Shfaqja morbide në mesnatë
Shkruan: Berat Buzhala
Ky është momenti kur Albini u kërrus pak dhe tha: “Faleminderit, natën e mirë.” Ora shënonte fiks 00:00.
Kjo që ngjante mbrëmë, bazuar në fytyrat e të pranishmëve, dukej si komemoracion. Këta poshtë ishin kortezhi funebër, ishin pjesëtarët e paradës funerale, që ftoheshin çdo tri-katër orë në sallë.
Këta sipër ishin gjithçka. Herë dukeshin si personat përgjegjës për kryeshëndosh, herë si vrasësit, herë si të dyjat. Herë zgërdhiheshin, herë ngryseshin.
Posaçërisht ky në foltore.
Kanë me kaluar dekada, ndoshta, e ne nuk kemi për ta pasur mundësinë ta replikojmë një teatër të ngjashëm.
Moderatorja, Albulena, mbrëmë e kishte vënë maskën e zonjës së qetë, melankolike, asaj që lutet dhe përgjërohet, e po qe nevoja, edhe qan.
Por kjo ishte pjesa e dytë e librit.
Në pjesën e parë të të njëjtit libër, është Albulena ajo që i furnizon burrat me municion. Prandaj, nuk ke kuptuar asgjë nëse nuk i ke lexuar të dyja pjesët e kësaj novele psikologjike. Kësaj drame perverse, ku viktima dhe vrasësi janë i njëjti person.
Fantastike, posaçërisht kukullat poshtë, për të cilat ky sipër thoshte se ishin sovrani, që vendosnin për vendin, që vendosnin me plot ndërgjegje dhe dinjitet për të ardhmen. Që votonin me vota të fshehta. Madje, njëri, tha ky sipër, e kishte pasur kurajën edhe të abstenonte.
Kaq të lirë ishin ata. Njëri kishte abstenuar, kurse 63 të tjerë kishin votuar në favor të zonjës Feride, kandidates së nderuar të shoqërisë civile, të nominuarës për çmimin Nobel.
Si e humbëm këtë mundësi. E patëm të nominuar të nominuarën për çmimin Nobel.
Kurse kandidaten tjetër nuk e pamë, por dëgjuam për të. E dëgjuam këtë sipër duke e falënderuar nga thellësia e zemrës, sepse ajo kishte pranuar t’ia hapte rrugën kompromisit, duke u tërhequr nga gara.
Çfarë sakrifice. Mu në mes të garës për Presidente, ajo tërhiqet. Në favor të saj, në raundin e parë, ishte një abstenim. Pra, nuk kishte votë PRO saj, por kishte abstenim.
Abstenimi ishte diçka në mes. Nuk i dihej, ndoshta në raundin e dytë edhe ajo zonja e dytë do të lobonte fort dhe do të përfitonte territor. Tek e fundit, gara ishte e hapur dhe asgjë nuk dihej. Ndoshta mund të bëhej Kryetare e Kuvendit. Sepse kështu janë këto gjëra.
Shfaqja u mbyll në Presidencë. “Feridja dhe Albini” quhej kapitulli i fundit. U tha se edhe ambasadat ishin prapa Ferides, posaçërisht ajo britanike. Se ajo ishte kandidate konsensuale.
Loti vu.