Si mund të përmirësohet sundimi i ligjit në Kosovë? - NACIONALE

Si mund të përmirësohet sundimi i ligjit në Kosovë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Lirik Veselaj

1.
"Prioritet mbi prioritete mbetet sundimi i ligjit”, ky mbase mbetet postulati më i cituar – nxjerr nga motot elektorale, e çdo kryeministri dhe ministri të Drejtësisë në Kosovë, të paktën pas shpalljes së pavarësisë e këndej. Por prapa këtij postulati nuk ka qëndruar as edhe për një herë të vetme ideja se si në të vërtetë do të duket një shtet me sundim të mirëfilltë të ligjit. Duke qenë se drejtësia kosovare ka pasur hendikepet e veta, të shkaktuara nga varësia e saj prej gjyqësive paralele (e UNMIK-ut dhe e EULEX-it), një prerje nga e kaluara dhe krijimi i autonomisë së institucioneve të drejtësisë, për fat të keq edhe më tutje duket si një mission impossible.

Drejtësia për qytetarët kosovarë është një e “drejtë e rezervuar” e cila s’iu takon atyre. Ata janë të vetmit qytetarë në kontinentin evropian ndaj të cilëve drejtësia nuk ndan drejtësi. Fakti se asnjë aktgjykim i gjykatave kosovare nuk mund të apelohet ndërkombëtarisht, për arsyen më ironike të shekullit, se shteti i Kosovës nuk është anëtar i Këshillit të Evropës (KE), tregon se sa të huajësuar janë me drejtësinë qytetarët kosovarë.

2.

Për ta thjeshtësuar tërë kompleksitetin e krizës mbi drejtësinë tonë, duhet nënvizuar faktin se drejtësia kosovare përballet me katër probleme themelore, të cilat më pas derivojnë edhe shumë të tjera.

Mungesa e profesionalizmit

Ndonëse Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë analizojnë shumë aspekte personale dhe profesionale, çuditërisht cikli i “inflacionit” me gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë mungesë të theksuar të profesionalizmit, vazhdon sot e këtu. Mjafton që të lexojmë aktvendime/aktgjykime, apo aktakuza, për ta kuptuar se çfarë niveli i profesionalizmit pasqyrohet në tërë sistemin.

Përveç gabimeve drejtshkrimore dhe teknike, thirrjet në dispozitat e përcaktuara ligjore janë jashtë çdo konteksti dhe si të tilla i konfuzojnë palët procedurale. E, aty ku ka mungesë profesionalizmi padyshim se do të ketë edhe mungesë të drejtësisë.

Si pasojë e mosprofesionalizmit qytetarëve kosovarë u mungon siguria minimale juridike, duke i ditur rastet në të cilat (për shkak të volumit të lëndëve) një i pandehur ka qëndruar në paraburgim për më tepër se tri vite, gjë kjo e ndaluar përveç se me akte vendore edhe me konventa ndërkombëtare.

Një veting i mirorganizuar, pa ndikime politike dhe me ekspertizë ndërkombëtare, do të ishte një proces i domosdoshëm. Përmes këtij procesi do të zvogëlohej numri i personelit në gjykata dhe prokurori duke u bazuar mbi parimin “qëndron kush është më i forti profesionalisht”. N

Në shikim të parë kjo gjë do të dukej e paarsyeshme, pasi që numri i lëndëve në gjykata dhe prokurori është shumë i madh dhe kohëzgjatja e trajtimit të tyre është enorme, por deri në finalizimin e vetingut drejtësia kosovare do të mbetej “under constraction” dhe lëndët që do të trajtoheshin do të ishin vetëm ato të natyrës urgjente.

Veç kësaj, edhe përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj do të duhej të bëhej nën diskrecionin e një komisioni për veting për një periudhë 10-vjeçare, pas rikonfigurimit gjithëpërfshirës të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Menaxhimi joefikas i lëndëve

Do të duhen 3 vjet që gjykatat kosovare të të tri niveleve (themelorja, e apelit dhe supremja) të mos pranonin lëndë të reja, në mënyrë që ato aktualet të zgjidheshin.

Për ta zënë hapin e koherencës së zgjidhjes së lëndëve në gjykata do të duhej që Ministria e Drejtësisë të ndërmerrte iniciativën për ta përgatitur një “Program Nacional” i cili do të përbashkonte aktorë të shumtë institucionalë: Ministrinë e Drejtësisë, gjykatat, prokuroritë, odat (e Avokatëve, e Noterëve, e Përmbaruesve, e Falimentuesve etj), fakultetet juridike të të gjitha universiteteve në vend etj., në mënyrë që të rritej numri i personelit gjyqësor dhe administrativ dhe si rrjedhojë për 3 vite pune intensive do të bëhej menaxhimi i lëndëve dhe kështu drejtësia kosovare, më në fund, do të fitonte shansin që të gjykonte me kualitet, pa e pasur presionin e stivës së lëndëve të pazgjidhura.

Kështu, kur gjyqtari do të merrte nën gjykim një lëndë, të gjitha veprimet procedurale do t’i ndërmerrte në funksion të lëndës së caktuar (p.sh: ftesa e dëshmitarëve, pranimi i parashtresave, caktimi i seancave, nxjerrja e aktvendimeve) dhe pas nxjerrjes së aktgjykimit, gjyqtari do të kalonte në lëndën tjetër.

Mos-aplikimi i mekanizmave alternativ të drejtësisë

Bizneset kosovare nuk janë treguar të vëmendshme (së paku deri më sot) për mundësitë alternative të zgjidhjes së kontesteve në vendin tonë. Arbitrazhi dhe Ndërmjetësimi janë dy mekanizma me anë të së cilëve mund të zgjidhen kontestet mes bizneseve. Përparësitë e këtyre dy mekanizmave të cilët janë të përcaktuar me ligje të veçanta janë të shumta krahasuar me Gjykatat – përparësia më e rëndësishme është që kontesti trajtohet dhe zgjidhet shpejtë, gjë kjo e domosdoshme për bizneset, të cilat nëse deponojnë padi në Gjykata të rregullta do të marrin Aktgjykim, sëpaku pas tri vitesh.

Mungesa e edukimit ligjor të publikut

Ministrat e Drejtësisë së Republikës së Kosovës në vazhdimësi janë mbështetur në alibinë se autorizimet e tyre të kufizuara nuk lejojnë që të ndikojnë në rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe prokurorive. Nëse këtë alibi e marrim si të mirëqenë, Ministria e Drejtësisë duhet që të gjitha politikat e saj t’i orientojë kah edukimi ligjor i publikut. Nuk është i ekzagjeruar fakti nëse do të mendohej që mësimet themelore mbi të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, pastaj mbi rolin dhe rëndësinë e institucioneve të drejtësisë etj., nxënësit të fillojnë të mësojnë që nga shkolla fillore etj.

3.

Për realizimin e rekomandimeve të dhëna nga autori i kësaj eseje kërkohet vullnet, së pari nga institucioni prej ku buron ligji dhe drejtësia - Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndikimi i të cilit tejkalon secilën pengesë të mundshme, kalon nëpër vetë institucionet e drejtësisë - gjykata dhe prokurori dhe përfundon në mendjen e gjyqtarit apo prokurorit të rëndomtë, i cili do të duhej ta kryej me shumë seriozitet rolin të cilin ia ka caktuar shoqëria: ndarjen e drejtësisë bazuar në sundim të ligjit, në etikë humane dhe besim në Zotin.

*AUTORI I KËSAJ ESEJE ËSHTË STUDENT I NIVELIT MASTER NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS (UP) DHE PRAKTIKANT-AVOKAT NË ODËN E AVOKATËVE TË KOSOVËS (OAK).

Lajme të ngjashme