Shantazhi dhe kërcënimi për Vjosa Osmanin: Çka duhet me bo opozita?
Ka momente ne jete kur para vetes i ki veç dy zgjidhje.
E ti e din që dyjat janë të këqija.
Cilën të keqe e zgjedh?
Refleksi i parë, instinktiv dhe intuitiv, është gjithmonë i njëjtë:
Me e zgjedhë të keqen që të dëmton ma pak në momentin që e merr vendimin.
Në jetën private, ndonjëherë kjo formulë funksionon.
Sepse si pasoje e vendimeve te gabueshme ne jeten private, nuk lind nje regjim, nje autokraci, nje diktature.
Në jetën publike, kur e zgjedhe “të keqen ma të vogël” ti nuk po e zgjidhe nje problem te madh, vec je tuj e shty.
Thjeshte e ki pi nje xanax.
Ti je tu ia dhënë dikujt një manual shantazhi për katër vjet.
Jeta publike dhe institucionale nuk matet me dite e me jave, ajo me cikle dhe mandate.
Kur ti e pranon frikën si logjikë, frika kthehet në rregull loje.
E tash, hajde te kalojme konkretisht te rasti i jone.
Opozita, pa u shëru mirë prej traumës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit, tash e ka përpara një vendim që po i vjen si ultimatum:
A do ta votoni Vjosa Osmanin edhe për një mandat, apo jo?
Mirëpo kjo pyetje nuk lexohet si pyetje, por si kërcënim.
Lexohet kështu:
“A po e votoni? A përndryshe…”
Dilema reale është kjo:
A po pranoni me ia dhënë Albin Kurtit, edhe një herë mundësinë me i pasë nën kontroll nyjet kryesore të shtetit, jo pse ju besoni se kjo është e drejtë…
…por pse po tutesh prej zgjedhjeve ne prill?
Rezultati pothuajse fatal i 28 dhjetorit i ka shkaktu opozitës një PTSD të rëndë politike, një çrregullim post-traumatik.
Pra, ajo gjendje kur një parti, pasi e ka marrë një goditje, nuk vendos ma me bindje, por me panik, me instinkt mbijetese.
Vendos duke e pasë këshilltar jo arsyen, jo parimin, po tutën.
Dhe kur tutën e ban këshilltar, ajo t’i prish krejt planet. Ta humb arsyen.
E tash, le t’i qesim dy opsionet qartë.
Opsioni i parë:
Nëse opozita nuk e voton Vjosen, rrezikon që vendi me shku në zgjedhje, rrezikon që Kurti me u rritë. Rrezikon që ai, në fund, me e zgjedhë prapë vetë Vjosen. Pra, rrezik.
Opsioni i dytë:
Opozita e voton Vjosen pa kushte, e shtymë prej frikës. E voton jo se e beson si vendim të drejtë, po se “po na mytin në zgjedhje”.
Pra, nënshtrim i paketum si “arsye”, si nevojë kombëtare.
Pra, edhe ne versionin e pare edhe ne versionin e dyte, efekti i njejte.
Tash vjen pyetja kryesore e editorialit:
Cilin opsion me zgjedhë?
Unë kisha thanë: ma mirë me e zgjedhë opsionin që e beson se është ma parimor.
Jo opsionin që të duket ma i lehtë sot.
Në politikë, “me e ul tensionin sot” është mënyra ma e mire me e ngritë shantazhin nesër, sepse kjo logjikë kthehet në standard.
Çdo vendim i vështirë i pushtetit, ku duhen vota të shumta, ka me ta sjellë të njëjtën fjali: “O votoni, o zgjedhje.”
A doni me i kalu katër vjet para murit të pushkatimit? Katër vjet tu u qeverisë prej tutës?
Tuta është këshilltari ma i keq i njeriut.
Të shtyn me e mbrojtë fatin tand politik.
Dhe po, këtu hyn edhe LDK-ja, e në veçanti Lumiri.
Sepse kur një kryetar partie hyn në fazën që vendos prej panikut, ai mundet me qenë plot sende, por jo edhe udhëheqës i besueshëm politik.
LDK-ja sot ka nevojë për kryetar legal dhe legjitim.
Jo veç legal.
Një LDK “as anej as knej”, një LDK që s’di a është opozitë a është bisht i pushtetit, s’i duhet askujt.
Mirëpo, edhe këtu vjen një pikë e rëndësishme:
opozita nuk guxon me e perserite gabimin e vitit te kaluar, duke u shnderru ne nje aparat automatik te votimit Jo, Sepse atëherë bëhesh material për eksperimente.
Bëhesh test laboratori i pushtetit.
Prandaj unë e shoh kështu:
partitë opozitare që dolën keq në zgjedhje duhet me u ulë bashkë.
Me dalë me një qëndrim dhe me një propozim.
Dhe përgjegjësia për me i mbledhë i takon partisë ma të madhe opozitare: PDK-së.
Pyetjet që duhet me u shtru janë të thjeshta, konkrete:
A kemi ndonjë kusht për me votu Presidentin?
A kemi ndonjë emër tjetër për president, ma të mirë se Vjosa? Nëse po, kush është dhe pse?
Nëse jo, pse jo?
E nëse opozita vendos me e votu Vjosen, pse mos me pase ndonje kusht qe publiku e mirekupton, e jo votu prej tutes.
P.sh.: “Mundemi me e votu Vjosen, por në paketë kërkojmë balancë institucionale.”
“Mundemi me e votu Vjosen, por kërkojmë që institucionet kyçe, si Gjykata Kushtetuese, me u plotuesu me gjyqtar te pavarur, e jo me u kape prej pushtetit.”
Nje partie nuk i duhen X deputet per me i mbajte ne vitrinë.
Deputetët lypen me e ushtru funksionin e tyre: me e mbajtë nën kontroll pushtetin,
E nëse ti i ki votat, por s’guxon me i përdorë, atëherë pse po të duhen votat? Pse po ekziston si opozitë?
Opozita sot i ka dy zgjidhje të këqija.
E para, me u dorëzu pa luftë, e me e shitë dorëzimin si “vendim i arsyeshëm”, kur krejt e din që është vendim i tutës.
E dyta, me thanë qartë, me dinjitet, që nuk voton kundër bindjes politike veç pse dikush po të shantazhon me zgjedhje.
Jo me inat. Jo me histeri. Po me parim. Me plan. Me koordinim. Me alternativë. Me kusht.
Se në politikë, kur e pranon frikën një herë, ti e merr frikën si partner për katër vjet.