Sadakëpolitika, shit dinjitetin e merr njëqindëshen
Zgjedhjet në horizont do t’i kenë rezultatet pakashumë të njejta.
Edhe sikur të shyheshin kah korriku kur vijnë banorët e lumtur jorezidentë, edhe nëse mbahen tamam në fillimqershor kur këtu janë vetëm banorët më pak të lumtur rezidentë, nuk duket trohë ymyti se regjimi të jetë më pak i votuar.
Kur në zgjedhjet e vjetme lokale regjimi e kreu testin e parë të suksesshëm të sadakizmit – le ta sajojmë fjalërenë ‘sadakëpolitika’ – beteja e radhës ishte fituar pa nisur.
Si pasojë e një disfatizmi të pashpjegueshëm moral të opozitës, regjimi albinkurtist e hoqi qafesh atë sikletin e dikurshëm nëse ky ose ai sondazh i qet mangut me përqindje ose nëse ka rënie këtu a atje.
Sadakëpolitika, domethënë shpërdorimi i paskrupullt i parasë publike për parazitizëm shoqëror, është e aftë për t’i shtrirë për toke një mijë kritika të shëndosha, argumentime a diskutime.
Nuk ekziston as legjendë urbane ku një njeri t’i ketë thënë ‘jo’ asaj që duket si para e falur; nuk ekziston as imagjinativisht njeriu që e përplas për toke tabakun e mëshirës sociale.
Nëse andej Drinit, Rama e mjeshtroi një sistem kompleks që lejon pasurimin masiv, ky këndej Drinit e mjeshtroi një sistem disi më të përçudtë ku secilin e bëri nevojtar për sadakë nga shteti.
Dhe te nevojtari dita-ditës e dora-dorës, rezistenca morale bëhet më e mekur e dinjiteti më i munguar.
Motikohë, ekonomisti amerikan Albert Hirschmani e botoi librin ndikimplotë Exit, Voice and Loyalty; kur jemi kaq fatkeq e kaq në hall, gjithmonë e në gjithçka do të gjejmë një copë që na flet për gjëmën tonë.
Shumica e qytetarëve fillimisht i qëndrojnë pip në këmbë shtetit të tyre duke shfaqur besnikëri (prandaj, Hirschmani e trajton loyalty-n).
Kur gjërat nisin të bëhen hallakamë, ata e ngrenë zërin (Voice) me protesta a çkadoqoftë që shpreh pezm.
Vetëm kur ata nisin ta kuptojnë që përpjekjet e tyre janë të kota, ata turren drejt daljes (Exit), duke e marrë udhën e kurbetit, psikologjikisht duke e humbur interesimin në politikë, ose duke hequr dorë nga çdo asocim social.
Tani nëse e lëmë anash librin e Hirschmanit, këtu ka kohë që është bërë copë e grimë ajo që dikur i frikësonte njerëzit në pushtet, ajo që quhet qëndrueshmëri (resilience). VV-ja e nxori një shoqëri të tërë në ‘exit’.
Kështu përballë një shoqërie të dorëhequr e rezignuar, sadakëpolitika e Kurtit e penetroi edhe strehëzen e fundit të dinjitetit e krenarisë.
Sadakë për studentë, sadakë për pensionerë, sadakë nëse e mbjell një lehë me qepë e kastraveca, sadakë për arën me misër e grurë, sadakë për këtë e sadakë për atë.
Para se të bëhet pyetja si mposhtet albinkurtizmi duhet shtruar një pyetje tjetër: ‘A i zhbind dot njerëzit që nuk shtyhet gjithmonë me sadakë shteti? A çmësohen nga tabiatet e mësuara mbrapsht?’
Lufta kundër albinkurtizmit nuk bëhet as në zgjedhje e as para tyre sepse bëhet fjalë për një gjendje mendore që jeton përtej anës së thjeshtë të gjërave.
Albinkurtizmi do të rrokotelet midis hedhurinave të historisë vetëm atëherë kur të kuptohet që shteti i gjymertë nuk është krenar e sovran siç iluzionon.
Ai shtet që mbërrin shtetasve të vet t’iu japë sadakë disa herë në vit, ai duhet që pjesën tjetër të kohës ta mbushë me rrëfime krenarie kombëtare, me flamuj sovraniteti e dinjiteti. Sepse përtej kësaj nuk ka gjë çfarë të ofrojë në një botë inovimesh, AI-je e kreativiteti.
Në këtë kopsht shkëmbor të Evropës Juglindore, shumë nga historitë tona janë të tilla, pa fije dinjiteti, zgjatje e dorës lypëse tek secili. Një mjerim migjenian: “Zotni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!”
Dhe kjo ndodh pikërisht kur njerëzia e elitat e tyre pëshurrin lart duke u mburrur me gjëra të kota, me krenari fisi, me ndjenjën false të adrenalinës sovraniste.
Shqipníja e Enverit mburrej se e krijoi një atdhe legjendar që sprapste armiq, se shijonte dinjitet sovranist dhe se e prodhonte vetë bukën e gojës.
Mburrej njashtu se ishte i vetmi vend në botë pa taksa, mburrej se ishte e vetëmjaftueshme sa nuk i bëhej miftjaq askujt siç shihej nga vëllimet e pakta tregtare me jashtë.
Kjo shitej e blihej vetëm te të burgosurit mentalë, te shtetasit që komunizmi i bëri veramente mendjekomunistë.
Ajo biçim diplomacie që e bënin shokët e shoqet në Ministri të Jashtme ishte fundekrye lypsari faqe botes.
Sapo ambasadori viran përfundonte sharjen e Amerikës dhe Perëndimit në foltoren e OKB-së, shokë e shoqe micërronin me duar të shtrira te secili shtet sivëlla duke iu lutur për ndonjë ndihmë.
Dikur rusëve e më pas kinezëve.
Nikita Khrushchevi kur erdhi n’Shqipní, sapo mbaroi silla e shtruar nga nikoqirët, u rrethua nga duart e shokëve e shoqeve që kërkonin ndihma.
Siç citohet anekdotikisht, Khrushchevi cinik paskësh thënë: “Po ta dija se ndodh kjo, do ta merrja me vete drekën nga Moska”.