Tani nuk janë të përçarë, janë të ndarë
Sali Berisha po përpiqet të nxitojë të deklarojë të mbyllur procesin e bashkimit të PD pas përçarjes së provokuar prej tij tre vite më parë. Në fakt kur e nisi procesin e përçarjes dhe deputetët ishin në shumicë me Bashën, rreth 38 prej tyre, ai kishte tezën se nuk kanë rendësi deputetët, por ka rëndësi elektorati në bazë.
Pas tre vitesh beteje të lodhshme brenda demokratëve, pas rrahjeve fizike dhe sagës gjyqësore për vulën, ai arriti të marrë vulën me pazare dhe tani deputetët në shumicë janë me të, derisa ta shikojnë ose jo, emrin në listë. Atë që tre vite më parë nuk e quante bashkim, pasi thoshte deputetet janë disa karrigethyer, nuk përfaqësojnë demokratët, tani e quan bashkim.
Në fakt në PD ekziston vetëm një përçarje dhe ajo nuk është mbyllur dhe nuk do mbyllet kurrë nga Berisha, pasi ai është shkaku i saj. Është refuzimi nga antiberishizmi.
Antiberishizmi ka ekzistuar në PD qysh në fillimet e saj. Shumica e tyre kohë pas kohe janë larguar nga PD e kanë parë punë e tyre, por një fraksion i fortë anti Berishë gjendet gjithnjë brenda elektoratit të PD.
Sot ky grupim është më i madh se kurrë në historinë e PD, brenda PD, natyrisht duke qenë minorancë. Brenda këtij grupi tani ka dhe njerëz që nuk janë antiberishistë, por e dinë që Berisha nuk i çon në fitore.
Po të llogarisësh dhe deputetët që shkojnë tek Berisha vetëm që t’i fusë në listë, natyrisht bëhet dhe më e thellë plaga e përçarjes.
Pra Berisha nuk ka mbyllur asgjë nga plaga e përçarjes. Ndryshimi është se tani nuk janë të përçarë, janë të ndarë.
Deputetët e kanë të lehtë se nuk kanë shumë turp të shkojnë nga një krah në tjetrin, por ata që janë ndarë në bazë të partisë nuk është se e kanë aq të lehtë bashkimin për hir të Berishës.
Ndaj Berisha po përpiqet të nxitojë ta shpallë bashkimin pikërisht se nuk ka ndodhur, se po të ndodhte nuk kishte nevojë. Dhe sa herë e bën këtë, shpall dhe një miting proteste, se mendon se lufta i bashkon, dhe ata do t’i bashkohen atij se i fton në luftë kundër qeverisë, jo se e duan atë.
Problemi është se Berisha pas kësaj do të dalë dhe më i vogël dhe atëherë do dëgjojmë përsëri këngën e tij të vjetër se ja vodhën votat. Si himn i PD së mbetur./GazetTema/