Sovraniteti: Të kesh apo të mos kesh - NACIONALE

Sovraniteti: Të kesh apo të mos kesh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Abit H O X H A

Sovraniteti është autoritet suprem i ushtrimit të pushtetit. Një shtet është sovran kur vendos për vete dhe ka autoritet për ta ekzekutuar këtë vendim. Natyrisht se ka teori dhe hipoteza të cilat shqyrtohen nga autorë të ndryshëm dhe ekspertë të së Drejtës Ndërkombëtare që nga Hugo Grotius si definues i parë i sovranitetit dhe deri tek doktrinat bashkëkohore që sfidojnë sovranitetin në aspektin e respektit për Universalitetin e të Drejtave të Njeriut.

Ta zëmë se kemi të drejtë dhe duhet të jemi plotësisht sovranë për vendimet tona në Republikën e Kosovës për disa momente, duke harruar se abuzimi me të Drejtat e Njeriut ishte argumenti kryesor i intervenimit të NATO-s për të ndaluar Krizën Humanitare në vitin 1999. Të qenit sovran nënkupton se ushtrimi i këtij sovraniteti bëhet në përputhje me interesat e vendit dhe qytetarëve të Kosovës.

Vendimi për të mos lejuar qytetarët serbë të votojnë edhe në Kosovë, ka shkaktuar një varg kritikash ndaj Kryeministrit Kurti i cili në takimin e fundit me Kryeministrin e Norvegjisë, u kritikua hapur në deklaratën për shtyp të këtij të fundit duke theksuar se kanë ngritur shqetësime për vendimin e Kryeministrit. Kritika të ngjashme u ngritën edhe nga Quinti për mënyrën se si u manifestua ky vendim i cili në publikun Kosovar, u plasua si “vendosje e sovranitetit” të Kosovës.

Por, vendosja e sovranitetit nuk është e njëtrajtshme vetëm për të ndaluar një veprim si ky i zgjedhjeve apo ai i referendumit për të rrezikuar marrëdhëniet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë, duke përforcuar argumentet e njëjta të interpretimit të sovranitetit nga Serbia në vitin 1999 se shteti vendos se çfarë don vetë për qytetarët e tij. Në këtë rast, për qytetarët me shtetësi të dyfishtë- atë kosovare dhe serbe.

Varësisht se ku është edhe qëllimi politik, por sovraniteti edhe manifestohet duke lejuar një veprim të tillë. Kalkulimi politik do të duhej të shtrihej në rrafshin e vazhdimit të aleancës me perëndimin për të mos i dhënë edhe një arsye fitores së Aleksandër Vuçiqit të Serbisë në Zgjedhjet e 3 Prilit.

Këtë interpretim të ngushtë të sovranitetit nga Qeveria e Kosovës, Vuçiq e shndërroi në kërcënim për Serbët dhe e përdori për të mobilizuar më shumë përkrahje në zgjedhjet e 3 prillit. Ky kërcënim i thatë sikurse publiku i munguar në stacionet e trenit për fushatën e Vuçiqit në Serbi, medoemos se ka ndikim në nxehjen e gjakrave të nacionalistëve në përkrahje dhe votim. Por ka gjeneruar përkrahje edhe në anën tjetër, duke shtuar përkrahjen edhe për Qeverinë e Kosovës dhe këtë retorikë të interpretimit të sovranitetit si mundësi për të marrë vendime të rëndësishme.

Por vendimi më i rëndësishëm nuk është për të ndaluar zgjedhjet, por për të lejuar ato në bazë të rankimit të Kosovës si vendi më demokratik dhe me më së shumti liri në regjion. Kurti do të korrte fitoret diplomatike me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe kjo do të sillte fitore diplomatike në dy rrafshe; me Bashkimin Evropian në rrafshin e parë duke dhënë shkaqe më shumë për negocim për liberalizim të vizave dhe duke kërkuar implementimin e plotë të Marrëveshjeve të Brukselit, dhe në rrafshin e dytë, do të mbyllte dyert interpretimeve të Aleksandër Vuçiqit për kërcënimet nga Kosova dhe rrjedhimisht më pak vota për të.

Sovraniteti manifestohet edhe duke lejuar vendvotimin për qytetarët Serbë që kanë shtetësi të dyfishtë. Duke lejuar disa vendime, arrihet më shumë se duke ndaluar. Ky lloj sovraniteti është autoritet suprem i ushtrimit të pushtetit të Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit.

*Ndërlidhje nga redaksia: Mbi 6 mijë qytetarëve shqiptarë në Serbi iu mohua dje (3 prill) nga autoritetet serbe, e drejta për të votuar. Qytetarët e atjeshëm kanë kritikuar veçanërisht Qeverinë tonë për mungesë të adresimit të kësaj çështjeje te autoritetet ndërkombëtare.

Autori është njohës i medias, kulturës së gazetarëve dhe konfliktit. Hulumton prodhimin e lajmeve në konflikt dhe ballafaqimin me të kaluarën.

Lajme të ngjashme