Sikur Trumpi t’i binte shuplakë Speciales - NACIONALE

Sikur Trumpi t’i binte shuplakë Speciales

10 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col Mehmeti

Nuk kam besuar kurrë e as nuk besoj tani që protestat kanë ndonjëfarë roli.

Janë veçse një spektakël i madh ventilimi e shfrimi në rrugë që nuk ia prish kërkujt gjizën, siç thotë fjala.

Megjithëkëtë, unë do të marr pjesë me të gjithë njerëzit e mi në protestën e sotme në solidaritet me udhëheqjen e UÇK-së.

Dua të jem manifestueshëm njëri nga ata dhjetëra e mijëra njerëz që e duan UÇK-në, dua të jem një pikë e vogël dhe e padallueshme e asaj mase njerëzore kur shkrepet ajo fotografia e madhe që iu dërgohet anti-UÇK-istëve shqipfolës.

Gjykata Speciale e pati çdo mundësi që të ishte një aeropag i denjë drejtësie, shumë më i mirë se cilado instancë e krijuar nga OKB-ja që do të mbushej me prokurorë e gjykatës rusë, kinezë, indianë e të tjerë nga bota e tretë.

Aq abhorrente ka qenë kjo kreatyrë ligjshkelëse sa integriteti i saj u vra qysh në fillim.

Zaten, çdo vendim i saj fajësues a shfajësues do ta vuajë përjetësisht blanën e një gjykate që fillimisht e pati vullnetin, dashjen dhe caktimin të dënonte e eliminonte njerëz, e pastaj validoi prova, dëshmitarë e dosje nga Serbia dhe nga fshatarë analfabetë nga Kosova.

Sado e vegullt, shpresa ime e vetme që të ndalet kjo çmenduri është vetëm te deus ex machina e Trumpit, njësoj siç bëri këtë vit me sanksionet që ua përplasi hundëve ICC-së.

Vetëm një demostrim radikal i fuqisë amerikane mund ta ndalojë këtë abces.

Lajme të ngjashme