Rritja alarmante e dhunës dhe vrasjeve ndaj grave - NACIONALE

Rritja alarmante e dhunës dhe vrasjeve ndaj grave

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Sot kemi edhe një rast të vrasjes ky dyshohet se burri ka vrarë gruan në Pejë. Ne patëm gjatë javës së kaluar një ngjarje tjetër tragjike ku në Ferizaj një grua u vra nga burri i saj. Kjo tashmë po duket sikur një gjendje pandemike!

Historiku i vrasjeve të grave po thellohet dhe databaza me raste vetëmse po rritet. Shkaktarët e situatës dhe sigurisë së grave në Kosovë janë shumë komplekse dhe tepër më të thella sesa që mendohet.

Ne kemi parë që siguria e gruas në Kosovë është më e keqja në Evropë, vetëm pas Ukrainës e cila është në gjendje lufte. Por ne ende nuk jemi një shoqëri dhe shtet që ka kapacitete, vullnet e dëshirë me parandaluar këtë fenomen.

Ndoshta përpos gjykatave jo efektive dhe në disa raste të korruptuara që nuk po i ndëshkojnë sa duhet kriminlët, këtu kemi të bëjmë edhe me disa aspekte sociale.

Me siguri ka shumë të bëjë me familjet dhe mentalitetin patriarkal ku femra dhe gruaja ka rendin sekondar karshi burrit. Kur erdh shteti me bë regjistrimin e popullsisë, mua si burrë deshi të më vendosë automatikisht si 'kryefamiljar'.

Pastaj kemi qindra raste ku në lindje preferohet 'djali'. Kjo është kultura jonë. Mbase gjeneza e kësaj bazon tek varfëria. Ndoshta njerëzve dhe familjeve ju kanë nevojitur djemtë dhe burrat për me punu tokën dhe me ushqy familjen? Sidoqoftë, ky nuk është më rasti dhe kjo kulturë dhe mentalitet duhet ndryshuar. Por kjo nuk ndodhë vetvetiu, me siguri duhen programe komplekse socio-ekonomike për të arritur rezultate të prekshme.

Se si i trajtojmë gratë shifet edhe në ekonomi e tregun e punës. Me qindra herë kam publikuar rreth gati 500,000 grave në moshë pune që janë jashtë tregut të punës. Thujase askujt nuk ju bënë përshtypje ky fakt, po ka ndikim dhe efekt thelbësor! Për shkak se pa punuar dhe pa pavarsi financiare dhe ekonomike, gruaja do të mbetet e diskriminuar nga të gjithë.

Pavarësia dhe të drejtat e gruas fillojnë në punësim, ekonomik dhe mbase në të drejtat dhe mundësitë e barabarta përfshi të drejtat dhe trashgëminë pronësore. Numri i kopshteve për fëmijë gjithashtu ndërlidhet me punësim, për shkak se dikush duhet të kujdeset për fëmijët kur nëna shkon në punë!

Për mua, akti më tragjik ka qenë fakti që në rasti Ferizaj ka ndodhur në qendrën publike ku gruaja duhet të mbrohet. Me fjalë tjera, kjo ka ndodhur në mbrojtje të shtetit. Kjo është pika më kritike. Kjo mund të krahasohet në shumë aspekte me rastin e Astrit Deharin.

Gjithashtu edhe kultura dhe infrastruktura rreth trajtimit të shëndetit mendor është e pamjaftueshme. Ne kemi pasur shume trauma sociale dhe lexojmë secilën ditë nga 4-5 lajme negative. Në secilën shoqëri të botës kjo do të kishte efektin e saj psikologjik. Tek ne kjo asnjëherë deri më tani nuk është trajtuar. Kjo është dicka që duhet kuptuar dhe adresuar me seriozitet të lartë.

Por nuk mjafton që ne të regojmë e të postojmë frustimin tonë në rrjete sociale. Kjo është një fememen kompleks që kërkon veprim të kordinuar shumë dimensional që të arrihen rezultate. Mesiguri që hallka kryesore është tek sundimi i ligjit, ekonomia dhe vetëdijsimi. Por ne ende nuk po tregojmë shenja kredibile që kemi kapacitet dhe vullnet me i adresuar problemet e tilla kompleske.

Përshembull nëse po mendojmë që gjykatat kanë një pjesë të mirë të fajit, ne nuk po dalim protesta as nuk po bëjmë asgjë pos fjalëve me ndryshu gjendjen. As për punësimin e grave nuk po bëjmë asgjë. Përpos fjalëve dhe postimeve, reagimi jonë si shoqëri është shumë i kufizuar. Rrjedhimisht, nuk priten me pas përmirësime derisa ndryshon edhe çasja dhe reagimi jonë ndaj fenomeneve si kjo.

Lajme të ngjashme