Sinkroniteti i destruktorëve të paqes - NACIONALE

Sinkroniteti i destruktorëve të paqes

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Xhemal Ahmeti

Teza: "Qeveria Kurti është sinkrone me Serbinë në krijimin e krizave që mund të çonin në shpartallimin e shtetit të Kosovës" është gjithandej prezentë. Këtë pohim e përsërisin ditenatë gjitha ata që nuk janë militantë të partisë në pushtet. Le t'i bastisim argumentet e tyre për të parë se sa konsistente mund të jetë kjo akuzë.

Të parën gjë që si student i filozofisë kam mësuar ishte skema trishtresëshe e Aristotelit TASH (Teza, argumentet, shembujt) nëpër filtrat e së cilës duhej ta fus çdo mëndin para se të reflektoj mbi të. Dikur mësova se pa edhe një element të Hegelit si "sinteza" linja argumentuese mbetet disi çalë dhe unë mbetem pa kumtuar rezultatin që më doli nga reflektimi përkatës. Këtë sistem e përdori gjithë jetën dhe saherë më duhet të mos i hyj në hak dikujt. Në bazë të këtij sistemi është e ndërtuar edhe kjo kollumnë për Nacionalen.

ARGUMENTET

Argumentet (jo të plota - analiza nuk mbaron me këtë tekst) mëtojnë ta përmbajtësojnë tezën në pjesën kur përgjegjësia për shpartallimin e qenies së Republikës së re hidhet qeverisë kosovare.

1. SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe - pra sponsorët kryesorë - papërmbajtshëm ia kujtojnë Demosit (nuk them popull se aludoj në elektoratin) kosovar se Qeveria aktuale nuk gjendet në kursin që e kërkojnë këto për ta mbyllur kontestin me Serbinë.

2. Edhe pse Kurti pranoi marrëveshjen franko-gjermane, e cila detyron në shkrimin e një "dokumenti" që rregullon "vetë-menaxhimin" e katër komunave veriore ai organizon zgjedhje dhe dërgon vozçe kryetar të pavotuar komunash, të cilët ruhen nga forcat speciale. Qëllimi është të nxisë, krijojë kriza që sabotojnë marrëveshjen e Ohrit.

3. Që nga ardhja në pushtet qeveria tenton ta përmbys mediat e lira me synimin që jashtë të depërtoje përherë një version gjendjeje në Kosovë: ajo e improvizimit të njëmendësisë totale sa u përket raporteve me botën.

4. Qeveria Kurti qëllimisht nuk u jep asnjë asistencë njerëzve të UCK në Hagë që ata të mbeten "njolla e zezë e historisë" e ky me marrëveshjen finale të rezultojë "kandidat për çmimin Nobel për paqe". Ai i cili detyroi Serbinë me inteligjencë për atë, që tjerët s'mundëm me luftë.

5. Me refuzimin dhe difamimin permanent të partnerëve dhe aleancave të Kosovës së 15 viteve të fundit Kurti donë ta evitojë prefiksin "me ndihmën e aleatëve" siç e ka UCK, në shkrimin e historisë mbi zgjedhjen e konfliktit serbo-shqiptar. Pra në histori duhet të shkruhet: Kurti i bëri gjitha vetë.

(...)

Argumentet që sillen për të dëshmuar paranojën e Serbisë për shpartallimin e shtetësisë së Kosovës s'janë gjë e re, por interesante bëhen si paralele e politikës së brendshme të Kosovës. Sinkroniteti me efektin e njëjtë që lidh Beogradin me Prishtinën është interesant.

1. SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe në takt ditor ia kujtojnë qeverisë serbe se përkundër paradave retorike të Vuçiçit, ata ngulin këmbë në respektimin total të “Marrëveshjes së Ohrit”. Me këtë ato transmetojnë mesazhin e njejtë si në Kosovë të kenë probleme me qeverinë serbe.

2. Edhe pse Vuçiç i tha po marrëveshjes frank-gjermane ai dërgon banda të organizuar terroriste t'u përgjigjen provokimeve të qeverisë kosovare dhe organizon armatimin e satelitëve të saja në Veri që të shkaktojnë kriza.

3. Në Serbi është moti e realizuar ajo që tenton të bëjë qeveria kosovare nëpërmjet mbylljes së mediave që nuk transmetojnë qëndrimin unik të "popullit të Kosovës". Nga Serbia nuk depërton në mënyrë dominante asnjë rrëfim tjetër kapital përveç atij "Kosova është e jona".

4. Qeveria serbe bashkë me atë ruse janë kreatori dhe ekzekutori i akuzës kundër UCK të ketë bërë krime lufte. Pro-aktivisht ata kujdesen edhe për dëshmitaret dhe për përvetësimin e trupës gjyqësore. Interesi i tyre është kriminalizimi i ushtrisë së shqiptarëve që iniciuan nxjerrjen e Serbisë nga aty.

5. Vuçiç e di se Serbia ka humbur Kosovën. Përgjegjësinë mirëpo e kanalizon sipas ideologjisë "lost cause", si humbje që ndoshi nga tjerët e ai shpëtoi atë që mundej, madje shumë më shumë se sa ç'besoj ngase ktheu Serbinë si vendimmarrëse mbi fatin e mëtejshëm të Kosovës. Jashtë (globalisht) ai mbetet në histori si "paqësori me nobel" që shpëtoi diçka nga humbja atëherë kur ai nuk ishte në krye por vetëm shërbëtor.

SINTEZA

1. Sipas interpretimit ndërkombëtar: Kurti dhe Vuçiç bashkë nuk e bëjnë atë që thuhet në marrëveshjen e Ohrit.

2. Instalimi i policisë speciale dhe dërgimi i njerëzve të pavotuar atje dhe dërgimi bandave janë dy udhët që çojnë tek qendra e njejtë: kriza, dhuna dhe sabotimi i procesit të paraparë nga ndërkombëtarët.

3. Me luftën konkrete kundër Klan Kosovës dhe Nacional së fundi argumenti i kundërshtarëve Qeveria të synojë gjendjen e njëjtë si në Serbi del e arsyeshme.

4. Nëse dikush të akuzon për vjedhje dhe ti nuk mbrohesh ke pranuar fajin në heshtje dhe i lutesh fatit të marrësh dënimin sa më minimal.

5. Vuçiç dhe Kurti e dinë se Kosova është kjo siç është dhe s'bëhet më as serbe e as republikë e ndonjë konfederate me Shqipërinë, jo sa të jenë gjallë dy primatët e apostrofuar. Prandaj kërkojnë protagonizmin në ritregimin e historisë sipas interesave personale.

OPINIONI

Konstruktet gjeopolitike "Republika e Kosovës" dhe "Republika e Serbisë", do mbeten kështu së paku deri sa të ndodhë ndonjë thyerje e madhe në rivizatimet e kolosëve global. Mjerimi i qeverive destruktore derdhet mbi shoqëritë e dy shteteve. Në këtë garë sinkrone serbo-shqiptare humb shumë Kosova. Serbia s'ka çka humb më. Diçka - qoftë edhe si emër në lista - fitojnë dy primatët që ecin mbi kufoma për të realizuar qëllimet e tyre personale. Kështu më del mua llogaria. Nëse 1 plus 1 bëjnë 2 atëherë është e vërtetë se politika e kësaj qeverie është sinkron me atë serbe karshi Bashkësisë Ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme