të rëndësishme drejt një sistemi drejtësie më efiçient, duke forcuar themelet për integrimin evropian të vendit.
7. Politika e jashtme dhe marrëdhëniet rajonale
Mund të diskutohet për procese në politikën e jashtme: sa herë është raportuar në Këshillin e Sigurimit, si udhëheqësit e Kosovës janë përplasur me Serbinë, sa intervista janë dhënë në media ndërkombëtare, në sa forume kanë marrë pjesë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës etj. Por rezultate në politikën e jashtme nuk ka. Nuk ka njohje të reja apo anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është në nivelin më të ulët historikisht. Në shërbimin diplomatik janë bërë ndërhyrje joligjore dhe është dëmtuar rëndë kapaciteti i stafit diplomatik, që ishte ndërtuar ndër vite me njerëz të përgatitur. Këto ndërhyrje kanë minuar profesionalizmin dhe pavarësinë e shërbimit diplomatik, duke e bërë atë më të ndjeshëm ndaj ndikimeve politike. Bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me Shqipërinë është në pikën më të ulët.
Ndërhyrjet tek shqiptarët në Luginë të Preshevës e në Maqedoninë Veriore kanë qenë katastrofale. Bashkëpunimi i të gjitha qeverive të Kosovës me ta ka qenë gjithmonë në nivel institucional, duke i ndihmuar ata të avancojnë pozitën e tyre dhe duke qenë avokat i tyre tek aleatët. Sot ata janë instrumentalizuar për qëllime elektorale të Kurtit.
8. Funksionimi i institucioneve
Ndërhyrjet në shërbimin civil me ligjin e ri, duke hequr emërimet e përhershme dhe duke rritur roli e politikës, e kanë shkatërruar sistemin e karrierës dhe e kanë cenuar pavarësinë e shërbimit civil nga politika. Ky ligj ka përkeqësuar ndjeshëm funksionimin e administratës publike dhe ka krijuar një klimë të pasigurisë për shërbyesit civilë. Kuvendi i Kosovës nuk funksionon normalisht mbi një vit.
Qeveria refuzon të përgjigjet në pyetjet parlamentare ose nuk paraqitet fare në seancë. Komisionet Hetimore Parlamentar pengohen nga shumica parlamentare. Ministrat nuk raportojnë në Komisione Parlamentare, ose sillen ashtu që e pamundësojnë debatin. Agjenda legjislative ka ngecur. Shumë ligje miratohen me procedura të shkurtuara dhe pa konsultime publike, duke minuar transparencën dhe procesin demokratik e gjithëpërfshirës të përgatitjes së legjislacionit. Regjistrimi i popullsisë u shty për shkak të paaftësisë së qeverisë që të bëjë përgatitjet e nevojshme.
Të dhënat e regjistrimit nuk do të mund të përdoren për planifikime as për vitin 2025. Asnjëherë më parë nuk ka qenë situatë më kaotike në institucionet publike. Qeveria është në konfrontim të vazhdueshëm me arsimtarët, policët, shërbyesit civil etj. Fillimisht, qeveria nisi me arsimtarët një ballafaqim jashtë parimeve të dialogut sindikal, duke i ofenduar e nënçmuar. Policëve ua largoj shtesën e rrezikshmërisë, që rezultoi me protestë nga ana e policisë.
Legjislacioni për shërbyesit publik kishte një qëllim të vetëm, që ishte kapja e administratës shtetërore. Sllogani “Krejt dhe Drejt” duke se ka nënkuptuar kapjen e institucioneve dhe lëvizjen drejt një sistemi autokratik, ku kryeministri me vartësit e tij kontrollojnë çdo shtyllë të pushtetit.
9. Përfundime
Shoqëria është polarizuar skajshëm nga propaganda e pushtetit të VV-Guxo dhe militantëve të tyre ndaj: opozitës, gazetarëve, sistemit të drejtësisë, sindikatave, bizneseve dhe aleatëve. Arsimi dhe shëndetësia kanë degraduar. Politikë të jashtme nuk ka. Dialog për njohje nuk ka. Kuvendi nuk funksionon normalisht. Zhvillim dhe punësim nuk ka. Por propagandë për zhvillim dhe punësim ka shumë.
Tendenca për migrim është rritur, në veçanti tek mjekët dhe specialistët e ndryshëm. Reforma në drejtësi ka dështuar. Korrupsioni dhe nepotizmi kanë lulëzuar. Këto vite të qeverisjes VV-Guxo na kanë vërtetuar se me propagandë mund të fitohen zgjedhjet, por nuk mund të qeveriset. Qeverisja kërkon profesionalizëm, përgjegjësi dhe maturi shtetërore, e cila qartësisht ka munguar në këto vite. Me gjithë këto dështime, Presidentja vegjeton dhe noterizon ligjet antikushtetuese të Qeverisë. Deputetëve të listës së saj Guxo, të cilët kur ishin në LDK ishin shumë të zëshëm e kritik, tani nuk u dëgjohet zëri.
Kurti e ka shumicën në Kuvend, por kërkon zgjedhje pasi dështimet janë në të gjitha fushat dhe po thellohen çdo ditë. Kjo qeveri e ka tradhtuar besimin e qytetarëve për ndryshimet që premtonte. Kurti dhe Osmani dhe ka dëmtuar rëndë perspektivën për integrim euro-atlantik dhe zhvillim të vendit.