Radikalizmi s’asht fe, asht sëmundje - NACIONALE

Radikalizmi s’asht fe, asht sëmundje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Engjell Gjugja

Feja, për me kenë fe e vërtetë, s’duhet me t’shtypë por me t’çu në kambë. Jo me t’mbyllë mendjen, por me ta hapë zemrën. Feja s’asht për me t’bo robot, por për me t’kthy njeri. Po kur ajo humb shpirtin dhe kthehet veç në letra e rregulla, atëherë lind radikalizmi, dhe kjo s’asht ma çështje besimi, por sëmundje mendje.

Radikali fetar s’asht njeri i Zotit. Asht njeri i frikës, i boshllëkut të vet, që do me i kontrollu të tjerët për mos me u përballë me vetveten. Ai nuk beson, ai ka nevojë me u ndje i sigurt, me pas një sistem që s’e le me mendu as me ndje individin. Ai nuk ban pyetje, ai reciton. Nuk lyp të vërtetën, ai kërkon bindje. Nuk ka zemër që lutet, por gojë që gjykon.

Radikali lexon veç si me pas lexu recetë mjeku, pa kuptu hiç pse asht shkru apo kush e ka shkru ashtu apo ku asht shkru! Ai citon, por s’e di pse. E përdor tekstin me goditë, jo me ndriçu. Për të, çdo pyetje asht ofendim, çdo reflektim asht rrezik.

Radikali kujton se asht ma i mirë se të tjerët. Pse? Se asht “i zgjedhun”. Se lutet apo falet shumë. Se i njeh të gjitha rregullat. I shërben liderit si skllav! Po në fakt, ai s’mundet me pa njeriun e lirë që ka përballë si vlla, veç si “i gabum”.

Ai flet për moral, por shpërndan përçmim. Flet për Zot, por vjell vner. Kërkon që shoqnia me u pastru, por veç në formë, jo në shpirt. E harxhon jetën tue u marrë me “të tjerët”. Sepse pa u ba të tjerët si ai, nuk ndihet i sigurtë.

Ai e sheh çdo armik si arsye për luftë. Armiku i ti më i madh asht pikëpamja ndryshe. Ai dëshiron me ndëshku, jo me ndihmu.

Për radikalin, mendimi i lirë asht herezi. Liria e tjetrit asht rrezik. Dëshira për me kuptu ma thellë asht shkarje. Ai nuk do me u përballë me botën reale, por kërkon një fluskë ku gjithçka asht nën kontrollin e tij.

Radikali s’të vret gjithmonë me armë, por me përjashtim. Me përbuzje. Me vështrim që të shkel. Ai nxit ndasi në emën të vlerave. E ban shoqninë toksike në emën të moralit. E mbyt dialogun në emën të të vërtetës. Dhe në fund, e varros Zotin nën peshen e fjalëve të veta.

Shoqnia që ia hap rrugën këtij modeli, tu e quajt “besimtar i devotshem”, asht si me i dhanë mikrofon papagallit, vetëm pse flet bukur, edhe pse s’e kupton çka thotë. Feja e vërtetë s’ka frikë nga pyetjet, as nga dialogu, as nga mendimi, sepse Zoti nuk ka nevojë për roje.

Nëse kjo që ke lexu t’ka djegë pak, nëse t’ka shkund nervat ose t’ka shkundë bindjet, ndoshta nuk asht faji i shkrimit, por një virus që je tu e mbajt në kokë pa e kuptu.

Radikalizmi s’asht bindje. S’asht fe.

Asht frikë. Asht nevojë për kontroll. Asht sëmundje.

Edhe mendja ka nevojë për check-up.

Se përndryshe, nji ditë, ti s’je ma njeriu që beson, por vegla që e përdor fenë për me ndëshku botën.

Lajme të ngjashme