Triumfi politik i mendjes cinike - NACIONALE

Triumfi politik i mendjes cinike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Ashtu siç pritej Albin Kurti e shpalli kandidaturën e tij sërish për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje. Me një program që as nuk ia vlen të diskutohet për nga mjerimi ai e kërkoi mbështetjen e vartëseve të tij edhe për një mandat. Dhe nuk ka dyshim se ai do të jetë pashmangshëm drejtues i këtij subjekti edhe në të ardhmen. Por pse jo edhe sa të ketë jetë politike.

Se ai e ka qëllim të jetë kryetar i përjetshëm i kësaj strukture dihej që nga koha kur pa asnjë justifikim politik e kishte shndërruar në leckë statutin e kësaj partie, që dikur ia ndalonte kujtdo çoftë që ta drejtonte atë me shumë se dy mandate. Pra rregullat dhe parimet që vendosen për t’i drejtuar sjelljet politike kolektive, me një lehtësi të habitshme mund të kthehen me kokë poshtë kur ato shndërrohen në pengesë për vullnetin e liderit. Ato kanë vlerë për aq sa përdoren si armë për t'i devalvuar të tjerët. Mirëpo, nuk ekziston asnjë telashe për t'i konvertuar kur duhet të jenë në funksion të liderit. Kështu, ajo që dikur propagandohej si simbol i potencialeve të brendshme demokratike, e kufizimit të prirjeve “ego-kratike”, kriter që e dallonte këtë subjekt nga të tjerat, papritmas transformohet në mjet që krijon mundësi për depërtime subversive për kundërshtarët e jashtëm e të brendshëm.

Sidoqoftë ajo që ra në sy në këtë atmosferë dalldie, ishte edhe shfaqja drejtpërdrejtë e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, me anë të Skyp-it nga Tirana, për t'i uruar kryetarit të tanishëm e të ardhshëm detyrën. Me një gjuhë plot elozhe, që po të zgjohej nga varri do t'ia kishte lakmi edhe Enver Hoxha, se pse vartësit e tij nuk i kishin thurur kësi lavde heroike atij, ai tregoi se në mes tjerash, në saje të vullnetit, vizionit dhe vendosmërisë së liderit ata kolektivisht i kishin korrur fitoret politike.

Madje në shumëçka ky rrëfim u ngjasonte skenave morbide të autokritikës publike që dikur eksponentët e nomenklaturës së ish- regjimit, ishin të detyruar ta bënin për ta dëshmuar katarsisin e tyre ideologjik dhe politik prej mëkateve që në mënyrë të pavetëdijshme u kishin depërtuar në thellësitë intime të qenies. Kështu, edhe kjo performancë e kryekuvendarit erdhi pas një tensioni, që u raportua se kishte ndodhur ndërmjet të dyve para pak ditë në një seancë plenare. Në këtë paraqitje groteske ai e ofroi dëshminë e tij personale publike se si kryetari i Vetëvendosjes nuk qeveris vetëm. Por gjithmonë bashkë me të tjerët.

Pra për dallim nga Glauku, kur jo shumë kohë më parë nëpër studio televizive, siç e kam cituar në një shkrim tjetër pohonte “se do të ishte mirë që Albin Kurti si kryeministër të kontrollohej nga Vjosa Osmani si kryeparlamentare, “pra një Vjosa Osmani e cila ulet lart dhe e merr në pyetje Albin Kurtin e ia tregon atij kornizat e parlamentarizmit”, dje ai e mohoi vetveten, sepse sipas tij, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje, gjithmonë qeverisë bashkë me të tjerët. Kështu derisa herën e parë ai shprehte hapur rezervat për orientimin demokratik të Albin Kurtit, por me këtë edhe të vet entitetit ku participon, sepse sikur kjo të ishte njëmend demokratike dhe dikush të mos ishte “pak më barabartë se të tjerët” do të mjaftonin kufizimet e brendshme të saj për ta kontrolluar Albin Kurtin, e nuk do të kishte nevojë për burime të jashtme, dje ato na dalin papritmas të panevojshme.

Atëherë shtrohet pyetja si mund të pajtohen këto qëndrime njëkohësisht të ndryshme. Cilën duhet ta marrim si të vërtetë? Dhe nëse herën e parë kam shprehur bindjen se ato mund t’i kenë ardhur Glaukut nga leximi i Hegelit, në cilat variante të mendjes filozofike mund ta ketë origjinën qëndrimi i dytë? Dhe a mos vallë pikërisht pohimet e fundit janë e vërteta e akomodimit me pushtetin pavarësisht shqetësimeve personale mbi “hybrisn” e mundshëm të tij.

Mbase këto kundërthënie të sipërcekura tregojnë më mirë se asgjë tjetër, për efektet shoqërore dhe politike të “mendjes cinike”, të cilat i ka analizuar filozofi i njohur gjerman, Peter Sloterdijk në librin e tij “Kritika e mendjes cinke” (Kritik der zynischen Vernunft). Sipas këtij mendimtari post-metafizik, këtë lloj mendje e karakterizon “vetëdija e shtrembëruar iluministe”. Suksesi i kësaj paradigme mendore është rezultat pikërisht i paaftësisë së “mendjes iluministe për të jetuar në përputhje me parimet që i proklamon”. Prandaj, cinizmi shndërrohet në shprehje tipike të “vetëdijes fatkeqe moderne”. Siç dihet, termi vetëdije fatkeqe ishte sajuar nga Hegeli, për t’i përshkruar përçarjet që e pushtojnë gjendjen e robit për shkak të pamundësisë së tij për t’i pajtuar idealet e veta mendore me realitetin.

Ndërkohë, sipas P.Sloterdijk, efektet e “vetëdijes fatkeqe moderne” në rrethanat moderne askund nuk janë manifestuar më shumë se sa të grupet politike me orientim majtist. Për shkak të këtij transformimi ato e kanë përjetuar “metamorfozën komplekse të shpresës në realizëm, të revoltës në melankoli, radikalizmit politik në një kurs mesatar të mbijtesës intelegjente dhe mohimit të madh politik në një afirmim shumëfytyrësh subpolitik”.

Në këtë kontekst, mbase mishërimi me mendjen cinike për t’u akomoduar me pushtetin e pasqyron të vërtetën e vetme të të gjitha kontradiktave të sipërcekura, e të cilat i shpërfaqi dje Glauku. Gjendje kjo, ku këmbimi i idealeve hegeliane mund të bëhet me një lehtësi të padurueshme me realitetin e atij pushteti që personalisht në disa çaste specifike, i rrëmbyer nga impulset e dëshpërimit filozofik, e konsideron se qëndron në antinomi me parimet e parlamentarizmit.

Lajme të ngjashme