Si i gjeti ky 28 Nëntor shqiptarët? - NACIONALE

Si i gjeti ky 28 Nëntor shqiptarët?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Çdo 28 nëntor krahas entuziazmit kombëtar, atmosferës ngazëlluese si dhe nderimit e përkujtimit të të rënëve në altarin e lirisë, shtrohen edhe pyetja dhe dilema mbi fatin e shqiptarëve si dhe pozicionin e tyre politik dhe strategjik. Pra edhe një lloj gjenealogjie mbi rrugëtimin përbashkët historik. Sukseset, dështimet, sfidat dhe vështirësitë shoqërore, kulturore dhe kombëtare. Dhe për më shumë ku janë ata sot në raport më këtë datë sublime të shqiptarisë , e cila edhe shënon momentin themeltar të shtetit shqiptar, të shpallur me 28 nëntor të vitit 1912 nga Ismail Qemali.

Siç dihet, çështja shqiptare filloi të imponohet si njëra nga kauzat e pazgjidhura nacionale në fund të shekullit 19-të në vorbullën e Krizës Lindore. Dy shtysa themelore e formuan ketë projekt. Shkëputja nga Perandoria Osmane si dhe orientimi perëndimor. Veprat si “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” apo sentencat “Dielli për shqiptarët lind në Perëndim” janë pjesë e këtij traktati politik. Kjo lëvizje mori emrin “Rilindja Kombëtar” si sublimin i veprës së lavdishme heroike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Ndërkohë, me 10 qershor të vitit 1878 në qytetin piktoresk të Prizrenit, u hodhën themelet organizative të Lidhjes së shqiptarisë. Me këtë kthesë filloi mobilizimi politik kombëtar nga të gjitha trevat për t’u organizuar si politikisht ashtu edhe ushtarakisht në mbrojtje të territoreve dhe qyteteve të rrezikuara shqiptare nga apetitet pushtuese të vendeve fqinje. Po ashtu, edhe imponimi i çështjes shqiptare në forumet ndërkombëtare. Lidhja e dërgoi një delegacion të drejtuar nga Abdyl Frashëri në Kongresin e Berlinit. Ndonëse, kërkesat kombëtare të delegacionit shqiptar nuk u morën parasysh nga kancelaritë diplomatike të kohës, si dhe pas tri viteve rezistencë Lidhja e Prizrenit u shtyp nga Porta e Lartë, megjithatë ideja që flakëroi nga ky angazhim mbeti gjallë si forcë motorike politike dhe historike.

Ajo u shndërrua në inspirim për shumë nga kryengritjet e fillimi të shekullit 20-të, deri sa e dërmuan Perandorinë Osmane. Nga këto rrethana përfituan shtetet ballkanike të cilat në vitin 1912 i shpallën luftë kësaj të fundit për t’i shndërruar në peshqesh lufte territoret që ajo i zotëronte deri në atë kohë në Ballkan. Në këto rrethana shqiptarët e shpallën shtetin shqiptar me 28 nëntor të viti 1912, në qytetin e Vlorës.

Mirëpo, mjerisht për shkak të mungesës së mbështetjes nga fuqitë e mëdha të kohës, ky shtet lindi i përgjysmuar. Konferenca e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913 e vulosi këtë fat tragjik. Asgjë nuk e shpreh më mirë këtë padrejtësi historike se sa konstatimi i Sekretarit të Jashtëm britanik, Eduard Grey se e “flijuam Shqipërinë për të ruajtur paqen në Evropë”. Por, duke qenë se çdo paqe e ndërtuar mbi padrejtësi nuk mund te mbahet gjatë, pa kaluar dy vite në fund përsëri Evropa u përfshi nga lufta e madhe (1914-1918). Natyrisht, përfundimi i kësaj lufte përsëri ishte i pafavorshëm për shqiptarët sepse nën flakët e saj u dogj Perandoria Austro-Hungareze, e vetmja fuqi e kohës, që e kishte marr në mbrojtje çështjen shqiptare si kundër peshë ndaj imperializmit rus. Kurse, Shqipëria londineze shpëtoi në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, falë një mrekullie tjetër historike, daljes në skenën ndërkombëtare të SHBA-ve dhe programit për Vetëvendosje të ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson,

Kështu, përgjatë gjithë shekullit 20-të mbi shqiptarët u imponuan dy sfida strategjike. E para mbijetesa kombëtare nga planet sllave për asimilim, dëbim, dhe spastrim etnik në territoret që mbeten jashtë shtetit nukleus shqiptar si dhe korrigjimin e kësaj padrejtësie. Ky proces u zhvillua me shumë krajata, humbje, sakrifica dhe tragjedi individuale, shoqërore dhe kombëtare.

Në fillim të viteve ’90 kur filloi shthurja e ish-federatës Jugosllave, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u angazhua që kërkesat e saj t’i artikuloi në koherencë me standardet demokratike perëndimore. Qëllimi themelor i drejtueseve të kohës, si Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Rexhep Qosja, Arbër Xhaeferi etj ishte që të diskreditohej narracioni nacional hegjemonist serb dhe doktrina e fashiste e Milosheviqit. Dhe në këtë mënyrë të fitohej mirëkuptimi ndërkombëtar për kërkesat e shqiptarëve . Kjo edhe ishte arsyeja që shqiptarët e bënë edhe një kompromis. Ku në vend të kërkesës së drejtë historike për bashkim kombëtar u përcaktuan për zgjidhje legale të kauzës së tyre. Kjo frymë mori hov nga flijimi legjendar i familjes Jashari dhe kulmoi me çlirimin e Kosovës me luftën e UCK dhe intervenimin e NATO-së të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu nata e gjate e robërisë përfundoi me agimin e lirisë.

Shekulli i 21-të filloi si shekull i shqiptarëve. Shqipëria në saje të proceseve demokratike gradualisht e filloi ankorimin në shtratin e saj të natyrshëm kulturor dhe historik perëndimor. Ajo u bë vend NATO-së, aqleancës më të fuqishme planetare dhe sot është në rrugën e saj të pandalshme drejt integrimit euro-atlantik. Kosova, e shpalli pavarësinë më 2008 duke siguruar njohën shtetërore nga më shumë se 100 shtete. Në të njëjtën kohë konsolidimi shtetëror është një proces i pandalshëm, megjithë vonesat që mund të imponohen. Po ashtu, u përmirësua pozita shtetërore, juridike dhe politike e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, falë kryengritjes së drejtuar në vitin 2001 nga njëra prej figurave ikonike të historisë kombëtare, Ali Ahmeti. E pjesa që është duke i vuajtur më shumë pasojat e një politike armiqësore kundër shqiptarëve mbetet Lugina e Preshevës.

Ky zhvillim policientrik i shqiptarëve nuk do të thotë se tashmë shoqëritë tona po jetojnë parajsën e ëndërruar, si dhe nuk kanë probleme. Përkundrazi, secila prej tyre përballet me sfida të jashtëzakonshme. Sidomos sot në një kohë kur rendi ndërkombëtar nga i cili përfituan më së shumti shqiptarët, po bëhet gjithnjë e më fragjil. Si dhe po sfidohet nga shtetet autokratike me ambicie revizioniste gjeopolitike që po ashtu janë armiqësore ndaj shqiptarëve.

Mirëpo, nëse na ka mësuar diçka ky rrugëtim historik është fakti se krahas angazhimit kombëtar edhe qartësia strategjike që u inagura e në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar janë dy nga shtyllat kryesore që e mbajnë në rrugë të drejtë kauzën tonë kombëtare./tvarbëria/

Lajme të ngjashme