Shef, merr telefonin! Asht presidenti…! - NACIONALE

Shef, merr telefonin! Asht presidenti…!

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Engjell Gjugja

E po çka me ba, jeta qenka nji TikTok i madh! Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka marrë nji telefonatë “serioze” nga, tam-tam tam-tam, , “Presidenti i Letonisë”! Po problemi asht se ai “Presidenti” në fakt ishtin nja dy rus që bën video prank në internet. Po, po, seriozisht! Dy djem nga Rusia, që s’kanë çka me ba tjetër, kanë telefonu Albinin, dhe ai, pa e vërtetu as emnin, ka nis me fol si me shok të ngushtë.

E këtu nis komedia!

Në vend që me u verifiku përmes ambasadës, apo ndonjë zyrtari të Ministrisë së Jashtme, telefonata e Presidentit të “Letonisë” hyri direkt te zyra e Kryeministrit. Domethënë, a thua se po merr nji telefonatë nga halla në Gjermani:
– Alo, kush je?
– Presidenti i Letonisë.
– Aha, hajt se të lidhim me shefin!
- Shef, merr telefonin! Asht presidenti i Letonisë!

Kjo nuk ndodh as te drejtori i shkollës pa u identifiku mirë. E për nji Kryeministër që përfaqëson nji shtet të ri ndërkombëtarisht… turp, me thanë shqip!

Me fol drejt, kjo punë nuk është hajgare. Tregon që institucionet e Kosovës janë pa “antivirus”, jo për kompjuterët, por për mashtrime politike. Asnjë procedurë për me vërtetu kush flet në telefon, asnjë protokoll për thirrje diplomatike, e mbi të gjitha, asnjë sens dyshimi. Në kohën kur edhe adoleshentët e Kosovës verifikojnë profilet në Instagram para se të flasin, Kryeministria e Kosovës futet në muhabet me “Presidentin e Letonisë” si me qenë kushëriri nga diaspora. Janë mësu me diasporën, s’kanë faj.

Mos mendoni se këta dy “piqurkat” (kërpurdha që dalin pas shiut) ruse janë kot. Ata e dinë shumë mirë çka bëjnë. Ky duket që ishte nji operacion psikologjik, nji mënyrë strategjike për ta poshtëru Kosovën pa pas nevojë për ushtri. Ata, nga pyetjet, u panë që kanë njohuri mbi qëndrimet e Kurti për Europën, për NATO, dhe nxorrën në pah:

  • Si flet për armatim,
  • Si flet për kundërshtarët politikë,
  • Si flet për amerikanët (përfshi këtu nji koment të sikletshëm për ish-emisarin Richard Grenell).

Veç të ndalemi pak tek emrat të cilët “piqurkat” ruse i kanë provoku: Macron (këta u shtirrën si presidenti i Ukrahinës duke diskutu çështje të sigurisë dhe konfliktin në Donbas), Boris Jonson (u shtirën si kryeministri i Armenisë), Trudeau (u shtirën si Greta Thunberg), Edogan (u shtiren si presidenti i Ukrahines duke fol per marrëdhëniet ruso-turke) – këto ndodhin vetëm kur protokollet dhe verifikimet neglizhohen!

Të themi të drejtën, ky nuk ishte vetëm turp, por nji leksion falas për gjithë institucionet:

Verifikoni kush ju merr në telefon, s’është turp me pyet dy herë. Jo çdo njeri që flet bukur asht President.

Trajnoni stafin për mashtrime digjitale ose së paku vendosni nji sekretar që e di kush asht President e kush është youtuber.

Krijoni nji zyrë për komunikim strategjik, se kur ju tallin live në internet, nuk del me thanë: “Ishte gabim njerëzor.”

Populli shpesh thotë: “Asht normale me kanë i çuditshëm, por jo i çuditshëm dhe kryeministër.” Sepse kur je në nji tavolinë diplomatike hajde merre me mend se si të trajtojnë ndërkombëtaret! Ani pas kësaj të Grenellit!

Ky episod s’duhet të fshihet me justifikime, e as të bahen krahasime me kryeminister të cilëve ju ka ndodh ky fenomen ma herët. Përkundrazi, duhet të përdoret si moment reflektimi:

  • A jemi shtet serioz apo nji reality show ballkanik më këtë qeverisje?
  • A jemi gati për sfidat e diplomacisë moderne apo duam të bëhemi meme në internet?

Përgjigjja varet nga reformat që do të ndërmarrim sot.

Epo në fund i nderuar kryeminister: kjo quhet luftë hibride dhe kabinet i juaj ra preh e saj!

Lajme të ngjashme