Vizita bipartizane e kongresistëve amerikanë, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-ve për shqiptarët
Editorial nga Albanians for America:
Nga të gjitha vizitat ndërkombëtare që janë bërë në Kosovë në dekadat e fundit, pak prej tyre bartin simbolikën, peshën politike dhe mesazhin strategjik, sikurse vizita e dy kongresistëve amerikanë, Keith Self (republikan) dhe Suhas Subramanyam (demokrat). Kjo vizitë do të zhvillohet me kërkesë të organizatës Albanians for America dhe është sinjal i qartë dhe i fuqishëm i mbështetjes bipartizane amerikane në një kohë kur rajoni ynë përballet me sfida të mëdha sigurie dhe zhvillimi.
Vizita vjen në një kohë përcaktuese për Kosovën. Për pak ditë, qytetarët e Kosovës do t`i drejtohen kutive të votimit, porse cilido që të jetë rezultati, raporti me SHBA-të do të vazhdojë të jetë krucial për rrugën euroatlantike të Kosovës.
Për Kosovën, mbështetja amerikane vazhdon të mbetet mbi partitë, mbi administratat dhe mbi ciklet politike. Prandaj, kjo vizitë ka premisa historike sidomos në raport me pjesën e vizitës në Luginën e Preshevës dhe në njëfarë mënyrë rikthen në mendje vizitën që ndodhi gjatë viteve të 90-ta të një delegacioni amerikan në Prishtinë.
Më 29 gusht 1990, delegacioni i udhëhequr nga Bob Dole, së bashku me senatorët John Warner, Jake Garn, Don Nickles, Al D'Amato, Steve Symms dhe Connie Mack, pa nga afër brutalitetin e regjimit jugosllav në Kosovë. Ajo vizitë u bë pikë kthese historike. Nga Prishtina, e vërteta e Kosovës mori rrugën drejt Kongresit amerikan, në Shtëpinë e Bardhë dhe gjithandej në botën demokratike.
Shqiptarët, sërish kanë nevojë për të vërtetën e dëshmuar dhe mbrojtur nga SHBA-të.
Në Luginën e Preshevës, shqiptarët po përballen me forma drastike të shtypjes institucionale nga shteti serb. Pasivizimi i adresave të shqiptarëve, spastrimi administrativ, diskriminimi ekonomik dhe margjinalizimi politik janë metoda të sofistikuara për ta zbehur praninë shqiptare në atë rajon.
Ky proces, që ka prekur mijëra familje shqiptare, është një formë moderne e spastrimit etnik. Duke pasivizuar adresat, Beogradi po përpiqet të zvogëlojë artificialisht praninë shqiptare në Luginë.
Vizita e kongresistëve amerikanë në Preshevë është mesazh dhe dëshmi se Lugina nuk është harruar. Gjithashtu, është rikujtim se Washingtoni e ka vëmendjen ende në Ballkan.
Kongresisti Keith Self, muajt e fundit është shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm në afirmimin e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë në Kongresin amerikan.
Self e ka quajtur Kosovën një partnere të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në Evropë”. Ai ka kërkuar publikisht rritjen e presionit ndaj katër shteteve të NATO-s, Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke argumentuar se kjo po pengon integrimin euro-atlantik të vendit.
Edhe më domethënës është fakti se ai ka propozuar masa konkrete politike në Kongres, përfshirë amendamentin për pezullimin e financimit IMET për Greqinë, pikërisht për shkak të mosnjohjes së Kosovës.
Po aq e rëndësishme është edhe rezoluta e paraqitur nga Keith Self, së bashku me Ritchie Torres dhe Mike Lawler, për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Derisa Rusia vazhdon ta destabilizojë rajonin përmes satelitëve të saj, tensionet në Ballkan mbeten të ngritura dhe arkitektura e sigurisë evropiane po riformësohet pas luftës në Ukrainë, integrimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm interes i Kosovës, por interes strategjik i Perëndimit.
Vetë Keith Self e ka quajtur Ballkanin fuqi baroti, duke paralajmëruar se pa stabilitet të qëndrueshëm në rajon, Evropa mbetet e cenueshme.
Prandaj kjo vizitë vjen në momentin kur Kosova duhet ta qartësojë drejtimin e saj strategjik, ta forcojë koordinimin me SHBA-të dhe të ecë më shpejt drejt integrimit euro-atlantik.
Në këtë rrugëtim, Amerika mbetet busulla politike dhe strategjike e Kosovës.
Ashtu si në vitet ’90, kur senatorët amerikanë panë të vërtetën e Kosovës dhe e prezantuan atë në qendër të politikës amerikane, edhe sot vizita e kongresistëve amerikanë është dëshmi se lidhja Kosovë–SHBA është aleancë politike, lidhje historike dhe perspektivë e ndritshme.
Dikur shqiptarët e Kosovës brohorisnin “USA… USA”, në sheshet e Prishtinës, duke kërkuar ndihmë për mbijetesë, por sot Kosova është shtet i lirë.
Beteja për konsolidim ndërkombëtar, për NATO, për njohje të reja dhe për mbrojtjen e shqiptarëve në rajon vazhdon ende.
Në këtë kontekst, vizita e Keith Self dhe Suhas Subramanyam është vazhdim i një historie që filloi shumë kohë më parë. I një historie ku Amerika dhe Kosova ecin bashkë për të dëshmuar dhe për ta mbrojtur të vërtetën për shqiptarët, kudo.