Shqiptar-ikësit - NACIONALE

Shqiptar-ikësit

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Ka përnjëmend shqiptarë që mendojnë të rrnojnë në vendin e tyre.

Migrimi masiv deri në përmasa eksodi do të ishte gjysma e së keqës nëse ikanakët dhe krejt ata që mendojnë të largohen me teshë e koteshë gjatë natës do të mjaftoheshin vetëm me largim.

Këta njerëz që vetëm hijen e kanë këtu dikur edhe largohen fizikisht në dhé të huaj.

Por ty ta lënë gjithë depresionin, zymtinë dhe humbashpresën e tyre.

Ikja e tyre, tash e një dekadë, nuk doli të ishte arratisja e ëndërruar e as përmbushje e ndonjëfarë synimi.

Për arsye që edhe nëse kuptohen mbesin të pashpjegueshme, shqiptar-ikësi ndjen nevojë që ta shkallmojë psiqikisht shqiptarin që mendon të jetojë këtu.

Shqiptar-ikësi është shndërruar në depresiondhënës, në valë 4G të toksicitetit e negativitetit.

Shqiptar-ikësi këqyr që papërmbushjen e vet jetësore ta shndërrojë në një relacion të pashkoqitshëm me shqiptarin që përmeqatet këtu.

Si popull i mbijetuam disa projekteve shqiptarozhdukëse nga rrethepërqarku, por pyetja është si do të mbijetojmë përballë shqiptar-ikësve që na depresionojnë?

Col Mehmeti

Lajme të ngjashme