Si t’i përmbysësh heronjtë me viktimat - NACIONALE

Si t’i përmbysësh heronjtë me viktimat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nuk është aspak nē qëllimin tim të futem në debatin në mes gazetarit Ilir Mirena dhe Saranda Bogujevcit që plasi dje. Për mua çështja ka një esencë më të thellë. Dhe nuk është hera e parë që po e cilësoi. Për ata që më kanë përcjellur, e dinë se e kam evokuar disa herë edhe me shkrime edhe përmes debatëve televizive : Kosova po udhëhiqet nga viktimat.

Shkruan: LABINOT BISLIMI

Le ta përkufizojmë viktimën si dikush i cili ka pësuar nga situata pa dëshirën apo vullnetin e tij/saj. Kurse hero, dikë që në mënyrë aktive, të vullnetshme dhe të vetëdijshme i ka dalë përballë një situate. Në rastin tonë, situata është gjendja e pushtimit nga Serbia, shtypja e identitetit, e të drejtave dhe lirive të popullit shqiptar. Dalja nga kjo situatë nuk kishte alternativë tjetër përpos luftës. Dhe, kuptohet, se kjo luftë do të kishte heronjtë e saj dhe viktimat e saj. Pra, ajo do të ndahej në mes dhimbjes dhe krenarisë. Të dyja këto kategori, në secilin vend normal trajtohen nga politika me kujdesë, me kujtesë kolektive e histori. Gjë krejtësisht normale deri këtu.

Ajo që nuk është më normale dhe merr përmasat e një çoroditje kolektive është kur viktima dhe heroi vihen në garë me njëra tjetrën. Besa vihen edhe në taborre politike e ideologjike kundër njëri-tjetrit. Dhe kjo ka ndodhur vetem në Kosovë.

Sot Republika e Kosovës po udhëhiqet nga viktimat të cilat e kanë ndërtu një aversion kundrejt çlirimtarëve dhe heronjëve. Kjo ndoshta sepse e konsiderojnë se një pjesë e fajit u takon edhe atyre që e prishën rutinën e gjendjes së pushtimit. Çka do të thotë se shumë prej atyre që nuk janë më gjallë sot, do të ishin me. Dhe ne me ta do të ishim nën pushtim. Ose sepse e konsdierojnë se dhimbja e tyre meriton të jetë e vlerësuar më shumë se trimëria e krenaria e atyre që u përpoqën, luftuan dhe ranë heroikisht kundrejt pushtuesit; kundrejt Serbisë.

Kjo çështje do të dukej absurde vetem po të shtrohej në cilin do vend tjetër. Porse tek ne nuk është vetem çështje opinioni, por është bërë çështje politike. Është ndërtuar si ideologji dhe, nga ideologji, si politikë e diplomaci e një shteti. Për këtë, ju nevojitet ta merrni secilën narrativë qeveritare në këto katër vitet e fundit.

Merrne çdo paraqitje para Këshillit të Sigurimit të Presidentës Osmani; merrni secilën përbërje të Qeverisë dhe të Kuvendit dhe do të gjeni viktima, viktimizim e averzion kundrejt çlirimtarve e heronjëve të këtij vendi.

Në pamje të parë duket e rastësishme e gjithë kjo. Duket sikur nuk ka ndonjë strategji apo ideologji në sfond. Në fakt, është një projekt politikë i dukshëm nga çdo secili që analizon në politikë. Jo rastësisht zgjidhet si ministre e jashtme Donika Gërvalla e cila është një viktimë anësore e një heroizmi. Ajo e ka ndërtuar prej fëmijë elementin e viktimës dhe një averzion për çdo lëvizje patriotike e heroike që përmban dhunë. Kjo i është përkthyer në averzion jetësor kundrejt kujtdo që kap armën për çlirim.

Këtë averzion ajo e ka shprehur e materializuar qartësisht përgjatë gjithë vitëve 90' dhe 2000' kundrejt UÇK-së, të cilën e konsideronte si organizatë kriminale dhe për të cilën kishte dërguar edhe dosie në Hagë. Këtë averzion ajo e vazhdoi edhe kur u bë ministre duke deklaruar se Kosova është një shtet kriminal. Kjo sepse deri, atëherë, ai udhëhiqej nga ish eprorët e UÇK-së.

Ndërkohë, më shumë si viktimë se sa si hero, edhe Albin Kurti e ndërton një averzion të fuqishëm kundrejt përpjekjes ushtarake të atyre që kapin pushkën kundër Serbisë. Kjo luftë e armatosur e kthen atë në viktimë të përpjekjes së tij paqësore, të stilit hipi e të konfuziteti të dikurshëm në mes kosmopolitanizmi e nacionalizmi. Lëvizja e tij ndërtohet mbi elementin reaksionar; si revanç kundrejt atyre që i vodhën lavdinë. Andaj, ai fokusohet tek narrativa e viktimës dhe viktimizimit.

Fokusohet tek viktimat e njëpasnjëshme, jo vetem të luftës, por edhe të një zhvillimi tjetër shoqëror e ekonomik në të cilin i humben privilegjet e dikurshme. Ai mbi viktimat e kohës e ngriti një kundër-ideologji e cila në sfond ishte reaksionare, anti-histori, anti-zhvillim dhe anti-Perendim. Ishte mbi narrativën e viktimës dhe kundrejt luftës e luftëtarit që e ndërtoj opozitarizmin e tij. Me ardhjen në pushtet, ai e ngriti në piedestal "viktimën" për ta rrëzuar "heroin". Këtë e bëri edhe në çdo komunikim me opinionin publik duke i dhënë një hapësirë të jashtëzakonshme viktimave të luftës apo viktimave të zhvillimit ekonomik duke i akuzuar të tjerët për "oligark".

Brenda kësaj Qeverie kemi edhe Hekuran Muratin i cili i kishte quajtur "mercenar" luftëtarët e lirisë. Një averzion të cilin nuk mund ta fsheh edhe sot nga karriga e ministrit.

Por, ajo që e ka çuar më së largu këtë elementin e viktimës me qëllim që ta rrëzoj me projekt të mirëfilltë luftën çlirimtare, është zonja Presidente. Ajo ishte haptazi kundër luftës çlirimtare prej kur u mësua me fol. Ushtrinë Clirimtare të Kosovës nuk mund ta përmendte as në inicialet e saj kurrë. Një averzion i ndërtuar deri në formën më patologjike nuk ishte i dukshëm vetem në atë që thoshte, por edhe në atë që nuk thoshte. Por e gjithë kjo nuk mund të mjaftonte për ta rrëzuar famëmadhen UCK.

Sikurse të tjerëve, i duhej edhe kësaj që të përdorë një element tjetër, po aq të ndjeshëm për opinionin publik, që ta rrëzoj elementin e heroizmit. Kuptohet se ishte "viktima". Ajo e ndërtoi të gjithë diskursin e saj diplomatik mbi "viktimat e luftës" me qëllim që ta kthej ta shëndërroj të gjithë historinë e afërt sikur të kishte ndodhur në mes një agresori, një viktime dhe një shpëtimtari të jashtëm (Nato), por kurrësesi të një qëndrese të brendshme.

E githë kjo duket sikur të jetë pa projekt afatëgjatë. E gjithë kjo duket sikur është kundër Serbisë. Porse, e gjithë kjo ka edhe favorin e Serbisë. Serbia nuk është për të mos e njohur "gabimin" e saj kundrejt Kosovës dhe as elementet "devijuese" të luftës së saj në Kosovë. Të gjithë këtë nëse Kosova e përjashton të vërtetën e luftës së saj çlirimtare kundrejt saj dhe i njeh këta njerëz si "kriminela" dhe me qëllime përfitimi vetjak nga kjo luftë.

Gjë që është theksuar hapur me vite të tëra duke filluar nga Albin Kurti, Vjosa Osmani, Donika Gërvalla e deri tek militanti i fundit i tyre në Kosovë. Sot, po të njejta gjëra thuhen e tregtohen nëpër tavolinat diplomatike. Fjalori dhe narrativa e Albin Kurtit, në pa dijën e tij se po fliste me humoristët rus, ishte një revelacion i qartë se çfarë po tregtohet kundër Kosovës në ambientet e mbyllura ndërkombëtare.

Në nivelin e saj, Saranda Bogujevci është vetem një viktim e dyfishtë e një politike e diplomacie e cila e tejkalon për së largu. Ajo është shërbyesja e pa vetëdijshme, e pa vullnetshme dhe e pa sherr e një projekti më të madh brenda të cilit është vetem një element simbolikë.

Ajo ka filluar ti shërbej këtij projekti prej kur u rrëfye para xhelatit të saj në Beograd mbi vuajtjet të cilat ia kishte shkaktuar. Kjo është një formë pajtimi në mes viktimës dhe xhelatit në kurriz të heroit. Kjo është një formë e bashkëndjenjës së një historie në mes viktimës dhe xhelatit ku rezistenca, lufta dhe heroizmi nuk kanë vend. Ashtu siç nuk është lufta e UCK-së në këtë foto; ashtu nuk është heroizmi i saj në asnjë element të qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Jemi nën një qeverisje ku viktima është epiqendra e historisë dhe e politikëbërjës. Andaj edhe çdo ndërmarrësi, çdo përpjekje, çdo tentativë për ta ndryshuar gjendjen apo për ta zhvilluar vendin është e papranueshme. Është në psikologjinë e viktimës ta pësoj situatën, jo ti dalë zot situatës.

(Autori është anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës)

Lajme të ngjashme