Rendin e duam, por rrallë presim radhë - NACIONALE

Rendin e duam, por rrallë presim radhë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Iljasa Salihu

Kundërshtim i njëmend është ai që fillon nga vetja, pavarësisht pasojave. Kurse mirësi e vërtetë është kur në rast gjykimi di të dalësh edhe në anën e tjetrit për ta parë kështu në plotni gjendjen dhe në fund të mos ia bësh tjetrit atë që tjetri nuk do të dëshiroje ta bëje ty. Për fat të keq, si me njërën, ashtu edhe me tjetrën si shoqëri kemi probleme të mëdha. Tjetrit ia shohim mizën, kurse vetes as elefantin nuk ia vërejmë. Tjetri duhet të mos i hedh mbeturinat në rrugë, duhet të pres rradhë, duhet të kujdeset për shëndetin publik e përgjithësisht duhet të përçojë shembull të mirë në jetë.

Megjithatë, veten e përjashtojmë nga këto rende dhe rregulla, sillemi thuasje jemi të veçantë dhe të vetëm në këtë botë, që të krijohet përshtypja se kemi pranuar mandat hyjnor në këtë botë, ndaj ajo që për të tjerët është rregull, për neve është përjashtim, kurse ajo që është përjashim për të tjerët lypset të gjykohet po nga ne.

Kësodore, damarët i fryheshin duke e kundërshtuar kaosin, mirëpo nëse i jepej mundësia të futej pa rend për ta kryer ndonjë punë administrative, damarët i bëheshin fijëza të buta dhe fare nuk vriste mendjen se futja pa rend do të thotë vjedhje kohë dhe nerva atij që kishte vendosur t’i zbatojë rregullat në përpikëmëri. Për rrjedhojë, shkoj për t’i blerë disa gjësende. Përmes blerjes, mes tjerash dua ta ndihmojë edhe xhepin e shqiptarit. Ç’ta shohësh shitësin? Buzëqeshja i kishte marr arratinë diku larg, fjalët mikpritëse ia kishte burgosur zemra e tij e ngushtë, kurse në anën tjetër po ky me buzëqeshje të arratisur ankohet për sjelljen jo të mirë të mjekëve.

Më duhet një mjeshtër për një punë shtëpie. E marr në telefon, më thotë që nesër gjithqysh vjen. Jo të nesërmen, por pas dy javëve vjen dhe të del përpara thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Druan ta hidhërosh se me lehtësi ta braktisë punën dhe golgota e gjetjes së një mjeshtri tjetër zgjatë shumë, sidomos në kohën kur mjeshtrit me të madhe kanë filluar të largohen prej vendlindjes, kurse në anën tjetër po ky duke punuar i kritikon ashpër politikanët, të cilët nuk po punojnë fare mirë për popullin, por vetëm për xhepat dhe xhipat e tyre.

Shkoj në një kafene, gjoja pak për t’u çlodhur! Pas nja dhjetë minutash më afrohet shërbyesi. Më afrohet, por asgjë nuk më ofron. Duket se muskujt e gojës i kishin marrë ndezje. Më pret ta bëj porosinë, pa më përshëndetur fare dhe pa më thënë se çfarë dëshiroj. Larg e më larg të më thotë “zotëri, me çka mund t’ju shërbej”. Ç’të bëj, pas pak dal prej kafenesë me nerva në kryengritje, edhe pse kisha shkuar aty për t’u çlodhur pak.

Me disa miq të ngushtë, shkojmë te një pendë për të notuar e për t’u freskuar. Qysh në hyrje shihet asfalti i hollë, vende-vende i bërë përshesh, të krijohej përshtypja se një i uritur kishte ngrënë pite. Aty e sheh korrupsionin, mbase pasojat e korrupsionit. Aty nuk gjen dot shportë për mbeturina, thuajse aq shtrenjtë kushtojnë disa shporta. Për më keq, aty vështirë është të gjesh njerëz me kulturë publike dhe ekologjike. Shahen, bërtasin, hanë e mbeturinat lirshëm i hedhin në breg të pendës.

Përtojnë, mbase as që i shkon mendja ta marrin një qese për t’i grumbulluar mbeturinat dhe në fund duke shkuar për në shtëpi t’i hedhin në ndonjë kontejner publik, edhe pse ato janë të paktë në rajonin muze. Duke u kthyer për në shtëpi, shoh vetura të shtrenjta, të cilat nuk çajnë kokën për rrugët e ngushta e të parregulluara, por ngasin me një shpejtësi të paparë, kur papritmas e shoh një të tillë seç kishte hyrë për t’i lëruar arat.

Pas pak e hapi fejsbukun. Me qindra fjalë të arta lexoj. Secili më filozof se Seneka dhe secili më dijetar se tjetri, por në anën tjetër, atë praktike, punët mbeturinë e shkuar mbeturinë. Çfarë shkarje e çfarë hipokrizie!

Më vete mendoj! Këto sjellje e ky realitet a nuk i prodhuan këta politikanë, të cilët këto sjellje dhe këtë realitet vetëm se vazhdojnë ta ujisin, ngaqë kështu u pëlqen. Madje, ata janë ne dhe ne jemi ata. Jemi sikurse iriqët, që ferrat më shumë se pllajat i duan. I mërzitur dhe i shkërmoqur prej kësaj sferë pa atmosferë, i shkruaj një letër me vërejtje, këshillë dhe kritikë një deputeti të cilin e njihja më herët, edhe pse doli që nuk e kisha njohur sa dhe si duhet. Thjesht, i shkruaj duke pasur për qëllim mundësinë e ndryshimit. Sakaq, më thotë, “më ofendove me këtë letër”, ngaqë unë nuk ditkam ta shoh realitetin dhe duke e shtrembëruar atë dëshiroj ta ofendoj të fildishtin tonë.

Lajme të ngjashme