Si ta dëgjojmë heshtjen e çuditshme amerikane në raport me krizën në Kuvendin e Kosovës?
Shkruan: Afrim Kasolli
Kuvendi i Kosovës dështoi për të 23 herë për t’u konstituar. Përkundër spekulimeve mediale, se sot pritej të dilte “tymi i bardhë” në konklavën parlamentare, përsëri “tymi i zi” doli nga çatia e këtij institucioni. Në këtë mënyrë bllokada vazhdon dhe kriza po thellohet.
Mirëpo, që kur ka filluar kjo zallamahi është vërejtur një heshtje e çuditshme diplomatike e përfaqësueseve të SHBA-së lidhur me të. Diçka e pazakontë duke marrë parasysh ndikimin dhe involimin që ky shtet e ka pasur tradicionalisht në proceset e brendshme në Kosovë. Madje deri më tani ende nuk ka emëruar as ambasador në Prishtinë.
Sidoqoftë, indiferenca e SHBA-ve në raport me zhvillimet e fundit është duke dalluar nga qëndrimi i disa shteteve evropiane me theks të veçantë të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë. Diplomatët e këtyre shteteve, ka kohë që janë duke bërë thirrje për krijim urgjent institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Të njëjtit nuk kanë nguruar të jenë edhe kritik me refuzimin e partisë fituese të zgjedhjeve, për të mos e ndërruar kandidaten e tyre për kryetare, siç po kërkon “opozita”, si parakusht për ta zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ky paradoks ka shtruar shumë dilema e hamendje me theks të veçantë se si duhet ta dëgjojmë heshtjen amerikane? Pra çfarë mesazhi janë duke transmetuar deri sa nuk janë duke folur? Në këtë mënyrë, janë ngritur dyshimet, se SHBA-të po abdikojnë nga përgjegjësia e deritanishme për shtetin e Kosovës. Apo se të njëjtit për shkak të fokusimit në shumë vatra tjera të nxehta gjeopolitike, sikur se lufta në Ukrainë, kriza e paprecedent humanitare në Rripin e Gazës, tentimi për marrëveshje me Iranin me qëllim kufizimin e ambicieve bërthamore të këtij shteti, si dhe lufta tregtare me Kinën, i ka shpenzuar energjitë e tyre diplomatike, për t’u angazhuar edhe në sherrnajën politike të liderëve të Kosovës. Apo edhe mbase në këtë mënyrë, mëtojnë t’u thonë veçanërisht britanikëve dhe gjermanëve, se një pjesë e popullaritet të Kurtit është edhe rezultat i mbështetjes së tyre, prandaj tash është obligim i Londrës dhe Berlinit ta menaxhojnë investimin e tyre diplomatik në Kosovë.
Të gjitha këto pandehma mund të jenë të vërteta. Mirëpo, njëra nga arsyet kryesore të tërheqjes amerikane mund të jetë edhe fakti sepse të njëjtit dëshirojnë ta privojnë liderin e Vetëvendosjes nga kauza e viktimizimit. Sepse, Albin Kurti nuk është se nuk ka përfituar politikisht pikërisht duke i kulafikuar intervenimet beninje të këtij shteti si anti-demokratike. Për më shumë, sa më tepër që është konfrontuar me përfaqësuesit diplomatikë të Uashingtonit aq më tepër është rritur elektoralisht. Shembull tipik i kësaj tendence mund të merret edhe rasti i rrëzimit të Qeverisë Kurti 1. Prandaj, duket që me këtë qasje të re, amerikanët janë të vendosur të mos ia ofrojnë publikisht liderit të Vetëvendosjes armikun e kërkuar planetar se si me konspiracione ndërkombëtare po e minon vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës./TVArbëria/